Ekonomitë e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pritet të rriten me 0.8% më ngadalë sesa pritej këtë vit, për shkak të inflacionit të vazhdueshëm të lartë, bëri të ditur Komisioni Evropian në parashikimin e tij tremujor, të publikuar të hënën njofton “ATSH”.
Komisioni fillimisht kishte parashikuar rritje prej 1% për vitin 2023 të ekonomisë së vendeve të BE-së. Në deklaratë thuhet se parashikimi për vitin 2024 është rishikuar në 1.4% nga 1.7% që ishte më parë.
Shifrat për 20 vendet e BE-së që janë në Eurozonë do të kenë gjithashtu një rritje më të ngadaltë nga sa pritej.
Sipas KE-së, ngadalësimi është shkaktuar nga një kërkesë e dobësuar për shkak të normave të vazhdueshme të larta të inflacionit.
“Ekonomia e BE-së ka pësuar dy goditje masive me pandeminë dhe konfliktin Rusi-Ukrainë. Shkalla shumë e lartë e inflacionit ka shkaktuar dëme”, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis.
“Pavarësisht rritjes më të ngadaltë ekonomike, tregu i punës i BE-së është jashtëzakonisht i fortë. Konflikti Rusi-Ukrainë, normat e larta të interesit, inflacioni i vazhdueshëm dhe ndikimet ekonomike të ngjarjeve ekstreme të motit, të shkaktuara nga ndryshimet klimaterike, vazhdojnë të përbëjnë rreziqe për ekonominë e bllokut”,- bëri të ditur KE-ja. (Fatosi)