Foto nga CFP
Presidenti turk Recep Tajip Erdogan ka paralajmëruar për izolimin e Rusisë në diskutimet për krijimin e një versioni të ri të një marrëveshjeje për të lejuar eksportin e grurit ukrainas, shkruan “ATSH”.
“Një proces që përjashton Rusinë në çështjen e grurit nuk ka gjasa të jetë i qëndrueshëm”,- u tha Erdogan gazetarëve pas samitit të G20-s në Indi.
Ai i referohej përpjekjeve për të ringjallur marrëveshjen që lejonte kalimin e sigurt të grurit ukrainas përmes Detit të Zi që Rusia anuloi, duke kërkuar lehtësimin e sanksioneve për të mundësuar eksportet e mallrave të saj.
Marrëveshja origjinale u ndërmjetësua nga OKB dhe Turqia verën e kaluar.
Frika po rritet se nëse nuk rinovohet, kjo mund të thellojë krizën globale të ushqimit.
”Turqia po vazhdon përpjekjet e saj për të ndërmjetësuar”, tha Erdogan, duke shtuar se një rifillim ishte mjaft i mundshëm.
Rusia e ndërpreu marrëveshjen në korrik, duke i dhënë fund kalimit të sigurt të grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi të Odessa, Chornomorsk dhe Pivdenny.
Marrëveshja origjinale përfshinte një marrëveshje me Rusinë për të lehtësuar eksportin e produkteve ruse të ushqimit dhe plehrave.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, po ashtu deklaroi se dëshiron që marrëveshja të ringjallet, duke i bërë disa lëshime Rusisë. (Fatosi)