Të hënën u hap në Pekin Konferenca e 18-të Botërore e Burimeve Ujore. Në ceremoninë e hapjes, ekspertët përkatës diskutuan së bashku lidhur me problemet e administrimit botëror të ujërave, duke u fokusuar në konceptet e përparuara të zhvillimit dhe rezultatet tekniko-shkencore në fushën e burimeve ujore.
Konferenca Botërore e Burimeve Ujore është një mbledhje akademike ndërkombëtare e organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Burimeve Ujore. Ajo është një ndër konferencat akademike për sa u përket burimeve ujore me ndikim më të madh dhe nivelin më të lartë profesional. Tema e kësaj konference është "Uji dhe gjithçka: harmonia mes njeriut dhe natyrës".
CFP
Tani e tërë bota po përballon fatkeqësi të shpeshta ujore, mungesën e burimeve ujore, dëmtimet e ekologjisë ujore, ndotjen e mjedisit ujor dhe probleme të tjera të sigurisë ujore. Sipas "Raportit botëror për zhvillimin e ujit për vitin 2023 të OKB-së", deri tani në tërë botën 2 miliardë veta nuk kanë ujë të sigurt, dhe banorët e qytetit me problemin e mungesës së ujit pritet të shtohen në 1.7 miliardë deri në 2.4 miliardë në vitin 2050, nga 930 milionë që ishin në vitin 2016. Kryetari i Këshillit Botëror të Ujit Loic Fauchon vuri në dukje në ceremoninë e hapjes se mënyra si mund të menaxhohet dhe të shfrytëzohet uji në mënyrë efektive është një temë madhore e botës së sotme:
"Së pari, duhet t'i kushtojmë vëmendje të madhe ekuilibrit të ri mes përdorimit njerëzor të ujit dhe harxhimit natyror të ujit. Projekti i zgjidhjes në bazë natyrore na ofron disa metoda të vazhdueshme për të garantuar sigurinë e ujit për një periudhë afatgjatë. Për shembull, në parandalimin e përmbytjeve, kemi zhvilluar disa projekte të ndërtimit të argjinaturave të lumenjve në disa qytete të mëdha, por kanë mbetur për t'u studiuar edhe shumë projekte të tjera."
CFP
Qysh nga viti 2015, kur u paraqit Agjenda e Zhvillimit të Vazhdueshëm për vitin 2030 e OKB-së, Kina ka pasur përparime të mëdha në realizimin e objektivave të ujit që lidhen me këtë Agjendë. Sipas të dhënave, në vitin 2022, vëllimi i përgjithshëm i ujit të përdorur në Kinë u kontrollua në 600 miliardë metra kubë. Në krahasim me vitin 2012, vëllimi i ujit të përdorur për 10 mijë juanë të GDP-së dhe për 10 mijë juanë vlerë të shtuar industriale u ul përkatësisht 46.5 % dhe 60.4 %. Burimet e ujit të ëmbël të Kinës zënë 6 % të atyre të mbarë botës, por ushqejnë afro 20 % të njerëzve të botës.
Ministri kinez i Burimeve Ujore Li Guoying vuri në dukje në ceremoninë e hapjes se, në bazë të praktikës dhe përvojës së Kinës në administrimin e ujit, pala kineze propozoi ndjekjen e parimit "Kursim i ujit me përparësi, garantim i ekuilibrit të hapësirës, trajtim sistematik i ujit, përpjekje në të gjitha fushat", për të përballuar sfidat e përbashkëta të administrimit global të ujit, duke realizuar vullnetin e mirë të bashkëjetesës harmonike ndërmjet njeriut dhe natyrës.
CFP
"Duhet të njohim plotësisht natyrën e kufizuar dhe të pazëvendësueshme të burimeve të ujit të ëmbël e të zbatojmë së bashku detyrimet dhe përgjegjësitë e shfrytëzimit të vazhdueshëm të burimeve të ujit të ëmbël, duke nxitur dhe realizuar kursimin e ujit dhe rritjen e efektivitetit të përdorimit të ujit në bujqësi, kursimin e ujit dhe pakësimin e ujit të ndotur në industri, kursimin e ujit dhe pakësimin e humbjes së tij në qytet, duke rritur në përgjithësi aftësinë dhe nivelin e shfrytëzimit të burimeve ujore. Duhet të njohim plotësisht se burimet ujore, ekologjia ujore e kapaciteti bartës i mjedisit ujor janë të kufizuara, dhe duhet të shtojmë përshtatshmërinë mes kushteve të burimeve ujore dhe strukturës ekonomike e shoqërore, duke bërë përpjekje për të realizuar ekuilibrin ndërmjet ekonomisë e popullsisë dhe mjedisit e burimeve," tha ai.
Ministri i Mjedisit i Danimarkës Magunus Johannes Heunicke është i mendimit se mungesa e burimeve ujore është një ndër sfidat kryesore të botës së tanishme. Për përballimin e sfidave të sigurimit të ujit nevojiten përpjekjet e përbashkëta të vendeve të ndryshme të botës.
CFP
"Jemi të varur nga bashkëpunimi i ndërsjellë, i cili mund të na ndihmojë për teknologji të reja, projekte zgjidhjeje dhe investime. Kjo është arsyeja pse kemi ardhur në Pekin për të bashkuar forcat. Sepse ne e dimë që duhet të ndajmë përvojën, për të garantuar ndarjen e përbashkët të projekteve të zgjidhjes së krizës ujore," u shpreh Heunicke. (Xu Guang)
CFP