Parku kombëtar në rrafshnaltën Qinghai-Tibet
2023-09-12 10:08:36

    I shtrirë në tokën me dëborë, duke frenuar emocionet e tij, Kunga shtypi butonin, duke kapur imazhet e një leopardi bore në mes të maleve të larta të rrafshnaltës Qinghai-Tibet.

    Përvoja e parë e fotografimit të kësaj specieje të rrallë dhe që mezi mund të kapej para pesë vjetësh, mbetet një kujtim i freskët për Kunga, një bari 35-vjeçar me një dashuri të thellë për fotografinë.

Foto:VCG

Parku kombëtar Sanjiangyuan(Foto:VCG)

    Ai është nga qyteza Namse e Prefekturës Autonome Tibetiane Yushu në provincën Qinghai të Kinës Veriperëndimore. Namse në vendburimimin e lumit Lancang është një pjesë e Parkut Kombëtar "Sanjiangyuan" në një lartësi mesatare prej më shumë se 4700 metrash.

    Zona Sanjiangyuan njihet si "depozita e ujit" e Azisë, pasi përmban burimet e lumit Jance, të Lumit të Verdhë dhe të lumit Lancang. Ajo është gjithashtu shtëpia e rreth 70 llojeve të kafshëve të egra nën mbrojtjen e shtetit.

    "Me përmirësimin e ekologjisë, popullata e leopardëve të borës po rritet," tha Kunga. "Ne i trajtojmë leopardët e borës si miq dhe ata nuk tremben më kur na shohin."

    Më parë, rajoni Sanjiangyuan përjetoi degradim të konsiderueshëm ekologjik për shkak të ndryshimeve klimatike dhe aktiviteteve të njeriut, me zhdukjen e liqeneve të shumta dhe një rënie të madhe të numrit të kafshëve të egra.

    Vitet e fundit, situata është përmirësuar në mënyrë të dukshme, falë përpjekjeve të bashkërenduara dhe të pandërprera nga organet e qeverisjes në nivele të ndryshme, institutet dhe punonjësit e bazës.

    Në vitin 2016, Kina themeloi Parkun Kombëtar "Sanjiangyuan" si një projekt pilot.

    Më 1 shtator, hyri në fuqi një ligj historik për mbrojtjen e ekosistemit të brishtë të rrafshnaltës Qinghai-Tibet, i cili pritet të ndihmojë në forcimin e dizajnit të nivelit të lartë të sistemit të mbrojtjes ekologjike për "çatinë e botës".

Parku kombëtar Sanjiangyuan(Foto:VCG)

Parku kombëtar Sanjiangyuan(Foto:VCG)

    "Ligji do të ndihmojë në konsolidimin e mëtejshëm të arritjeve në biodiversitet, ruajtjen e integritetit të ekosistemeve dhe realizimin e bashkëjetesës harmonike të njerëzve dhe natyrës," tha Mu Yonghong, një zyrtar me zyrën e menaxhimit të zonës së lumit Lancang të Parkut Kombëtar Sanjiangyuan. 

    Rritja e biodiversitetit

    Me përpjekje për të përmirësuar vatrat e kafshëve të egra dhe për të ruajtur ekosistemet, popullatat e disa specieve të rralla dhe të rrezikuara janë rikuperuar gradualisht në Sanjiangyuan.

    Popullsia e antilopave tibetiane, një specie nën mbrojtjen kombëtare të kategorisë së parë në Kinë, ishte rritur nga më pak se 20,000 në vitet 90’ të shekullit të kaluar deri në mbi 70,000 në vitin 2021.

    I njohur si "mbreti i maleve të dëborës", leopardi i borës është nën mbrojtjen kombëtare të kategorisë së parë në Kinë dhe është klasifikuar si i rrezikuar të zhduket nga Unioni për Mbrojtjen e Natyrës.

    Ekspertët tani janë të mendimit se popullata e leopardëve të borës në Sanjiangyuan ka arritur në rreth 1200.

    Sipas Sun Lijun, zëvendësdrejtor i zyrës së menaxhimit të Parkut Kombëtar "Sanjiangyuan", është krijuar një kornizë fillestare për mbrojtjen dhe studimin e leopardëve të dëborës, e cila përfshin udhëheqjen e qeverisë, rojet ekologjike si bosht kryesor dhe pjesëmarrjen e gjerë të organizatave joqeveritare.

Imazhi i leopardit të borës i kapur në Parkun kombëtar Sanjiangyuan(Foto:VCG)

Imazhi i leopardit të borës i kapur në Parkun kombëtar Sanjiangyuan(Foto:VCG)

    Një zyrë e menaxhimit të lumit Jance, për shembull, ka formuar një ekip prej 120 anëtarësh, i cili ka monitoruar më shumë se 70 leopardë bore në pesë vjetët e fundit.

    Një sondazh mbi kafshët e egra në Sanjiangyuan, i kryer nga Instituti i Biologjisë të Rrafshnaltës Veriperëndimore pranë Akademisë së Shkencave të Kinës, ka zbuluar se Sanjiangyuan-i ka siguruar ruajtjen e biodiversitetit jashtëzakonisht të pasur dhe zonat e rritjes së shumicës së kafshëve të egra, përfshirë leopardët e borës, janë duke u përmirësuar gradualisht.

    "Të dhënat e shumta të monitorimit demonstrojnë ruajtjen e suksesshme të kafshëve të egra, duke përfshirë leopardët e borës, në rajonin Sanjiangyuan," tha Zhao Xinquan, drejtor i laboratorit shtetëror të ekologjisë dhe bujqësisë e blegtorisë në rrafshnaltë në Sanjiangyuan. "Ky është një rast veçanërisht i rrallë në sfondin e humbjes globale të biodiversitetit dhe ritmit të përshpejtuar të zhdukjes së specieve."

    "Mbrojtja e specieve në Sanjiangyuan është shembullore dhe do të ofrojë frymëzim për Kinën, si dhe për pjesën tjetër të botës," shtoi Zhao.

    Nxitja e ekoturizmit

    Përveç përpjekjeve për të mbrojtur mjedisin dhe kafshët e egra, shumë konte dhe fshatra në Sanjiangyuan kanë filluar të eksplorojnë modelet e tyre të zhvillimit të qëndrueshëm mjedisor bazuar në karakteristikat e tyre.

    Konteja Zadoi në Yushu ka fituar prej kohësh famën si "vendlindja e leopardëve të borës", për shkak që aty mund të shikohet shpesh kjo specie e maceve të mëdha.

Në vitin 2018, qyteza Namse në këtë konte zbatoi në mënyrë pilot një model biznesi ekskluziv për turizmin, duke trajnuar disa barinj për të shërbyer si udhërrëfyes ekologjikë për të pritur turistët. Familja e Yeshe-së u bë një nga 22 familjet e para pritëse.

Parku kombëtar Sanjiangyuan(Foto:VCG)

Parku kombëtar Sanjiangyuan(Foto:VCG)

"Kur isha i ri merresha me tregtinë e kuajve dhe jeta ishte e vështirë, pasi më duhej të udhëtoja në vise të largëta," tha Yeshe, 51-vjeçar. "Tani mund të fitoj të ardhura pa lënë vendlindjen time dhe duke ruajtur malet dhe lumenjtë duke pritur miq nga e gjithë bota."

    Në vitin 2018, Yeshe priti një vizitor amerikan të quajtur David, duke e çuar atë rreth kanionit të madh piktoresk Namse për ditë të tëra. Davidi pati fatin të kapte imazhet e leopardit të borës gjatë udhëtimit.

    “Ai ishte i emocionuar që kishte kapur imazhet e leopardit të dëborës dhe krijoi një pikturë të vendit ku dalloi kafshën e rrallë”, kujton Yeshe. “Më bëri një dhuratë, duke më thënë se, sa herë të më merrte malli për të, mund ta shikoja pikturën”.

    Aktualisht piktura, që zbukuron murin e dhomës së ndenjies të Yeshe-së, është dhuratë e çmuar që i është bërë Yeshe-së nga një mik i huaj. Ata janë ende në kontakt dhe shpesh ndajnë me njëri-tjetrin foto të peizazheve natyrore përmes rrjeteve sociale.

    Në vitin 2022, pushteti vendor ofroi fonde për pesë familje pritëse, duke përfshirë atë të Yeshe-së, për ndërtimin e shtëpive tradicionale prej druri, me pajisje moderne si tualete me ujë dhe banjo. Ky përmirësim jo vetëm që ndihmoi në tërheqjen e më shumë vizitorëve, por gjithashtu rriti ndjeshëm të ardhurat e tij.

    "Turizmi ekologjik ka luajtur një rol të madh në promovimin e zhvillimit të komunitetit dhe mbrojtjen e kafshëve të egra. Me 45 për qind të të ardhurave që shkojnë për kolektivët e fshatit, 45 për qind për familjet pritëse dhe 10 për qind për fondet e shpëtimit të kafshëve të egra, modeli ka arritur vërtet një rezultat të favorshëm për ruajtjen ekologjike dhe ka ndihmuar në përmirësimin e jetës së barinjve," tha Tsewang Dorje, kryetari i Namse-së.

    Për të ofruar shërbime më të mira për turistët, vajza e dytë e Yeshe-së zgjodhi menaxhimin e turizmit si degë të saj në universitet. "Mjedisi ekologjik në vendlindjen time është përmirësuar dhe cilësia e jetës sonë do të përmirësohet," tha Yeshe.

Parku kombëtar Sanjiangyuan(Foto:VCG)

Parku kombëtar Sanjiangyuan(Foto:VCG)

    Në harmoni me natyrën

    "Bashkëjetesa harmonike e njeriut me natyrën është koncepti thelbësor i ndërtimit të parqeve kombëtare të Kinës. Në thelb, koncepti kërkon që ne të kthejmë atë që kemi marrë nga natyra," tha Tian Junliang, zëvendësdrejtor i zyrës së menaxhimit të Parkut Kombëtar "Sanjiangyuan".

    Për të përtërirë mjedisin ekologjik dhe habitatet e kafshëve të egra, autoritetet në Sanjiangyuan kanë iniciuar programe të migrimit ekologjik, duke lëvizur barinjtë jashtë zonave me mjedise të brishta ekologjike dhe duke kufizuar shfrytëzimin e kullotave për të zvogëluar ndikimin e aktiviteteve të njeriut në mjedis.

    Në vitin 2004, të 407 barinjtë nga 128 familje në një fshat që ndodhet në burimin e lumit Jance iu përgjigjën thirrjes së autoriteteve lokale dhe u zhvendosën në periferinë jugore në qytetin Golmud.

    Pas zhvendosjes së të gjithë fshatit, kullotja ka ndaluar në më shumë se 5 milionë mu (rreth 333 333 hektarë) kullota. Si rezultat, ka pasur përmirësime në mjedisin ekologjik të burimit të lumit Jance, me rritjen e ndjeshme të ujit të rezervuar dhe të popullsisë së kafshëve të egra.

    Që nga ndërtimi i Parkut Kombëtar "Sanjiangyuan", Gedun Gyatso, nga afërsia e burimit të Lumit të Verdhë, e ka bagëtitë e familjes të rriten në kooperativat e fshatit. Ky ndryshim e lejoi atë të merrte detyrën e rojtarit me kohë të plotë.

    "Nuk kam pse të ngjitem çdo ditë në mal për kullotjen e deleve. Në fund të vitit marr fitime nga kooperativat e fshatit për bagëtinë time," tha Gedun Gyatso. “Përveç kësaj, si rojtar, kam të ardhura fikse vjetore prej 21 600 juanësh (rreth 2 965 dollarë amerikanë).

Parku kombëtar Sanjiangyuan(Foto:VCG)

Parku kombëtar Sanjiangyuan(Foto:VCG)

    Në Sanjiangyuan ka më shumë se 17 000 roja dhe detyrat e tyre përfshijnë menaxhimin e livadheve, vëzhgimin ekologjik dhe monitorimin e klimës. Duke ruajtur atdheun e tyre të bukur, rojtarët janë bërë një forcë e rëndësishme në ruajtjen e biodiversitetit.

"Unë mund të kem një ndjenjë përmbushjeje nga kontributi në ndërtimin e atdheut tim të bukur, duke ruajtur ekologjinë dhe duke mbrojtur  kafshët e egra," tha Gedun Gyatso.