Polonia brenda dy viteve synon të ketë ushtrinë më të fortë tokësore në Evropë
2023-09-13 17:36:37

Ministri i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, ka deklaruar se Polonia nga viti 2026 pritet të ketë ushtrinë tokësore më të fortë në Evropë.

“Brenda dy viteve, Polonia do të ketë ushtrinë më të fortë tokësore dhe një nga komponentët më të rëndësishëm të ushtrisë tokësore do të jetë artileria me raketa”,-  deklaroi Blaszczak në një konferencë për media në qytetin polak Torun.

Sipas renditjes së Forcave Ushtarake Globale 2023, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia kanë ushtritë më të forta në Evropë pas Rusisë. Këtë javë, Agjencia e Armatimeve e Polonisë nënshkroi një marrëveshje me qeverinë amerikane për furnizimin e 486 hedhësve të artilerisë me rreze të gjatë HIMARS.

Blaszczak tha se ushtria polake deri në vitin 2026 do të ketë 500 raketa HIMARS në 28 skuadra, me dërgesat që fillojnë në fund të vitit 2025.

Ai tha se integrimi i lëshuesve amerikanë HIMARS me sistemet polake do të bëhet brenda dy viteve të ardhshme, shkruan “ATSH”.

Në fillim të këtij viti, ministria nënshkroi një kontratë 1.5 miliardë dollarësh me SHBA-në për dorëzimin e 116 tankeve M1A1 Abrams.

Modernizimi ushtarak i Polonisë po ashtu përfshinte një porosi për 25 tanke M1A21 SEPv3 Abrams me vlerë prej 4.7 miliardë dollarësh, me dorëzim të planifikuar midis vitit 2024 dhe 2026. (Elona)