Vitore Stefa Leka, një humaniste në mbështetje të emigrantëve
2023-09-11 10:18:38

Vitore Stefa Leka ne interviste per CMG

Vitore Stefa Leka ka një jetë që merret me veprimtari atdhetare në emigracion. Gjatë jetës në emigrim ajo ka privuar shumë nga jeta e saj në interes të komunitetit shqiptar në Itali dhe më gjerë. Vitorja ka lindur në Tiranë nga dy prindër intelektualë, Kostaq dhe Eleni Stefa dhe prej 32 vitesh jeton në Trieste të Italisë. Ajo e viziton shpesh Shqipërinë dhe merr pjesë në organizime të ndryshme artistike dhe kulturore. Para pak kohësh në Tiranë u promovua libri “Gjurmë perlash mbi shkëmb” një monografi e shkruar nga gazetarja Kozaeta Zavalani, që i dedikohet veprës së Vitore Stefa Lekës. Në intervistë për  Radio Ejani Vitorja tregon për jetën e saj në emigracion, mbështetjen që ka dhënë për emigrantët si dhe mallin për vendlindjen.

CMG: Si u larguat nga Shqipëria dhe si u vendosët në Trieste të Italisë?

Vitore Stefa Leka: Unë jam emigrante si të gjithë emigrantët, kam 32 vjet që jetoj jashtë vendit dhe jam nga emigrantet e para. Çdo njeri që është jashtë e kupton se çfarë do të thotë fjala emigrant, e cila na ka ndjekur kur dëgjonim dhe lexonim Çajupin, Naimin dhe të tjerë, që i recitonim si vjersha. Ndërsa tani i ndjejmë në kocka ato gjërat që ata kanë shkruar. Unë emigrova në Trieste dhe nuk ju ndava këtij qyteti sepse kishim një mikëpritje të jashtëzakonshme.

CMG: Kaq shumë ju ka pëlqyer qyteti i Triestes që nuk jeni larguar prej tij?

Vitore Stefa Leka: Unë kam lëvizur për qejf në qytete të tjera, por për banim kam qëndruar aty, jo vetëm unë por dhe shumë të tjerë. Trieste është një qytet i mrekullueshëm, që t’i plotëson të gjitha kushtet siç janë ndihma sociale që mos të mungojë asgjë. Ne ju ndjekim dhe atje ku jetojmë, ndjekim në përgjithësi çdo gjë që ka të bëjë me Shqipërinë tonë. Unë nuk kam lëvizur nga Trieste sepse janë kujtimet e para, vajtja e parë në Trieste, aty është historia e Ismail Qemalit dhe shumë ndërtesa historike, plus që kemi afër edhe Slloveninë ku dhe atje kemi nga historia jonë.

Gazeta italiane qe ka shkruar per Vitoren

CMG: Sa punë është bërë gjatë këtyre viteve për mësimin e gjuhës shqipe fëmijëve të emigrantëve shqiptarë?

Vitore Stefa Leka: Unë sot jam e tërhequr dhe jam e nderuar, respektuar në çdo festë që marr pjesë në të gjithë shoqatat kudo që janë. Gjermania, Zvicra dhe shtetet e tjera kanë ecur më përpara në këtë drejtim. Në Zvicër është Bora Kuçi Leka, e cila është një vajzë që ngriti shkollën e parë shqipe në Bernë. Ajo ka bërë një punë të madhe me fëmijët e vegjël. Unë kam qenë vetë e ftuar atje dhe dua të falenderoj edhe Z.Ilir Gjoni ambassadori ynë, i cili ka qëndruar afër dhe i ka ndihmuar vazhdimisht. Unë kam ngelur pa mend kur dëgjoja fëmijët që flisnin një shqipe të pastër. Gjithashtu edhe në Gjermani një punë të madhe në këtë drejtim ka bërë e mrekullueshmja Alida Hisku. Alida ka qenë te shoqata jonë “Nermin Vlora Falaski:” për zonën e Gjermanisë, ku gjëja kryesore e saj ka qenë preokupimi për gjuhën shqipe aty ku jeton.

Kështu që jemi kombinuar me njëri-tjetrin, ku janë ngritur klasa plotësuese për gjuhën shqipe. Edhe Mardena Kelmendi në Trieste ka bërë një punë të mirë me shoqatën e saj “Ecim së bashku”, ku kishte shqiptarë nga të gjitha trevat tona, por dhe italianë. Kjo shoqatë tani vazhdon me një emër tjetër “Arbëria”, ku në kryesi janë të rinj që bëjnë një punë të madhe dhe kanë hapur gjuhën shqipe. Kjo është një gjë e madhe që është edhe në Trieste, që unë më përpara e bëja në shtëpi. Në vitin 1994 unë i mblidhja në shtëpinë time fëmijët, duke ju mësuar gjuhën shqipe në atë formë sepse ishte fillimi. Dua të falenderoj dhe amabsadorin tonë në Slloveni i cili më ndihmoi me libra jo vetëm mua, por të gjithë nëpërmjet shoqatave sepse kishim lidhje me shoqatën “Iliria” në Slloveni, një shoqatë e dëgjuar, e kompletuar me skuadër futbolli dhe trupë baleti. Kjo ishte një gjë e madhe që të flitej shqip për herë të parë në Slloveni.

Vitore Stefa Leka me ish Presidentet Alfred Moisiu dhe Rexhep Mjedani 

CMG: Gjatë gjithë jetës tuaj në emigacion keni dhënë një mbështetje të madhe për shqiptarët në emigrim, dhe për këtë kontribut jeni vlerësuar me mjaft tituj dhe çmime. Si jeni ndjerë kur keni marrë këto vlerësime?

Vitore Stefa Leka: Kur u vlerësova nga ish Presidenti Z.Alfred Moisiu për punën time në emigracion dhe ndihmesat për emigrantët u ndjeva mirë, por unë këtë gjë nuk e kam bërë se do të vinte një ditë që duhet të vlerësohesha me këto medalje apo dhe disa të tjera që kam marrë nga Zvicra dhe pothuajse gjithë Europa. Vlerësimi më i madh për mua ka qenë kur më ftuan para 10 vitesh për të dërguar një grup shqiptarësh në Argjentinë, dhe ata folën atje për mua. Unë nuk shkova sepse vuaj nga diabeti dhe nuk më lejoi doktori të udhëtoja., Megjithatë jam e nderuar atje sepse çova një grup futbollistësh, ku një pjesë e tyre ishin nga Vlora, dhe njëri prej tyre kishte folur atje për mua. Kjo ishte kënaqësia ime e madhe sepse nuk e dija se çfarë bëra për t’u vlerësuar kaq shumë. Kur mora vlerësimin nga Alfred Moisiu pata shumë emocione dhe mendoja se çfarë kam bërë  për të marrë një vlerësim të tillë, sepse këtë që kam bërë unë e bën çdo shqiptar. Duhet të jesh jashtë vendit për të kuptur këto fjalë që them unë sesa dhemb atdheu dhe sesa është dashuria për njëri-tjetrin.

CMG: Para pak kohësh është promovuar në Tiranë një libër monografik i shkruar nga gazetarja Kozeta Zavalani, që ju kushtohet. Si erdhi ky botim për jetën dhe veprimtarinë tuaj në emigracion?

Vitore Stefa Leka: Jam befasur më këtë libër. Kozeta ishte pjesë e Fondacionit “Nermin Vlora Falaski” dhe ishim mikesha. Unë isha përfaqësuese e këtij fondacioni për diasporën, ku formuam degët e shoqatës për rolin e femrës shqiptare në shoqërinë civile. Ky ishte motivi i këtij fondacioni, që me largimin nga jeta të Zenepe Lukës mori fund. Kemi në fondacion Vllasova Mustën që është një emër i dëgjuar dhe mund ta vazhdonte ajo me Kozetën dhe të tjerë, por Zenepja e mbante në këmbë fondacionin, ku ne në çdo pjesë të Europës kemi qenë me artistë të mëdhenj. Kozetën e kam njohur në këto aktivitete dhe sigurisht që u afruam si mike. Ajo e bëri këtë libër monografik dhe jam befasuar sepse nuk është bërë me marrëveshje. Dua ta falenderoj Kozetën sepse me iniciativën e saj mblodhi të gjitha materialet për botim që nga viti 1990, duke filluar me falenderimet nga gjithë bota, opinione të ndryshme i mblodhi në bashkëpunim me një nga piktorët më të mëdhenj që ne kemi dhe është i shkëlqyer Vlash Droboniku i cili jeton në SHBA. Ai bëri kopertinën e librit dhe figurat brenda tij.

Vitore Stefa Leka me mikeshat e saj ne Tirane

Gjate promovimit te librit monografik ne Akademine e Shkencave

Kur më njoftoi Kozeta për promovimin që u zhvillua te Akademia e Shkencave ishte një kënaqësi, një befasi por dhe një lumturi e brendshme, se si u ndjeva sepse ishte vërtetë një kënaqësi e madhe atë ditë të promovimit që më la mbresa të jashtëzakonshme. Emocione dhe një kënaqësi e veçantë, që më tepër kur flitej edhe për nënën time, mësuesen e popullit Eleni Stefa si dhe për babain i cili u vlerësua mbrapa.

CMG: Pas pushimeve në Shqipëri do të ktheheni sërish në Trieste, ku besoj keni mjaft gjëra të bukura për t’u treguar miqve tuaj atje.

Vitore Stefa Leka: Mezi po presin për përshtypjet dhe se çfarë do të çoj unë atje jo vetëm familjarët, por dhe atë që vijnë rrallë në Shqipëri për arsye pune. Unë mbi të gjitha do të çoj këto bukuritë natyrore, sepse unë shikoj një ndryshim që më bëhet zemra mal sa herë që vij në Shqipëri.

Këtu është një bukuri, si Tirana, Durrësi, por dhe zonat e veriut ku pashë dhe një restorant të mrekullueshëm i bërë në majë të malit nga një emigrant i kthyer në Shqipëri.

Unë vetëm gjërat e bukura që pashë në Shqipëri do të çoj në Trieste, dhe që e pashë Shqipërinë time, Tiranën time kaq të bukur të mbushur me turistë nga e gjithe bota. Fjalët e mira do të çoj atje në mes të emigrantëve, që mendjen dhe zemrën e kanë këtu.

Intervistoi: Gazmend Agaj