Eksportuesit i kërkojnë qeverisë të ndërhyjë në politikat monetare
2023-09-11 10:26:22

Eksport (Foto syri.net)

Përballë luhatjeve të kursit të këmbimit, eksportuesit paralajmërojnë shkurtim të punonjësve dhe protesta nëse nuk merren masa nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë për të ndërhyrë në politikat monetare të vendit. Në një bilanc të parë të humbjeve në fillim të vitit, ku llogariten në vlerën e 7,7 milionë Euro, diferenca është thelluar gjithnjë e më tepër, duke arritur në qershor shifrën e 34,8 milionë eurove. Pas një situate të vështirë të rekrutimit të punonjësve, sipërmarrësit e kompanive eksportuese, e konsiderojnë shkurtimin e punonjësve si një hap të parë drejt falimentimit. Nëse niset me shkurtim punonjësish, pasojat sociale do të jenë të mëdha pasi ky sektor angazhon në punë një numër të lartë qytetarësh.

Thirrjet janë për të gjetur një zgjidhje mes disa institucioneve dhe aktorëve.

“Po flasim për sektorë eksportues që kanë mbi 200 mijë të punësuar, po flasim për eksportues dhe  eksporti e bën ekonominë e vendit dhe këtu që në vitet e para të demokracisë e deri më sot nuk ka patur një politikë të theksuar ose një mbështetje të theksuar për eksportuesit. Por nga ana tjetër ajo që kemi kërkuar edhe për reformat institucionale është që të krijohet bashkëpunimi i Bankës së Shqipërisë dhe shoqatave të eksportuesve për të krijuar një tavolinë teknike dhe për të arritur të paktën në një analizë dhe për të arritur në atë që një vend që aspiron për të hyrë në komunitetin evropian, që aspiron të ketë forcën e saj ekonomike në ekonominë botërore, patjetër duhet një bashkërendim dhe bashkëpunim. Duhet ta shohim njëri tjetrin, institucionet, bizneset, shoqatat si bashkëpunëtorë, se nuk është halli i vetëm një personi por i të gjithëve së bashku”- u shpreh  Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës “Pro Eksport Albania”

Shoqata e eksportuesve (Foto Panorama)

Perfaqësues të bizneseve thonë se tashmë i kanë dorëzuar në tryezë autoriteteve përkatëse, zgjidhjet ligjore që propozojnë, duke u bazuar në këshilla të ekspertëve.

“Problematikat tona kur kemi qenë në tavolina me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë, problemi ka qenë që shumë probleme, shumë zgjidhje që kemi kërkuar ne ose shumë alternativa që kemi dhënë ne na rrinin të pabaza, sepse nuk ishin të mbështetura në ligj dhe në arsye të tjera. Ne e pamë të nevojshme të kërkojmë ndihmë tek specialistët më të mirë shqiptarë. Po ashtu u kemi drejtuar një letër tre institucioneve ndërkombëtare që janë në Shqipëri që gjithë ato eksperienca që kanë hasur me vendet e tjera në zhvillim siç është Shqipëria, të na i japin dhe të ulemi bashkë dhe të zgjidhim këtë problem. Këtu nuk flitet për të zgjidhur problemin e euros në vetvete, që e kanë eksportuesit. Këtu flitet që ekonomia shqiptare të fillojë të hyjë në shina të rregullta për sa i përket anës fiskale dhe monetare.”- deklaruan përfaqësuesit e Zyrës së Unifikuar të Bizneseve të Eksportit.

Teksa bëri një bilanc të humbjeve, Florjan Zekja, koordinator “Pro Eksport ”, thotë se deri tani masat e marra nuk po frenojnë efektin negative dhe se monedhës kombëtare nuk po i jepet pesha e duhur.

Fabrikë(ballkanweb)

“Çdo vit kemi patur me rënie mesatare prej 6% këtë vit kemi patur 16%. Po të shohim grafikun është një grafik në rënie, në pikiate. Kështu që kemi parë lëvizjet e bankës që janë për t’u përgëzuar por nuk janë shteruese, nuk zgjidhin situatën. Fondi i depozitave nga 200 milionë euro në vit e çoi në 300 milionë euro, janë 100 milionë. Këtë mekanizëm po mundohet për ta përdorur për të zbutur problematikën e rënies së euros. Janë mekanizma që nuk e zgjidhin situatën. Ju po ta shihni në statistikat tuaja 55-60% e transaksioneve në vlerë bëhen në euro. Kjo do të thotë se monedha shqiptare nuk është më monedhë kombëtare. Monedhë kombëtare është euro, përderisa ne ulemi nga avioni, makinat i marrim me qira në euro, restorantin, hotelin, pronat i paguajmë në euro. Aktivitetet në euro dhe do të thotë se vlera e monedhës kombëtare është shumë e vogël, kjo është praktikë që ka sjellë këtë çrregullim. Po të shohim vendet si Shqipëria në zhvillim, për shembull në Serbi nuk ke shans të paguash në euro, por monedhë kombëtare. Në bullgari nuk ke shans të paguash në euro, pavarësisht se është pjesë e komunitetit europian. Do të thotë që këto vende kanë një strategji dhe një politikë monetare shumë më të kontrolluar dhe normalisht kur të jetë çdo gjë e kontrolluar dhe mekanizmat e Ministrisë së Financave apo të Bankës së Shqipërisë janë efikase pastaj.”- tha Zekja.

Kërkesa e tyre i është drejtuar kryeministrit Edi Rama, guvernatorit të Bankës, Gent Sejko dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.