G20, konsensus i plotë dhe real për çështje në të cilat Kina është e angazhuar totalisht
2023-09-11 15:20:30

Midis datave 9 – 10 shtator 2023 u zhvillua në Nju Delhi Samiti i radhës i G20-s, që përbëhet nga 19 vende - Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Republika e Koresë, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Këto shtete dhe federata përfaqësojnë rreth 85% të GDP-së globale dhe më shumë se 75% të të gjithë volumit tregtar në shkallë botërore. Në këto shtete dhe federata jetojnë më shumë se 68% e banorëve të globit.

CFP

CFP

Ky samit u parapri nga disa veprimtari të tilla si: Takimi i Ministrave të Kulturës, Takimi për Tregtinë dhe Investime, Takimi i Grupit të Kulturës, Takimi për Ekonominë Digjitale dhe Takimi për Çështjet e Shëndetësisë i vendeve anëtare.

Kina u përfaqësua në këtë takim në një nivel shumë të lartë me kryeministrin e saj Li Qiang, që në fjalimin e tij me këtë rast paraqiti qëndrimet, propozimet dhe veprimtaritë konkrete të Kinës në nxitjen e paqes afatgjatë dhe lulëzimn e vazhdueshëm të botës në kuadër të Nismës së Zhvillimit Global, Nismës së Sigurisë Globale, Nismës së Qytetërimit Global, Ndërtimit të Komunitetit me Fate të Përbashkëta për Njerëzimin, Projektin me përmasa madhështore “Një brez, një rrugë”, etj., të propozuara prej kohësh nga Presidenti i Kinës, Xi Jinping. 

Takimi i radhës së G20 kishte si temë kryesore konceptin “Bota është një familje”, që rrjedh nga fraza sanskrite “Vasudhaiva Kutumbakam” dhe kjo është veçanërisht e vërtetë duke pasur parasysh luftën e ekonomisë globale kundër paqëndrueshmërisë së zinxhirëve të furnizimit, që ka ardhur si rezultat i shkallës së lartë të proteksionizmit, në një botë gjithnjë e më të fragmentuar e të rrënuar nga politikat aktuale ekonomike globale, që dukshëm duhet të reformohen.

Në fakt, përgjatë tërë periudhës midis takimit të fundit të G20 e deri në ditët e samitit të New Delhit, bisedimet e palëve janë përqendruar në aspektet e dhënies së më shumë kredive për vendet në zhvillim, reformimin e arkitekturës së borxhit ndërkombëtar, rregulloret mbi kriptomonedhën dhe ndikimin e pasigurive gjeopolitike në cilësinë, sigurinë dhe garancinë ushqimore, etj., duke patur parasysh zgjedhjet e qëndrueshme dhe të përgjegjshme për mbrojtjen e mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, përmirësimin e stilit të jetesës si në aspektin individual, ashtu dhe në aspektin kolektiv për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social, kulturor, ligjor, teknologjik, mjedisor, sportiv, etj., në kuadër së ardhmes së gjelbër. 

Në këtë këndvështrim u paraqit edhe mesazhi në fjalimin e kryeministrit kinez, Li Qiang në Samit, në të cilin ai u kërkoi të gjitha vendeve “të respektojnë njëri-tjetrin, të kërkojnë gjuhën e përbashkët duke i lënë mënjanë dallimet, pasi G-20 ka nevojë për unitet. në vend të ndarjes, bashkëpunim në vend të konfrontimit dhe përfshirje në vend të përjashtimit” dhe u kërkoi vendeve anëtare që t’i përmbahen aspiratës origjinale për bashkim dhe bashkëpunim dhe të marrin përgjegjësinë e kohës për paqe dhe zhvillim. “Anëtarët e G20-ës duhet të jenë partnerë në nxitjen e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore, bashkëpunimin e hapur global dhe zhvillimin e qëndrueshëm të botës”, tha ai.

Tema specifike të takimit ishin bujqësia, antikorrupsioni, kultura, ekonomia digjitale, reduktimi i rrezikut nga fatkeqësitë dhe katastrofat, zhvillimi, arsimi, punësimi, mjedisi dhe qëndrueshmëria klimatike, energjia e rinovueshme, shëndeti, tregtia, investimet, turizmi, etj.

Ky samiti zhvillohet kur ekonomia globale po shfaq vështirësi në ruajtjen e ritmeve të rritjes dhe zhvillimit, duke patur përherë e më shumë vështirësi në menaxhimin e qëndrueshmërisë, dhe kjo përballë sfidave të konflikteve rajonale, ndryshimeve klimatike, zhvillimeve të pakontrolluara në sektorët financiarë dhe teknologjitë digjitale, menaxhimin e mbetjeve, etj.

Delegacioni kinez vajti në Indi me shpresën dhe besimin se takimi do të ndihmojë në ndërtimin e konsensusit, për të dërguar një mesazh besimi në botë, për të promovuar prosperitetin dhe zhvillimin dhe për të ndihmuar në forcimin e rimëkëmbjes ekonomike globale dhe kjo jo rastësisht.

Kina mbështet qëndrimin e saj në synimin për të forcuar bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, formatimin korrekt dhe forcimin e pandalshëm të arkitekturës së qeverisjes globale, nisur nga parimet e gjithëpërfshirjes, përshpejtimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes ekonomike, transformimit teknologjik dhe përmirësimit në vazhdimësi të infrastrukturës publike digjitale, krijimin, forcimin dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së institucioneve ndërkombëtare, balancimin gjinor, fuqizimin e rinisë dhe rritjen e rolit të gruas në arenën globale, etj., duke patur parasysh se Kina është një ndër avokatet më të forta të multilateralizmit dhe transnacionalizmit, që janë dy orientime mjaft të përshtatshme dhe që shkojnë mjaft mirë me njëri tjetrin si një qasje teorike dhe praktike unikale përballë sfidave globale, në kushtet e sotme dhe të së ardhmes së botës e banorëve të saj.

Për këtë Kina ka propozuar prej kohësh krijimin e një partneriteti global zhvillimi, krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm ndërkombëtar, për zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës drejt prosperitetit të përbashkët duke rritur solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për të promovuar rritje të përbashkët globale dhe për të adresuar së bashku sfidat me të cilat përballet bota.

Xinhua

Xinhua


Në këtë samit, për herë të parë pas krijimit G20 u zgjerua me pranimin si anëtar të përhershëm Bashkimin Afrikan, një konfederatë e 55 shteteve afrikane. Ishte Kryeministri i Indisë Narendra Modi, që njoftoi vendimin, duke deklaruar se G20-ta kishte arritur një konsensus mbi një deklaratë të liderëve të saj, ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, deklaroi se ishte pikërisht Kina ajo që ka shprehur mbështetje të madhe për çështje të ndryshme të trajtuara në samit, përfshirë edhe ftesën për Bashkimin Afrikan.

Ky samit vjen në një kohë kur më shumë se 100 vende dhe organizata ndërkombëtare kanë shprehur mbështetjen dhe i janë bashkuar publikisht propozimeve të Presidentit të Kinës Xi Jinping për Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale, Nismën për Qytetërim Global, Ndërtimit të Komunitetit me Fate të Përbashkëta për Njerëzimin, Projektit “Një brez, një rrugë”, dhe kjo tregon largpamësinë e udhëheqjes kineze për fatet e përbashkëta dhe të ardhmen e afërt dhe të largët të botës dhe njerëzimit.

Kina, me qëllim gjithëpërfshirjen, prosperitetin e përbashkët dhe sigurinë globale, ka krijuar një Fond për Zhvillimin Global dhe Bashkëpunimin Jug-Jug me një financim total prej 4 miliardë dollarësh dhe së shpejti do të krijojë një fond special prej 10 miliardë dollarësh dedikuar zbatimit të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të mijëvjeçarit, dhe paralelisht me këtë ajo ka financuar më shumë se 200 projekte bashkëpunimi në fusha të tilla si ulja e varfërisë, arsimi, shëndetësia, zhvillimi rural dhe bujqësor, transformimi teknologjik, etj., kryesisht në vendet e varfra dhe në zhvillim.

Në fund të takimit u miratua një deklaratë me 83 paragrafë që u miratuan njëzëri dhe me konsensus.

Rezultate të rëndësishme të deklaratës janë (1) nisja e Aleancës Globale të Biokarburanteve, (2) shpallja e një korridori mega transporti dhe lidhjeje hekurudhore midis Evropës, Lindjes së Mesme dhe Azisë, (3) heqja e referencave për luftën në Ukrainë (që lidhet edhe me pikëpamjen e Kinës që Deklarata e New Delhit duhet të qëndrojë larg “gjeopolitikës”), (4) ripohimi se G-20 është një forum i madh për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar (që është theksuar vazhdimisht nga zyrtarët kinezë), trajtimi me seriozitet i aspekteve të kriptovalutave, zhvillimit rural dhe bujqësor, mbrojtja e mjedisit, mbështetja financiare dhe reformimi i sektorit bankar, etj.

Duket se ky samit është pjesë e hapave të rëndësishëm përgjatë periudhës së transformimit botëror, krijimit të mjedisi të qëndrueshëm dhe të barabartë të tregut, përballjes me sfidat e uljes së ritmeve të rritjes ekonomike në shkallë globale dhe arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, nxitjes së një qeverisje globale më të barabartë dhe më të arsyeshme, me anën e grumbullimin të mençurisë e të forcave të palëve të ndryshme”, siç bëri thirrje vetë presidenti kinez Xi Jinping në samitin e BRICS-it para disa javësh.

CFP

CFP

Bangladeshi, Egjipti, Mauritius, Holanda, Nigeria, Omani, Singapori, Spanja dhe Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe organizatat ndërkombëtare Kombet e Bashkuara (OKB), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Aleanca Ndërkombëtare Diellore (ISA), Koalicioni për Infrastrukturën Rezistente ndaj Fatkeqësive (CDRI), Banka Aziatike e Zhvillimit (ADB), etj, ishin ftuar të merrnin pjesë në samit.

Agjenda ndërkombëtare e vitit 2023 pas Samitit të G20 do të vazhdojë me (1) Raundin negociues të IPEF, 10–16 shtator, Bangkok, (2) Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, 19–26 shtator, New York, (3) Takimin e Ministrave të Tregtisë të G7, 28–29 tetor, Osaka dhe Sakai, (4) Takimin e liderëve të APEC, 12–18 nëntor, San Francisko, (5) COP  28, 30 nëntor – 12 dhjetor, në Dubai dhe (6) Takimi i pestë i TTC, në Shtetet e Bashkuara.

Duket se në të ardhmen e afërt dhe të largët bota do orientohet më seriozisht drejt Zhvillimit Global, Sigurisë Globale, Qytetërimit Global dhe Ndërtimit të Komuniteteve me Fate të Përbashkëta për Njerëzimin.

Nga: Dr. Enriko Ceko