Projekti në digjitalizim e sipër në shpellën 351 të Shpellave Mogao në Dunhuang të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore/ foto nga WANG KAIHAO/ CHINA DAILY
Rreth 160 ekspertë kinezë dhe ndërkombëtarë u mblodhën në Chongqing në gusht për të gjetur mundësitë për bashkëpunim dhe metoda për të mbrojtur gdhendjet shkëmbore dhe tempujt e shpellave anembanë botës. Gdhendjet rrezikojnë të dëmtohen me kalimin e kohës si rezultat i motit dhe ndryshimeve klimaterike, deklaroi Wang Jinhua, profesor në Universitetin Fudan, gjatë Forumit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Tempujve të Shpellave, i organizuar nga Administrata Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore dhe qeveria komunale Chongqing.
“Rrjedhja e ujit në tempujt e shpellave i vë në rrezik këto pjesë të lashta të artit. Lagështia mund t'i dëmtojë ato, duke lejuar rritjen e mykut dhe formimin e kripëzimit në sipërfaqe”,- tha Wang, i cili ka kaluar më shumë se një dekadë duke restauruar gdhendjet shkëmbore rreth 1300-vjeçare në distriktin Dazu në Chongqing.
Prej vitit të kaluar, 13 vende të trashëgimisë në të gjithë vendin të lidhura me tempujt e shpellave ose gdhendjet e shkëmbinjve u futën në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku përfshihen shpellat Mogao në provincën Gansu, shpellat Yungang në provincën Shanxi, shpellat Longmen në provincën Henan dhe gdhendjet e shkëmbinjve në Dazu në Chongqing.
Shpella 20 në Shpellat Yungang në Datong të provincës Shaanxi të Kinës Veriperëndimore/ foto nga WANG KAIHAO/ CHINA DAILY
Forumi u mbajt për të përmirësuar ruajtjen e tempujve të shpellave dhe për të zbuluar vlerën dhe rëndësinë e tyre historike, duke kontribuar kështu në ruajtjen e arritjeve intelektuale të njerëzimit, tha Li.
Në vitin 2021, 635 tempuj shpellash dhe gdhendje shkëmbinjsh u zbuluan gjatë një studimi kombëtar 10-mujor në terren. Zbulimet e reja e çuan numrin e tempujve të shpellave dhe gdhendjeve të shkëmbinjve në 5986, sipas Administratës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Midis tyre, 2155 ishin tempuj shpellash dhe 3831 ishin gdhendje shkëmbinjsh, me 288 vende nën mbrojtjen e shtetit.
Duke parë ndryshimet klimaterike globale, ekspertët në forumin në Chongqing ranë dakord të promovojnë mbrojtjen e tyre, të krijojnë sisteme të paralajmërimit të hershëm dhe një bazë të dhënash globale të imazheve historike, të cilat ata shpresojnë se do t'i ndihmojnë brezat e ardhshëm të vlerësojnë bukurinë e tyre.
Projekti në digjitalizim e sipër në shpellën 148 të Shpellave Mogao në Dunhuang të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore/ foto nga Akademia e Dunhuang-ut për CHINA DAILY
“Uji dhe era janë faktorët kryesorë që shkaktojnë dëme në tempujt e shpellave dhe gdhendjet në shkëmbinj”,- tha Song, duke shtuar se ndryshimi i klimës ka çuar në pasigurinë në rritje të shkaktuar nga kërcënimet natyrore. Ai bën thirrje për studime të thella mbi faktorët thelbësorë, si dëmtimet e lidhura me ujin dhe mjedisin gjeologjik, me fokus në masat parandaluese të ruajtjes. Për më tepër, sipas tij, përpjekjet duhet të orientohen drejt forcimit të hetimeve arkeologjike dhe eksplorimit të vlerave të këtyre vendeve, si dhe menaxhimit të turizmit.
Li Fangyin, studiues me Akademinë e Gdhendjeve në Shkëmbinj në Dazu, thotë se ndryshimi i klimës është i lidhur ngushtë me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe paraqet sfida të reja për mbrojtjen e saj.
Ai theksoi se pika kyçe është zbatimi i projekteve të ruajtjes për të rritur aftësinë për të përballuar rreziqet.
Gjatë dekadës së fundit, gdhendjet në shkëmbinj në Dazu kanë qenë subjekt i 30 projekteve të ruajtjes së trashëgimisë kulturore që synojnë stabilitetin e shkëmbinjve, procesin e kullimit dhe ruajtjen nga dëmtimet prej motit.
“Peizazhet mund të qëndrojnë përgjithmonë, por shpellat janë të vështira për t'u ruajtur pafundësisht. Ashtu si relikte të tjera kulturore, tempujt e shpellave po përjetojnë konvergjencën e rreziqeve tradicionale dhe rreziqeve të reja të shkaktuara nga ndryshimet klimaterike. Kjo i ka bërë sfidat e ruajtjes gjithnjë e më komplekse dhe vështirësitë më të mëdha”,- deklaroi Li.
Ai rekomandon që njësitë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore duhet të kultivojnë ndërgjegjësimin për menaxhimin e rrezikut, të kryejnë monitorim të fuqishëm të trashëgimisë dhe të përmirësojnë masat për parandalimin dhe zbutjen e fatkeqësive.
Li gjithashtu u bën thirrje palëve të forcojnë kërkimin arkeologjik dhe regjistrimin digjital, si dhe t'i kushtojnë më shumë vëmendje ruajtjes së informacionit rreth shpellave.
Puna e riparimit të skulpturave të budave në Shpellat Longmen në Luoyang të provincës Henan të Kinës Qendrore/ foto nga ZENG XIANPING për CHINA DAILY
Arkeologu Shi Jiazhen, drejtor i Akademisë Kërkimore të Shpellave Longmen(Lon mën), deklaroi se ruajtja bashkëkohore e tempujve të shpellave jo vetëm që kërkon integrimin e mjeshtërisë tradicionale dhe metodave moderne të teknologjisë së lartë, por gjithashtu kërkon që praktikuesit të kenë si kërkimin shkencor ashtu edhe ndërgjegjësimin për projektin.
Ai shton se është e rëndësishme që të gjitha palët, si ekspertët, projektuesit, kompanitë e ndërtimit dhe mbikëqyrësit, të përfshihen gjatë gjithë procesit të zbatimit të projekteve të ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Gjatë forumit në Chongqing, Akademia e Gdhendjeve në Shkëmbinj në Dazu dhe Drejtoria e Arkeologjisë dhe Muzeve “Khyber Pakhtunkhwa”, në Pakistan, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për vendosjen e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit.
Të dyja palët do të rrisin komunikimin dhe bashkëpunimin për mbrojtjen, përdorimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Feryal Ali Gauhar, këshilltare për Menaxhimin e Trashëgimisë Kulturore të projektit “Diamer Basha Dam” në Pakistan, thotë se ajo mendonte se ndikimi i klimës në trashëgiminë kulturore nuk është vetëm një çështje për Kinën, por edhe për komunitetin ndërkombëtar. “Vetëm kur kuptojmë të kaluarën tonë dhe jemi në gjendje ta interpretojmë atë dhe lidhjet që komunitetet e ndryshme krijojnë me njëri-tjetrin, mund të mësojmë nga njëri-tjetri”, tha Gauhar.