Ata janë disa nga artistët më të mëdhenj të kohës së tyre. Kontribuan në lindjen e gjinive të reja artistike me vlera bashkëkohore, por gjithashtu eksploruan vetë viset e trojet shqiptare.
Dora e atyre mjeshtrave bënte mrekulli në paraqitjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Këta të fundit u bënë një subjekt i artistëve evropianë që kërkonin njohjen e historisë së shqiptarëve, njohjen e virtyteve ngacmuese si edhe burimi çudibërës i këtij vendi të vogël e të bekuar nga perënditë në zemër të Ballkanit.
Qenë ata krijues francezë, gjermanë, britanikë etj, që u desh të shoqërojnë shkrimet në libra me skica e foto, ç’mendonin ata për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Përshtypja e artistëve dhe piktorëve krahas studiuesve dhe letrarëve nëpërmjet veprës së tyre, janë një pasuri e çmuar në fondin e trashëgimisë shpirtërore dhe materiale për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Edward Lear, Ura e Bacallekut -foto Albanianart
Eduard Lir( Edward Lear, 1812 - 1888): është një poet, piktor, muzikant, kolesionues anglez. Gjatë dy udhëtimeve të tij në Shqipëri midis 1848-1849, pikturoi rreth 100 tabllo.
Lir ishte shumë i magjepsur nga Shqipëria, nga njerëzit dhe veshjet popullore. Në pikturat e tij ne kemi përfaqësuar peisazhet e mrekullueshme shqiptare dhe pothuajse gjithmonë ka njerëz të veshur me rroba tradicionale. Midis pikturave të ndryshme nga Lear me temë shqiptare, litografia Gjirokastra dhe akuareli Ura e Bahçallekut, janë të rëndësishme jo vetëm për vlerat artistike, por edhe sepse përshkruajnë dy monumente të kulturës shqiptare me shumë vlera që nuk ekzistojnë më sot: Ujësjellësi i Gjirokastrës dhe ura mbi Drinin, afër Shkodrës. Puna e Lear-it është dëshmia e vetme e këtyre monumenteve të rëndësishme.
Jean Baptiste Hileaire-Luftetaret shqiptare- foto colectionswarm
Zhan Babtiste Hiler (Jean Baptiste Hileaire, 1751-1829): Piktor francez. Hiler është bërë i njohur me tablotë: “Muzika” dhe “Leximi”, të cilat janë të ekspozuara në Luvër.
Duke u marrë me temën nga Shqipëria dhe shqiptarët, Hiler krijon në gjininë e gravurës, kompozime me vlera komplekse ngaqë kujdeset aq sa për anën historike edhe për motive etnografike shqiptare.
Piktura e tij më e bujshme me motive shqiptare është “Luftëtarë shqiptarë”, e cila sot e kësaj dite qëndron me dinjitet artistik në radhët e veprave të shquara të artistëve bashkëkohës me piktorin.
Charles Robert. Cockerel - Shqiptaret (suliotet) duke ndjekur armikun - foto FB Marko Bocari and Suliote Albanians
Çarl Kokrell (Charles Robert. Cockerel, 1788-1863): Piktor, arkitekt dhe arkeolog anglez. Udhëtoi në Shqipëri nga 1812 deri 1813 dhe bëri mjaft grafika e vizatime me pamje nga vitet që ai vizitoi si: “Trimat shqiptarë duke ndjekur armikun”, ku tregon aspekte nga qëndresa e shqiptarve për mbrojtjen e trojeve.
“Berati”, ku pasqyrohet pamja e bukur e qytetit me ndërtime e objekte me vlera artistike e arkitektonike. Origjinalet e këyre veprave ndodhen në muzeumin e Londrës.
Camille Corot- Shqiptarja - fot Reddit
Kamij Koro (Camille Corot, 1796-1875): Piktor francez, mbahet si një nga mjeshtrit më të mëdhenj të shek. XIX. Deri në vitet e fundit të jetës krijimtaria e tij nuk u çmua aq sa duhej.
Është quajtur “poet i peisazhit” dhe “muzikanti i piktorëve francezë”. Dallohet për stilin e tij të ndjeshëm, të thjeshtë e të pastër. Kjo ilustrohet edhe tek pikturat e tij të fundit, që tregojnë një piktor të madh. Koro është konsideruar prej impresionistëve si një pararojë e impresionizmit.
Koro, i frymëzuar nga Shqipëria dhe shqiptarët e asaj kohe, realizoi vepra: “Shqiptarja” (1872), si më e arrira dhe më e ndjera e krijimtarisë së tij dhe vepra tjetër “Haideja një vajzë bukuroshe shqiptare që mendohej si e bija e Ali Pashë Tepelenës.
Eugene Delacroix - Dy shqiptare - foto FB Fstanella Paint
Ezhen Delakrua (Eugene Delacroix, 1798-1863): Piktor, akuarelist, disenjator e litograf francez.
Në vitet 1840, Delakrua realizoi disa tablo të frymëzuara nga ngjarjet bashkëkohore, si: “Liria udhëheq popullin në barrikada”. Në pikturat e tij ndihet dinamizmi i linjave të forta dhe shpërthimi i njollave koloristike. Njihen mbi dhjetë punime me temë shqiptare të realizuara nga E. Delakrua.
Më të njohurat “Dy luftëtarë shqiptarë”, “Një luftëtar dhe një grua shqiptare”, “Episod nga luftra kundër turqve” , “Kampi i Marko Boçarit”etj. Pjesa më e madhe e këtyre krijimeve ruhen në Muzeumin e Luvrit në Paris, të tjerat në muze dhe në koleksione private në Zvicër, Greqi dhe në Francë.
Richard caton Woodville - Nje nate ne Shkoder- foto FB Fustanella
Ketën Uodlvil (Caton Woodville, 1856-1927): Udvili është vlerësuar si një piktor që trajtoi me ndjenjë jetën e njerëzve të thjeshtë.
Me motive të tilla janë edhe krijimet për Shqipërinë. Pamjet na japin atmosferën e kohës dhe mjedisin ku jetonin e punonin njerëzit e thjeshtë. Udvili është gjithashtu autor i krijimeve më të bukura për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të cilat i realizoi i frymëzuar nga zonat ku kishte ndezur zjarri i luftës për liri.
Disa nga veprat më të njohura të Uodvilit janë: “Mirditorë pranë liqenit të Shkodrës”, “Nik Leka, udhëheqës i Këlmendëve”, “Në pazarin e Shkodrës” etj.
Aleksandre Gabriel Dekamps - Vallja shqiptare - foto wikiart
Aleksandër Dekam (Aleksandre Gabriel Dekamps, 1803-1860): Një nga përfaqësuesit më të njohur të romantizmit në Francë. Pas udhëtimit në disa vende të Ballkanit realizoi tablo, akuarele dhe vizatime, që e bënë të shquar.
Vlerësohet si një nga pasuesit e Delakruas. Në disa vepra ishte po aq gjeni sa edhe vetë Delakrua. Deka është autor i tablosë “Valltarët shqiptarë”, një nga më të bukurat me temë shqiptare.
Në fillim ajo ishte pronë e një koleksioni privat. Në vitin 1960 u ble në Paris për Muzeun e Brestit, ku ruhet edhe tani, gjithashtu është ekspozuar në Luvër dhe në disa muze jashtë Francës. Piktura të tjera të Dekas si “Luftëtarë Shqiptarë”, “Fshatar shqiptar”.
George de la Poer Berestford - Parga- foto albanianhistory.net
Zhorzh de la Poer Beresford (George de la Poer Berestford, 1826 – 1865): Piktor anglez i shek. XIX. Udhëtoi në disa vende të Ballkanit, grumbulloi material të bollshëm duke u tërhequr nga historia dhe natyra.
Nga Shqipëria, Berstford ka lënë vepra të shquara, të botuara në albumin: “Skena nga Shqipëria e Jugut.” Në album gjejmë edhe figura shqiptarësh, banorë të Artës, Prevezës, Janinës e Filatit.
Vendet karakteristike e sidomos figurat e shqiptarëve, të realizuara nga Poer Berestford, dallohen për realizimin e theksuar, të veçorive kompozicionale dhe estetike që vënë në dukje cilësitë individuale tek çdo përsonazh i veprës.
Qëndrimi i piktorit anglez ndaj natyrës dhe njeriut shqiptar tregon nëpërmjet vizatimeve e gravurave, dashamirësi, profesionalizëm e mençuri prej mjeshtri.
-Léon Gérôme- Vallja shqiptare- foto Pinterest
Leon Zherom (Léon Gérôme, 1824-1904): Ishte piktor dhe skulptor francez, i cili u shqua si mjeshtër që në krijimet e para. Ai sa herë i ekspozonte pikturat e tij, fitonte admirimin e shkuesve, të studiuesve dhe historianëve.
Veprat me motive nga Shqipëria i realizoi gjatë udhëtimit në Lindje. Ata dallohen për realizimin me vërtetësi të tipareve dhe të mjedisit kombëtar. Veprat e tij përfshijnë: “Shqiptarë duke luajtur shah”, “I burgosuri”, “Shqiptarë në Kajro” etj.
Mjaft nga veprat e tij për Shqipërinë ruhen në koleksione private në SHBA. Vepra të veçanta ruhen edhe në muze të Francës dhe Anglisë.
Zheromi bën pjesë midis autorëve më të shquar të temës shqiptare. Nëpërmjet veprave bindesh se ai e ka njohur mirë botën e shqiptarit të atyre viteve.
Neritana Kraja