Foto nga VCG
Në pushimet verore të këtij viti, sektorët e ndryshëm, posaçërisht ata të transportit, turizmit dhe ushqimit, kanë pasur arritje të spikatura, si rekord udhëtimesh, bileta muzesh të pamjaftueshme për kërkesën dhe skenarë të rinj konsumi në krahina të ndryshme.
Pushimet verore janë një “dritare” e rëndësishme për vëzhgimin e tregut të konsumit dhe prirjen e zhvillimit ekonomik. Sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës për muajin korrik, konsumi për shërbimet gjatë pushimeve verore ka pasur rritje të dukshme dhe roli mbështetës i konsumit në pushimet verore për rritjen e konsumit kombëtar, e madje edhe për zhvillimin e ekonomisë së Kinës është bërë më i dukshëm.
Edhe pse pushimet verore kanë përfunduar, tre skenarët kryesorë të konsumit të kësaj periudhe: turizmi, shfaqjet artistike dhe filmat, ende vijojnë gjallërinë e tyre. Shitja e biletave të filmave gjatë pushimeve verore ka arritur një vlerë 18.7 miliardë juanë dhe shitja e biletave për shfaqje artistike i ka kaluar 3.3 miliardë juanët.
Foto nga CMG
Krahas kësaj, edhe tregu i turizmit ka pasur përtëritje të mëtejshme. Sipas parashikimeve nga Akademia e Turizmit e Kinës, në periudhën korrik-gusht numri i vizitave turistike individuale brenda Kinës vlerësohet se ka arritur në mbi 1.33 miliardë, që parashikohet të jetë sa 20.18 % e tërë vitit.
Nga 1 korriku deri në fund të gushtit, me trena janë transportuar gjithsej 701 milionë udhëtarë. Më 19 gusht, numri i udhëtarëve me tren arriti mbi 15.68 milionë, duke shënuar rekord të ri ditor në historinë e transportit veror. Po ashtu, edhe numri i trenave të udhëtarëve arriti në 10 444 në ditë, që është 15.4 % më shumë se në vitin 2019, pra para shpërthimit të pandemisë.
Grupi kryesor i turizmit veror janë studentët dhe familjet me fëmijë. Rritja e konsumit të tyre është një simbol i rëndësishëm i sezonit të nxehtë turistik në verën e sivjetshme. Sipas “Qunar.com”, grupmosha nën 18 vjeçe dhe grupmosha 34-43 vjeçe zënë dy vendet e para në konsumin turistik, duke përfaqësuar mbi 50 % të konsumit total turistik. Në këto dy grupe, fëmijët zënë 10 %. Për sa u përket udhëtimeve me avion, numri i fëmijëve ka pasur rritje të dukshme dhe turizmi bashkë me fëmijët është bërë fuqia e re për rritjen e konsumit.
Foto nga CMG
Krahas udhëtimeve, edhe vizitat në pikat e famshme turistike dhe muzetë janë bërë një zgjedhje e parapëlqyer për konsumatorët. Në shumë muze janë organizuar aktivitete të veçanta demonstruese dhe edukuese, çka ka tërhequr shumë nxënës dhe fëmijë. Për të plotësuar kërkesat e publikut, është zgjatur edhe koha e qëndrimit hapur. Në disa muze janë ofruar shërbime ushqimore. Kështu, vizitorët mund të shkojnë në muze edhe në një kohë me pak fluks ose të rrinë për një vizitë të ngadaltë. Me tërheqjen e më shumë vizitorëve, është stimuluar edhe konsumi në zonat përreth, çka ka nxitur fuqimisht konsumin e natës dhe tregjet e natës.
Nga konsumi “i nxehtë” në pushimet verore, mund të shohim që tani konsumatorët kinezë kanë më shumë kërkesa të reja, si konsumi me karakteristika të personalizuara, me cilësi të lartë dhe me larmi të madhe. Ndërkohë, janë krijuar më shumë skenarë të rinj konsumi. P. sh., në disa qendra tregtare, janë krijuar panaire librash, lojëra në ujë dhe lojëra për fëmijë-prindër, të cilat kanë tërhequr shumë vizitorë, duke formuar një atmosferë të ndezur konsumi.
Në qytetet e lashta, si Xi’an dhe Luoyang, konsumi “i nxehtë” turistik vjen kryesisht nga elementet kulturore. Përfshirja e më shumë elementeve kulturore e historike është në të mirë të stimulimit të konsumit turistik, çka tani është integruar më shumë me “shijen kulturore”.
Foto nga VCG
Një tjetër faktor nxitës për konsumin veror janë masat e posaçme nga qeveria, e cila, me synimin e çlirimit të potencialit të konsumit, ka publikuar dokumentin “Masat për mëkëmbjen dhe shtimin e konsumit”. Në këtë dokument janë përfshirë 20 masa konkrete lidhur me gjashtë drejtime kryesore të konsumit.
Krahas kësaj, edhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe Ministria e Tregtisë kanë organizuar aktivitetet e nxitjes së konsumit sipas festave tradicionale e pushimeve verore dhe 52 skenarëve kryesorë të konsumit. Në disa qytete është ofruar mbështetje e fortë për konsumin me dhënien e kuponëve të konsumit.
(Jiang Lei)