Duke parë rritjen e fundit të infeksioneve me Covid-19, mjekët në Vestfalinë e Veriut, rajonin më të populluar të Gjermanisë, po i bëjnë thirrje publikut që t’i rikthehen vullnetarisht mbajtjes së maskave, për të mbrojtur veten dhe të tjerët, shkruan “Xinhua”.
“Ndërsa jeta e përditshme zhvillohet më shumë në ambiente të mbyllura në vjeshtë dhe dimër, maskat mund të bëhen përsëri të dobishme nga ana mjekësore, veçanërisht për mbrojtjen e grupeve vulnerabël”,- deklaroi për mediet lokale Frank Bergmann, kreu i Urdhrit të Mjekëve në rajon.
Megjithatë, sipas tij, nuk ka asnjë arsye që autoritetet qeveritare të rivendosin përdorimin e detyrueshëm të maskave.
“Do të ishte gjithashtu e rëndësishme që të ofrohet sërish testimi falas për Covid-19 për të monitoruar më mirë infeksionet. Për shumë familje, nuk është e mundur financiarisht të blejnë teste anti-Covid”,- deklaroi Thomas Preis, kryetar i Urdhrit të Farmacistëve.
“Ne vazhdojmë të shohim tendenca shqetësuese për Covid-19 përpara sezonit të dimrit në hemisferën veriore”,- paralajmëroi javën e kaluar drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus, duke u kërkuar njerëzve me rreziqe më të larta shëndetësore që të rifreskojnë vaksinat e tyre.
Në kuadër të plotësimit të kërkesës sezonale, prodhuesi gjerman i vaksinave “BioNTech” ka prodhuar një vaksinë të përshtatur me variantet e reja.
“Ajo synon të përmirësojë më tej mbrojtjen kundër sëmundjeve të rënda dhe shtrimit në spital”,- tha në fund të gushtit shefi ekzekutiv i “BioNTech”, Ugur Sahin. (Elona)