Shqipëria, vend atraktiv për investimet e huaja
2023-09-12 09:35:56

Investimet e huaja direkte

Pas pandemisë Covid 19, investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë shënuar një rritje të shpejtë vit pas viti. Bumi në turizëm dhe politikat nxitëse nga ana e qeverisë në të gjithë sektorët e ekonomisë, kanë sjellë shtim të theksuar të investimeve të huaja në sektorë si hoteleria në bregdet, hidrokarburet, energjia e rinovueshme nga dielli dhe era, si dhe pasuritë e paluajtshme.  Vitin e kaluar, Investimet e Huaja Direkte arritën vlerën e 1.37 miliardë eurove, ose 33 përqind më shumë se sa gjatë vitit 2021. Ato shënuan rekord të ri edhe në dy tremujorët e parë të këtij viti.

Shtimi domethënës i investimeve të huaja direkte në Shqipëri është evidentuar edhe nga UNCTAD, agjensia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ekonominë dhe Tregtinë. Në një raport të tij të botuar kohët e fundit, UNCTAD bën një analizë të investimeve të huaja mes 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke mos përfshirë Kosovën, pasi Kosova nuk është vend anëtar i Kombeve të Bashkuara.

UNCTAD Logo

Sipas UNCTAD, Shqipëria renditet në vend të parë për investimet e huaja direkte për frymë dhe në vend të dytë në Ballkanin Perëndimor për nivelin në total të investimeve, duke lënë pas  vende si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina. Në raport vlerësohen nismat e ndërmara nga Shqipëria në kuadër të mbrojtjes së mjedisit dhe prodhimit të energjisë së rinovueshme.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e investimeve të huaja arriti në 308 milionë euro vetëm në tremujorin e parë janar-mars 2023, në shtim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shifër përfaqëson vlerën më të lartë të Investimeve të Huaja Direkte, të regjistruar ndonjëherë në këtë periudhë të vitit.

Banka e Shqipërisë

ZvKryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është shprehur :

 “Sot kemi një forum biznesi..., që kërkon të hapë fusha të reja dhe horizonte të reja, tashmë që Shqipëria është kthyer në një nga vendet më atraktive për bizneset e huaja. E them këtë, duke u bazuar mbi fakte dhe mbi shifra, pasi të gjithë reformat shtetformuese që ne kemi bërë, padyshim kanë dhënë një rezultat të jashtëzakonshëm. Sot në Shqipëri operojnë kompani ekselence nga më të mëdhatë, duke nisur nga ato të hidrokarbureve, siç është SHELL apo ENI, por sot në Shqipëri operojnë në fushën e energjisë, dhe unë po i referohem fushave të cilat mbuloj, operon “Voltalia” franceze, “Total” francez, “Verbun” austriak e shumë e shumë kompani të tjera, duke iu referuar këtu telekomunikacionit dhe të gjithë sektorëve ku ne kemi kompani të mëdha ndërkombëtare që kanë ardhur në Shqipëri, sepse sot Qeveria shqiptare me reformat që ka aplikuar, duke nisur nga ajo në drejtësi apo reformat fiskale, ka krijuar kushtet dhe klimën e biznesit për të ardhur në vendin tonë për të investuar, për t’u ndjerë i mbrojtur dhe për të vazhduar biznesin dhe investimin si të ishte një qytetar i Shqipërisë”, 

Fitimet e riinvestuara kanë qenë faktori më përcaktues në shifrat rekord të investimeve të huaja edhe për këtë vit. Gjatë vitit të kaluar, sipas Bankës së Shqipërisë, fitimi i riinvestuar përbënte më shumë se 53 përqind të totalit të investimeve të huaja direkte, pra të 1.37 miliardë eurove.

Gjatë këtij viti, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte u përqendruan kryesisht në sektorin e hidrokarbureve, në masën 21 përqind. Investimet në këtë sektor janë të lidhura me industrinë e nxjerrjes së naftës bruto. Investimet nga kompania e mirënjohur ndërkombëtare Shell, e cila ka 12 vite në Shqipëri, kulmuan me zbulimin e naftës në thellësinë 6002 metra në Pusin Nr. 5 të Shpiragut në Berat, në gusht të këtij viti. Rritja e çmimeve të naftës bruto në bursat ndërkombëtare krijon stimuj për rritje të mëtejshme të investimeve në këtë sektor.

Investimet-e-Huaja-Direkte

Po mbi një të pestën e investimeve të huaja direkte e ka përbërë në këta dy tremujorë të parë të këtij viti, tregu i pronave. Ndër pasuritë e paluajtshme, janë kryesisht apartamentet, ato që janë blerë nga shtetasit e huaj, sidomos në bregdetin e Shqipërisë. Kjo është arësyeja pse investimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhanë edhe ato kontributin kryesor në shifrën rekord të investimeve të huaja direkte edhe për vitin 2022. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin e kaluar, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri, arritën vlerën e 291 milionë eurove, ose mbi 21përqind të vlerës së përgjithshme të investimeve të huaja direkte në vendin tonë në vitin 2022.

Të tjerë sektorë me peshë të lartë të investimeve të huaja direkte ishin ai i ndërmjetësimit financiar, në masën 14 përqind dhe ai i energjetikës, në masën 12 përqind.

Sektori financiar dhe sidomos ai bankar përfaqëson në vijimësi një faktor me peshë në investimet e huaja direkte, falë nevojave periodike që kanë bankat për të shtuar kapitalin e tyre aksioner.

Duke parë kontratat e përfunduara nga qeveria shqiptare për ndërtimin e një kompleksi turistik dhe marine në Durrës, me vlerë 2.1 miliardë euro, për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, si dhe kontratat për parqet fotovoltaike dhe eolike, parashikimi për investimet e huaja direkte deri në fund të këtij viti është që ato do të tejkalojnë shifrën rekord të vitit të kaluar prej 1.37 miliardë euro.

Fatos Çoçoli