Gentiana Azizi : E kënduara live ka madhështi dhe emocion
2023-09-10 19:00:10

Gentiana Azizi ( Foto nga facebook)

Këngëtarja e re Gentiana Azizi e ka nisur muzikën që  në moshë të vogël, ndaj   prindërit kishin dëshirë që ta regjistronin sa më shpejt në një shkollë të muzikës, ku të rritej profesionalisht. Pas studimeve në shkollën e muzikës dhe Akademinë e Muzikës për Gentën nisën koncertet, festivalet dhe aktivitetet artistike. Ajo po kryen studimet për Master, krijon muzikë dhe interpreton live, si dhe u jep mësim fëmijëve për piano, lëndën e muzikës dhe kanto. Në intervistë për Radio Ejani ajo flet me dashuri për punën dhe planet për të ardhmen.

Gentiana Azizi ( Foto nga facebook)

Gentiana Azizi ( Foto nga facebook)

CMG: Ti je një këngëtare mjaft aktive me interpretimet live. Sa e rrit profesionalisht  nje artist e kënduara live?

Gentiana Azizi: Mundohem gjatë gjithë kohës të jem aktive nëpër performanca të ndryshme live si me band ashtu edhe me akustik. Mendoj që ndihmon profesionalisht performanca e një artisti që këndon e performon live. Ndikon gjithashtu edhe në përvojën e tij profesionale apo edhe në talent.

CMG: Ti e zgjedh vetë repertorin muzikor që interpreton apo këndon këngë të zgjedhura nga publiku?

Gentiana Azizi: Zakonisht unë e zgjedh vet repertorin të cilin do e këndoj live në mbrëmje të ndryshme, por ndodh edhe të ketë sugjerime prej grupit apo kitaristit kur performoj me ta. Ndonjëherë e shoh situatën si është edhe këndoj edhe jashtë repertorit apo sipas preferencës së publikut.

Gentiana  Azizi (Foto nga facebook)

Gentiana  Azizi (Foto nga facebook)

CMG: Çfarë do veçoje nga interpretimet live?

Gentiana Azizi: Vetë fakti që është live si nga grupi ashtu edhe nga këngëtari është një ndjenjë madhështore, e cila të jep një emocion të vërtetë. Një ndjesi e cila është shumë ndryshe nga performancat të cilat janë me Playback. Momentet kur publiku është aty dhe këndon direkt bashkë me artistin është një ndjenjë shumë, shumë e mirë.

CMG: Si kanë qenë hapat e tua të para drejt muzikës? Kush e zbuloi talentin tënd?

Gentiana Azizi: Kur kam kënduar për herë të parë kam qenë shumë e vogël dhe mendoj se talentin e kam pasur nga Zoti. Këndoja gjatë gjithë kohës nëpër shtëpi, i këndoja familjes e pastaj prindërit kishin dëshirë që të regjistrohesha sa më shpejt në një shkollë të muzikës, në mënyrë që të rritesha profesionalisht në atë drejtim. Më vonë u regjistrova në shkollë, e jam marrë me programet muzikore të shkollës,  koncerte në shkollë të mesme e festivale të tjera me rradhë.

Gentiana  Azizi (Foto nga facebook)

Gentiana  Azizi (Foto nga facebook)

CMG: Ti jo vetëm këndon, por gjithashtu edhe krijon këngë. Ku e ndjen veten më mirë kur interpreton a po kur realizon këngën?

Gentiana Azizi: Po, është e vërtetë, përveçse këndoj edhe krijoj muzikë. Me seriozitet të plotë e më profesionalisht kam nisur 5 vitet e fundit, por me shkrime jam marrë që kur kam qenë e vogël. Atëherë kam shkruar poezi të ndryshme, por më kujtohet kam shkruar edhe një këngë për fëmijë, së cilës ia vendosa titullin “Fluturat”. Atë kohë nuk i dija notat dhe e kam krijuar këngën vetëm me vesh, ajo ka qenë kënga ime e parë si fëmijë. Kështu që në të dyja rastet ndjehem mirë, të krijosh është pak më e vështirë, por s’mund t’i ndaj nga njëra -tjetra.

CMG: Si kantautore mendon se është më e lehtë të krijosh një material që buron nga vetë artisti apo një melodi që e kërkon publiku?

Gentiana Azizi: Mund të them që të krijosh nuk është fare e lehtë. Është diçka shumë hyjnore, janë ndjenjat e njeriut apo emocionet në ato momente që vjen nga shpirti. Është vërtet shume e bukur e njëkohësisht edhe shumë e vështirë të krijosh diçka të bukur dhe melodioze që të mbahet mend. Më emocionuese është diçka që del nga shpirti sesa ajo qe do publiku mendoj unë, por edhe ajo duhet të jetë pjesë e artit sepse ndonjëherë duhet të shkojmë së bashku me atë që kërkon vetë publiku.

Gentiana  Azizi (Foto nga facebook)

Gentiana  Azizi (Foto nga facebook)

CMG: Përveç këndimit, ti jep edhe mësim pianoje. Na trego për këtë eksperiencë tënden me fëmijët?

Gentiana Azizi: Përveç krijimit edhe këndimit, unë ushtroj edhe profesionin e pedagoges për piano, por jap  dhe lëndën e muzikës dhe kanto. Me fëmijët është një eksperiencë shumë e mirë. Kam filluar prej disa  vitesh, pasi unë kam studiuar dhe në shkollë të mesme dhe në Akademinë e Muzikës. Ndërkohë tani jam në përfundim të Masterit në drejtimin Pedagogji e Përgjithshme Muzikore. Fëmijët të japin shumë vullnet, të gëzojnë shumë sidomos kur ata e dinë që po jap hapat e parë në muzikë, sidomos për piano, notat, e gjithë bazat e muzikës. Ndjehem shumë mirë e sidomos kur dëgjoj që unë i kam mësuar hapat e parë, bazën e muzikës e gjjthashtu e kënaqur me rezultatin. Pra me fëmijët është një ndjenjë me të vërtetë e bukur dhe më japin shumë vullnet për jetën kur punoj me ta.

Gentiana  Azizi (Foto nga facebook)

CMG: Si e sheh të ardhmen tënde artistike pas një dekade?

Gentiana Azizi: Të jesh pjesë e industrisë së muzikës në Kosovë, Shqipëri apo në Ballkan nuk është fare e lehtë, sidomos të tentosh të kesh një emër e të njihesh në trevat shqiptare është shumë e vështirë. Duhet të punosh tepër për të arritur qoftë edhe pak. Mundohem me mënyrën time të jem më aktive si në performanca, duke kënduar apo edhe krijuar këngë. Tani e kam në plan të krijoj këngë edhe për fëmijë, kohët e fundit kam krijuar këngë me komponentë si teksti dhe melodia edhe për të tjerë nga shoqëria, por edhe për njerëz që si njoh. Veten e shoh si një këngëtare, tekstshkruese, krijuese e muzikës, performanca sa më shumë live dhe shpresoj të krijoj këngë sa më të bukura si për veten ashtu edhe për të tjerët.

CMG: Cilat janë planet e tua në jetë, por edhe rreth muzikës?

Gentiana Azizi: Tani së afërmi kam në plan të publikoj një këngë timen, të cilën e kam krijuar vetë më herët, por s’është  ende në treg. Është një këngë shumë e bukur, pak si baladë, por e përzier me muzikë ritmike. Siç thashë planet janë të vazhdoj të shkruaj për vete dhe për të tjerët e pse jo edhe pjesë e ndonjë festivali për të garuar apo edhe thjesht për të marrë pjesë për kënaqësinë time e për ta shijuar.

Intervistoi: Sava Lena