Valmir Aziri hap ekspozitë pikture në Tiranë
2023-09-13 09:56:10

Valmir Aziri (Facebook)

Valmir Aziri (Facebook)

“Yjet” e autorit Valmir Aziri, sekretarit shtetëror në Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë së Veriut u ekspozuan në Tiranë. Kështu titullohet ekspozita e tij si variacion i konceptit bazë Ad Astra (Tek Yjet). Pikturat e tij vijnë në formë buqetash dhe aurorash, ku krijimet e fundit të autorit janë kryesisht kompozime. Valmiri duket se është gjithmonë në kërkim të formave të reja të shprehjes së tij. Kontrastet e forta të ngjyrës përçojnë tek publiku gjithë ngarkesën vizuale të dramës qiellore. Valmir Aziri është një ndër figurat që ka ndikuar dhe udhëhequr shumë institucione të rëndësishme kulturore në Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai rrëfen për këtë ekspozitë si dhe ekspozitat e mëparshme ndërkombëtare. 

Piktura te Valmir Azirit (Foto CMG)

Piktura te Valmir Azirit (Foto CMG)

CMG: Këtë intervistë po e zhvillojmë në Tiranë, me rastin e hapjes së ekspozitës tuaj personale ndërkombëtare me punime në pikturë.

Valmir Aziri: Tirana, siç themi ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është kryeqyteti i shqiptarëve dhe këtu sot po mbajmë këtë ekspozitë në Qendrën Kulturore të Maqedonisë së Veriut. Shteti ynë i Maqedonisë së Veriut ka pesë qendra të kulturës të këtij niveli, në Stamboll, Zagreb, Berlin, Nju Jork dhe një në Sofie. Këtu në këtë qendër të gjithë artistët e Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë të organizojnë ekspozita. Unë zgjodha Tiranën, duke marrë parasysh rëndësinë që ka, për impaktin që ka kultura shqiptare dhe ajo se çfarë ne kemi marrë përherë nga ata që bëjnë kulturën në Tiranë. Këtë gjë e pashë edhe si sfidë personale për të ardhur këtu dhe për të ekspozuar punimet e mia.

CMG: Keni bërë një organizim të veçantë, që dallohet nga eventet e tjera të këtij lloji, të organizuara në Tiranë. Kush e kishte këtë ide të organizimit të kësaj ekspozite?

Valmir Aziri: Falë përvojës time që kam pasur si drejtor i Galerisë së Arteve në qytetin e Tetovës dhe gjithashtu duke biseduar me shumë shokë dhe shoqe, ku me këtë rast dua të përshëndes përzemërsisht mikeshën time shumë të vyer Besiana Mehmeti. Ajo është kujdesur në përpikmëri për gjithë protokollin e kësaj mbrëmjeje dhe besoj që ne ja kemi dhënë hakun, siç themi nga Tetova.

Ceremonia e hapjes se ekspozites (Foto CMG)

Ceremonia e hapjes se ekspozites (Foto CMG)

CMG: Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin dhe personalitete të artit dhe kulturës shqiptare.

Valmir Aziri: Sot në këtë ekspozitë ishin të pranishëm figura eminente të kulturës shqiptare dhe besoj se do i pëlqejnë punimet e pikturës, ku dhe diskutuam rreth punimeve të mia.

CMG: Çfarë tematike kanë punimet tuaja në këtë ekspozitë?

Valmir Aziri: Këto piktura janë bërë posaçërisht për këtë ekspozitë dhe titulli i këtij modaliteti të pikturave është “Ad astra Tirana Edition”, pasi më përpara kam pasur ekspozitën time ndërkombëtare në Stamboll dhe para asaj dy ekspozita radhazi po më të njëjtën tematikë Ad astra, që nënkupton drejt yjeve. Është një cikël pikturash të cilat në vete kanë të gjitha çfarë paraqet dhe përmban universi, nga mjegullnaja të ndryshme, kometat, meteorët, pjesë peisazhi të tokës, peisazhe të planeteve të tjera. Kjo ekspozitë paraqet të gjithë impresionin tim, emocionet, të cilat nganjëherë i lidh edhe me shkrimet e teksteve të shenjta të Biblës ose të Kuranit dhe ndonjëherë marr inspirime nga filmat e famshëm.

CMG: Sa kohë ju është dashur t’i realizoni këto punime, duke ditur se jeni dhe i angazhur me punët tuaja të rëndësishme institucionale?

Valmir Aziri: Unë çdo herë kur futem në atelie për të punuar është koha më e veçantë që i kushtoj vetes dhe besoj se nuk matet ajo kohë me volum, por si zakonisht nga gjashtë muaj deri në një vit një cikël merr kohë, për të arritur atë të cilën ne pretendojmë. Siç do të thoshte profesor Myftar Mehmeti, piktori arrin pjekurinë e duhur kur di që piktura ka marrë fund. Mirëpo ka dhe një thënie tjetër, që piktura asnjëherë nuk merr fund dhe aty është ai mesi që e bën luftën e artistit për të ardhë te fundi i një pikture. Këto janë pikturat që unë mendoj se kam arritur finale dhe janë të gatshme për t’i ekspozuar.

Profesoreshe Zana Shuteriqi kur ju dhurua piktura (Foto CMG)

Profesoreshe Zana Shuteriqi kur ju dhurua piktura (Foto CMG)

CMG: Si janë pritur punimet tuaja në pikturë në ekpozitat e mëparshme ndërkombëtare?

Valmir Aziri: Unë kam marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive ndërkombëtare. Kjo është ekspozita e dytë ndërkombëtare që e mbaj jashtë kufijve të Maqedonisë së Veriut. Ekspozita e parë ishte në Stamboll dhe u prit me shumë entuziazëm nga banorët e qytetit të Stambollit, nga shqiptarët që jetojnë atje dhe janë të mallëngjyer për të parë një bashkëatdhetar të tyre dhe erdhën në një numër të madh. Patëm biseda të frytshme mes artistëve të ndryshëm, studentëve të cilët studiojnë në Stamboll. Në Stamboll për të bërë bashkë pesë persona është shumë e vështirë, unë për fatin tim të mirë arrita që të bëj mbi 50 persona artëdashës në Galerinë e Qendrës për Kulturë në Stamboll. Kjo ishte për mua një arrtije personale.

CMG: Të pikturosh është relaks për ju nga ngarkesa e punëve të përditëshme?

Valmir Aziri: Detyrimisht është ajo ikja që bëjmë nga përditshmëria, nga dita e lodhshme që kemi, nga obligimet e përditëshme në institucione dhe mbrëmja zakonisht më gjen të mbyllur në atelien time, ku shpreh të gjithë ngarkesën time emocionale që kam në pëlhurat e pikturës. Unë me profesion jam magjistër i dizajnit grafik dhe për momentin jam profesor asistent në Universitetin e Tetovës për lëndën e dizajnit gafik. Unë aty gjej veten më mirë, ku përveç punës që bëjmë në institucione shtetërore, arrijmë që të kemi një punë shumë të vyer dhe fisnike me studentët e Universitetit të Tetovës dhe kemi arritur deri tani që ta përqëndrojmë Fakultetin e Artit në një fakultet shumë tërheqës për studentët.

Maestro Zhani Ciko kur ju dhurua piktura (Foto CMG)

Maestro Zhani Ciko kur ju dhurua piktura (Foto CMG)

CMG: Prej shumë vitesh keni dhënë një kontribut të çmuar për artin dhe kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në çfarë niveli janë tani institucionet  kulturore dhe artistike?

Valmir Aziri: Duke qenë që jam i brezit ku kam përjetuar dy botë, kam bërë obligim vetes që të bëjmë bashkarisht me shokët tanë dhe shoqet që i kemi në partinë tonë, veprimtarë të ndryshëm që të bëjmë institucionaizimin e kulturës shqiptare, pasi që shqiptarët kanë vuajtur për institucione. Ne gjithmonë kemi kultivuar kulturën shqiptare, por e kemi kultivuar nëpërmjet organizatave të ndryshme. Para tre muajve kemi krijuar edhe institucionin e fundit, i cili quhet Ansambli Muzikor, që në vete ngërthen veprimtari skenike, por edhe sinfonike që nënkupton filarmoni dhe opera e balet bashkë. Kështu që shqiptarët i kanë përmbyllur institucionet shtetërore dhe ne me këtë gjë kemi kryer punën e institucionalizimit, ku i kemi vënë vetes një qëllim të pastër dhe shumë fisnik për ngritjen e cilësive të shërbimeve të institucioneve, të cilat drejtohen nga shqiptarët. Sot ne kemi katër teatro, Teatri i Kumanovës, Teatri Kombëtar Shqiptar në Shkup, Teatri i Tetovës dhe i Gostivarit.

Gjithashtu kemi Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare, i cili udhëhiqet në mënyrë të përkryer nga Shkodran Tolaj, kemi Ansamblin Muzikor, i cili do të udhëhiqet nga Jeton Pustina, kemi drejtoreshën e Qendrës së Galerisë Kombëtare të shtetit të Maqedonisë së Veriut, që udhëhiqet nga Dita Starova vajza e të ndjerit Luan Starova, shkrimtarit më të madh që kanë shqiptarët.

Ne si shqiptarë po tregojmë se kemi dhe kapacitetet për të drejtuar institucionet, dhe kjo për mua do të thotë shumë sesa kanë arritur shqiptarët. Prandaj unë sot në ekspozitën time kam vendosur që dy figurave të veçanta të kulturës shqiptare, siç janë Zana Shuteriqi dhe Zhani Ciko t’i nderoj me nga një pikturë në shenjë falenderimi për kontributin e tyre në ngritjen e instituvioneve tona. Nuk ka munguar ndihma edhe e Altin Bashës apo Dorian Koçit e shumë të tjerëve, dhe janë gjithë këto emra për të treguar se neve varemi prej njëri-tjetrit.

CMG: Sa ditë do të qëndrojë ekspozita në Tiranë për vizitorët?

Valmir Aziri: Ekspozita do të qëndrojë e hapur afër 10 ditë, ku pastaj disa nga këto punime por dhe të tjera do të transferohen për në Zagreb i cili është destincaioni i radhës.

Intervistoi: Gazmend Agaj