Metsola: BE-ja të reformohet për të funksionuar me një numër më të madh vendesh anëtare
2023-09-13 17:15:10

Evropa duhet të jetë e gatshme për reforma dhe të pranojë se ajo që funksionon për numrin e tanishëm të anëtarëve të Bashkimit Evropian nuk do të funksionojë me një numër më të madh, sipas kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Ajo u përqendrua në nevojën e rishikimit të marrëveshjes së BE-së, për të cilën PE-ja është angazhuar në rezolutën e vitit të kaluar, që të përmbushen shpresat e qytetarëve dhe propozimet e konferencës për të ardhmen e Evropës.

“Nuk mund të justifikohet fakti se kemi kaluar një vit e gjysmë të Konferencës për të ardhmen e Evropës me përfundime të shkëlqyera dhe deklarata shumë të mëdha, ndërsa më pas asgjë. Duhet të jemi të gatshëm të pranojmë se ajo që funksionon për 27 vendet anëtare nuk do të funksionojë për 32, 33 apo 35 vende anëtare dhe se duhet të jemi gati për reforma”,- theksoi Metsola, citon “ATSH”.

Ajo shtoi se nuk bëhet fjalë vetëm për një politikë të përbashkët bujqësore apo për heqjen e unanimitetit në politikën e jashtme, por se politikanët duhet të kuptojnë se BE-ja është më e fortë dhe më e sigurt edhe politikisht, edhe ekonomikisht nëse është më e madhe. (Elona)