foto nga CFP
UNESCO-ja bën thirrje për rregulla strikte ndaj përdorimit të inteligjencës artificiale si “ChatGpt” në shkolla, duke përfshirë kufijtë e moshës për përdorim.
Në udhëzimet për qeveritë, organizata e OKB-së paralajmëron se autoritetet publike nuk janë të gatshme të trajtojnë çështjet etike të futjes së programeve të inteligjencës artificiale në klasa, shkruan “ATSH”.
Sipas kësaj organizate, mbështetja në programe të tilla, në vend të mësuesve njerëzorë, mund të ndikojë në mirëqenien emocionale të fëmijëve, duke i bërë ata të pambrojtur ndaj manipulimit.
“Inteligjenca artificiale gjeneruese mund të përfaqësojë një mundësi të madhe për zhvillimin njerëzor, por gjithashtu mund të shkaktojë dëme”, tha zyrtarja e UNESCO-s Audrey Azoulay.
Programet gjeneruese të inteligjencës artificiale shpërthyen në fund të vitit të kaluar me lançimin e ChatGpt, që demonstroi aftësinë për të gjeneruar ese, poema dhe biseda edhe me të dhëna dhe sugjerime të shkurtra.
Ajo ka ndezur frikën e plagjiaturës në shkolla, universitete dhe madje edhe në art. Por, investitorët në këtë sektor e shohin arsimin si një treg të mundshëm fitimprurës.
Udhëzimi i UNESCO-s bën të ditur se mjetet e inteligjencës artificiale kanë potencialin për të ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta ose si asistent kërkimor. Por, mjetet do të ishin të sigurta dhe efektive vetëm nëse mësuesit, studentët dhe studiuesit do të ndihmonin në hartimin e tyre dhe qeveritë të rregullonin përdorimin e tyre.
Udhëzuesi rekomandon gjithashtu një moshë minimale për nxënësit e shkollave, duke theksuar se ChatGpt-ja nuk mund të përdoret për fëmijët nën 13 vjeç. (Irma)