Vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit, rritet numri i viktimave nga tërmeti në Marok
2023-09-12 11:27:16

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ekipet e shpëtimit në Marok vijojnë përpjekjet për të gjetur të mbijetuar nga tërmeti shkatërrues i së premtes, i cili i mori jetën mbi 2100 personave dhe plagosi më shumë se 2400 të tjerë, shkruan “RTSH”.

Kërkimet janë përqendruar në zonat më të largëta të Maleve të Atlasit, ku raportohet se disa fshatra janë rrafshuar dhe qëndrojnë të bllokuar nga shkëmbinjtë e rrëzuar. Shumë prej tyre ishin ndërtuar prej balte.

Tërmeti me magnitudë 6.8 ra 72 kilometra në jugperëndim të qytetit antik të Marakeshit, një destinacion popullor turistik.

Pasojat më të rënda goditja sizmike i la në provincën epiqendër të Al-Hauzit, ku autoritetet kanë regjistruar më shumë se 1350 viktima.

Të dielën, lëkundje të tjera të forta me magnitudë 4.5 tronditën rajonin.

Mbretëria marokene shpalli tre ditë zie për fatkeqësinë dhe ka filluar të pranojë ndihmën e vendeve të tjera.

Spanja njoftoi se ka nisur rreth 90 trupa, të pajisur edhe me katër qen shpëtimi, për të ndihmuar në Marakesh me aksionet e kërkim-shpëtimit të të mbijetuarve.

Maroku informoi se ka kërkuar ndihma edhe nga tri vende të tjera, si Britania, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndonëse shumë vende kanë kërkuar të përfshihen, Maroku njoftoi se ka pranuar vetëm ofertat e katër vendeve, pasi mungesa e koordinimit do të ishin joproduktive.  (Fatosi)