Divjake - foto birdingplaces.eu
Divjaka është një mbretëri natyrore që mund të vizitohet në çdo ditë të vitit. Ajo preferohet për turizmin detar, natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë.
Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë. Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që tërheqin turistët, të cilët duken si të magjepsur nga natyra e mrekullueshme. Çdo ditë të këtij sezoni e sidomos çdo fundjavë me dhjetra vizitorë vendas e të huaj, vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që kanë zbritur kohët e fundit dhe vazhdojnë të zbresin në këtë park të mbrojtur më së miri nga moratorium i gjuetisë dhe pylli i dendur.
Gjatë sezonit turistik në këtë park ofrohet një guidë prej 5 km, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut. Vendet më të preferuara nga vizitorët janë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku jeton Pelikani, por edhe shpendë të tjerë dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen Flamingot dhe Rosat e Egra.
Në fakt Divjaka bën pjesë në një zonë më të gjërë, në atë të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, e cila përfaqëson një zonë të mbrojtur në vijën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore. Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995.
Manastiri i Ardenices - foto Atsh
40 minuta me makinë dhe nga Divjaka mbërrin në Ardenicë, ku përpara të shfaqet një Manastir i mrekullueshëm. Manastiri, i ngritur në pikën më të lartë të kodrave të fshatit vizitohet nga shumë turistë vendas dhe të huaj. Kjo zonë listohet në guidat turistike shqiptare, ndaj është kthyer në vendqëndrim për ata që udhëtojnë drejt jugut. Vizitorët e ardhur gjatë muajit korrik dhe gusht janë nga Polonia, Franca, Italia, India dhe Kina.
Manastiri i Ardenicës është zona kryesore turistike për Lushnjën. Kisha dhe afresket e saj janë të vetmet objekte ku lejohet hyrja, pasi zona ku qëndrojnë murgjit është e ndaluar. Për shkak të pozicionit gjeografik në lartësinë e kodrave, nga maja e saj aty ku ndodhen disa restorante, turistët qëndrojnë jo vetëm për të drekuar, por edhe për të parë fushën e Myzeqesë.
Manastiri përmban disa faza ndërtimi, më e vjetra duhet t’i përkasë periudhës bizantine. Ai ka formën e një trekëndëshi, me sipërfaqe prej rreth 2500 m2. Kisha e Shën Mërisë, në brendësi të Manastirit, përmban afreske të mrekullueshme të vëllezërve Kostandin dhe Athanas Zografi.
Manastiri i Ardenices - foto ABC
Së bashku me vlerat arkitektonike dhe historitë e tij, sot, manastiri i Ardenicës shërben si një muze i hapur për të gjithë. Të tjera ambiente janë edhe kapela e shën Triadhës, hajatet, këmbanorja, mbishkrimet, spoliet dhe relievet antike të murosura.
Dëshmi tjetër, për rëndësinë e këtij manastiri është dhe e dhëna burimore se në altarin kishës së Manastirit të Ardenicës, është bërë edhe kurorëzimi i martesës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut me Donika Arianitin, në vitin 1451, në prani të princave shqiptarë dhe ambasadorëve të Napolit, Venedikut, Raguzës.
Po kështu nga Ardenica mund të shihen lehtësisht edhe Dajti, mali i Tomorrit, malet e Labërisë, bregdeti i Adriatikut, laguna e Karavastasën dhe gjithë Myzeqeja. Të gjitha këto e bëjnë manastrin një vend të vizituar edhe për turizmin shplodhës dhe argëtues, vlerat e të cilit ia shton edhe pylli halor dhe ullishtat që ndodhen në bregoret përrreth tij. I tillë ka qenë dhe mbetet manastiri i Ardenicës, një vend pelegrinazhi jo vetëm fetar, por edhe historik dhe kulturor.
Apolonia- foto panorama
Ndërsa ndalesa e tretë është Apolonia. Një nga takimet më mbresëlënëse me historinë që mund të keni në Shqipëri është në qytetin antik të Apolonisë, themeluar në shekullin e gjashtë para Krishtit. I ndërtuar në tokat e Taulantëve Ilirë nga kolonizatorë grekë, qyteti ishte më i rëndësishmi nga mbi 20 qytetet në të gjithë Mesdheun që merrnin emrin e perëndisë së muzikës dhe poezisë, Apolon.
Rrënojat dhe monumentet e qytetit, që në kulmin e lulëzimit të tij numëronte plot 60 mijë banorë e për të cilin shkruante dhe Ciceroni, janë një nga atraksionet më të rëndësishme turistike në Shqipëri.
Pozicionimi strategjik i parkut me pamje mbi fushën e Myzeqëse dhe tej horizontit, aty ku qielli takohet me detin Adriatik, e bëjnë rrugëtimin në Apoloni një përvojë plot emocione që do të lënë gjurmët e tyre.
Divjakë-Ardenicë-Apoloni, është një destinacion që mund te preket brenda një dite. Nga gaforrja blu e pelikani kaçurrel, tek mistikja e kishave dhe arkeologjisë! Një itinerar tepër interesant, që ka tëhequr shumë turistët që kësaj vere kanë eksploruar vendin tonë.
Neritana Kraja