Papa Francesku (Foto Atsh)
Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, hodhi poshtë përpjekjet e Kishës Katolike për ndërmjetësim midis Ukrainës dhe Rusisë, duke thënë se papa Françesku ishte pro-rus, gjatë një interviste televizive, citon “ATSH”.
Për muaj të tërë, Vatikani është përpjekur që të rifillojë bisedimet mes dy vendeve, me ndihmën e një këshilltari të posaçëm.
Podolyak po i referohej fjalimit të papa Françeskut drejtuar të rinjve rusë në fund të gushtit, kur ai foli për nënën e madhe Rusi dhe ish-perandorët rusë, Pjetri i Madh dhe Katerina II, që sipas disa vëzhguesve, dukej se lavdëronin imperializmin rus.
“Nuk ka kuptim të flitet për një ndërmjetës nën emrin e papës romak, kur ai merr një pozicion pro-rus që është i dukshëm për të gjithë”,- tha këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Kjo ka një efekt jashtëzakonisht negativ. Ne nuk shohim një vlerësim të drejtë të këtij konflikti nga Vatikani”, shtoi ai.
Vatikani emëroi kardinalin Matteo Zuppi si të dërguarin special për luftën në Ukrainë. Ai ka udhëtuar në të dy kryeqytetet e palëve ndërluftuese.
Papa Françesku ka bërë thirrje vazhdimisht për një zgjidhje paqësore të konfliktit gjatë paraqitjeve publike.
Megjithatë, ai nuk e ka përmendur drejtpërdrejt Rusinë si agresore në raste të tilla, duke ngjallur kritika në Ukrainë. (Fatosi)