Kryeministri kinez: Zhvillimi i Kinës, mundësi e jo kërcënim për Evropën
2023-09-11 12:00:44

Zhvillimi i Kinës përbën një mundësi e jo kërcënim për Evropën, theksoi kryeministri kinez Li Qiang të dielën gjatë takimit me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel në Nju-Delhi të Indisë, ku të dy udhëheqësit ndodheshin për të marrë pjesë në samitin  e 18-të të G20-s.

"Qoftë tani, apo edhe në të ardhmen, Kina është dhe do të jetë një mike dhe partnere e besueshme e Evropës," tha Li, duke shtuar që nuk ka asnjë konflikt gjeopolitik, madje as edhe konflikt thelbësor interesash, ndërmjet Kinës dhe Evropës.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kina është e gatshme të punojë me Evropën për të forcuar dialogun e negociatat dhe për të diskutuar krijimin e mekanizmave përkatës për të promovuar besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e marrëdhënieve ekonomike-tregtare ndërmjet Kinës dhe Evropës, tha Li, duke mirëpritur më shumë biznese evropiane për të investuar në Kinë.

Kina dhe Evropa janë dy forca, tregje dhe qytetërime kryesore në botë, prandaj marrëdhëniet mes tyre kanë ndikim në qëndrueshmërinë globale  dhe lulëzimin e kontinentit euroaziatik, theksoi kreu i qeverisë kineze.

Ai shtoi se Kina shpreson të shohë një Evropë të begatë e të qëndrueshme dhe është e gatshme të punojë me palën evropiane për të qëndruar e përkushtuar ndaj partneritetit të tyre, për të forcuar më tej dialogun e shkëmbimet, për të thelluar bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë dhe për të trajtuar siç duhet çështjet e ndjeshme, duke  promovuar zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-Evropë dhe duke i sjellë qëndrueshmëri e energji pozitive botës së trazuar.

Li vuri në dukje se të dyja palët duhet të forcojnë udhëzimet strategjike. Ndërsa ky vit shënon 20-vjetorin e partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-BE, kryeministri kinez tha se po pret me padurim të bashkëkryesojë raundin e ri të samitit Kinë-BE me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Michel, nga ana e tij, tha se BE-ja është e gatshme të jetë një mike dhe partnere e sinqertë, e besueshme dhe konstruktive e Kinës, duke shtuar që një Kinë e begatë është në të mirë të BE-së e të botës në tërësi dhe BE-ja nuk ka ndër mend të frenojë zhvillimin e Kinës.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ai u shpreh gjithashtu se BE-ja i përmbahet parimit të "Një Kine" dhe është e gatshme të punojë me Kinën për të organizuar një samit të suksesshëm BE-Kinë, për të thelluar dialogun e bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe për të trajtuar së bashku sfidat globale si ndryshimi i klimës, shëndeti publik, siguria dhe qëndrueshmëria, shtoi ai.

Në fjalimin e tij të mbajtur po të dielën në sesionin e tretë të Samitit të 18-të të G20-s, Li Qiang u bëri thirrje vendeve të G20-s ta vendosin zhvillimin në qendër të koordinimit të makropolitikave

"Çështja më urgjente aktualisht është zhvillimi," theksoi Li Qiang. Duke vënë në dukje se tema e sesionit ishte "Një e ardhme", ai tha se dëshira për një të ardhme më të mirë e ka çuar gjithmonë njerëzimin përpara.

Bota po kalon një periudhë të vështirë zhvillimi kompleks dhe të paqëndrueshëm, dhe ndërsa vështirësitë intensifikohen, ekziston një nevojë gjithnjë e më e rëndësishme për të forcuar besimin dhe për të rritur pritshmëritë për të ardhmen, shtoi ai.

"Vetëm duke bërë një punë të mirë në të tashmen mund të kemi një të ardhme të mirë," tha Li, duke i bërë thirrje G20-s të luajë një rol shembullor.

Duhet të bëhen përpjekje për të krijuar një mekanizëm bashkëpunimi më pragmatik dhe veprime konkrete për të mbështetur vendet në zhvillim në përballimin më të mirë të sfidave si ulja e varfërisë, financimi, ndryshimet klimatike dhe siguria e ushqimit dhe energjisë, tha kryeministri kinez.

Ai gjithashtu bëri thirrje për praktikimin e multilateralizmit të vërtetë, formimin e partneriteteve për zhvillimin global dhe krijimin e një mjedisi ndërkombëtar të sigurt dhe të qëndrueshëm për zhvillimin e përbashkët.

Sipas liderëve të tjerë që folën në takim, G20-a duhet të tregojë përgjegjësi, të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar, të nxisë zhvillimin gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe me njeriun në qendër dhe të sigurojë që aplikimi i teknologjive digjitale, si inteligjenca artificiale, të shtojë mirëqenien njerëzore.