Rusi, Medvedev: Të pezullohen marrëdhëniet diplomatike me BE-në
2023-09-12 12:27:01

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ish-presidenti rus, Dmitri Medvedev, nënkryetar aktual i Këshillit të Sigurimit Kombëtar, propozoi pezullimin e marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Evropian, shkruan “ATSH”.

Përmes një postimi në “Telegram”, ai akuzoi drejtuesit e BE-së për cilësimin e rusëve si qytetarë të dorës së dytë.

Deklarata e tij pason prononcimet në medien ruse, sipas të cilave, në bazë të sanksioneve evropiane në fuqi prej disa kohësh, qytetarëve rusë që udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian nuk u lejohet të kenë me vete një serë produktesh, madje as nuk mund të udhëtojnë me makina me targa ruse.

“Ata u thonë të gjithë rusëve, drejtpërdrejt dhe pa hezitim, “ju jeni qytetarë të dorës së dytë për ne”. Pra, sanksionet evropiane nuk janë të drejtuara kundër Kremlinit. Ato janë një shuplakë për çdo qytetar rus”, shkroi Medvedev, duke theksuar se nuk do të vendosen kufizime si hakmarrje ndaj qytetarëve evropianë, por thjesht duhen pezulluar marrëdhëniet diplomatike me BE-në. (Fatosi)