Foto nga facebooku i Kryeministrit Edia Rama
Ditën e hënë më 11 shtator nis procesi mësimor në Shqipëri. Fillimi i këtij muaji ka nisur me shpërndarjen e librave për shkollat 9-vjeçare. Risi e këtij viti është që nxënësit e klasave të para, të dyta dhe të treta nuk do t’i kthejnë librat në fund të vitit dhe të parët që janë pajisur me libra janë më të vegjlit. Ndryshe nga nxënësit e klasës së gjashtë dhe të shtatë, të cilëve tekstet shkollore iu rinovohen një herë në tre vjet, më të vegjlit do të pajisen me libra të rinj çdo vit. Kjo risi vjen si një kërkesë e vazhdueshme e mësuesve dhe prindërve, duke shmangur vështirësitë e nxënësve të kësaj moshe për të mirëmbajtur librin, por edhe për të punuar lehtësisht me shënime mbi to.
Me anë të një postimi në facebook kryeministri i vendit Edi Rama theksoi në fillim të muajit shtator: “Mirëmëngjesi dhe me nisjen e shpërndarjes së teksteve falas për të gjithë nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare, ku përveç klasave të para, edhe ato të dyta e të treta do t’i kenë librat falas me një përdorim, si dhe për nxënësit e 16 kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë, një konkretizim tashmë tradicional i mbështetjes së qeverisë shqiptare për të pajisur nxënësit me burime cilësore të dijes, ju uroj një ditë të mbarë”
Sipas kryeministrit Rama, ky vendim do jetë një vazhdim i traditës së qeverisë shqiptare për të investuar në dijen e nxënësve. Nxënësit e shkollave 9-vjeçare tashmë janë pajisur me tekstet shkollore për vitin e ri akademik 2023-2024 ku këtë vit një pjesë e librave kanë qenë të rinj edhe për këtë kategori nxënësish. Gjithashtu pjesë e skemës së librave falas janë dhe nxënësit e 16 kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë. Për nxënësit e shkollave 9-vjeçare mësimi fillon në datën 11 shtator të këtij viti dhe përfundon në datën 14 qershor të vitit 2024. Përjashtim bëjnë vetëm maturantët për të cilët mësimi i vitit të ri shkollor do të mbyllet më herët, përkatësisht në 31 maj të vitit 2024.
Foto nga Ministria e Arsimit
Për mikrofonin e Radio Ejani, disa nxënës të shkollës 9-vjeçare janë shprehur:
Mario, klasa e 8-të
CMG: Përshëndetje! Si quhesh dhe në çfarë klase shkon këtë vit?
Mario: Unë jam Mario dhe këtë vit nis klasën e 8-të.
CMG: Je pajisur me libra për këtë vit të ri shkollor?
Mario: Unë jam pajisur me librat e klasës së tetë të përdorura, të cilat i kam marrë menjëherë pasi përfundova klasën e 7-të. Ndërsa në fillim të shtatorit disa libra erdhën të reja.
CMG: Të uroj shumë suksese dhe nota sa më të mira!
Nxënëse e klasës së 8-të: Unë jam pajisur me librat e klasës së tetë që në fund të vitit shkollor në qershor 2023, por librat nuk ishin në gjendjen e tyre më të mirë.
Nxënëse e klasës së 4-të: Ne si klasë në përfundim të shkollës, i kemi dorëzuar librat tanë në një gjendje mjaft të mirë, të rregullt e të pastër.
Një tjetër risi e këtij viti shkollor është edhe mosha e nisjes së klasës së parë. Sipas ndryshimeve ligjore, një fëmijë mund të regjistrohet në klasë të parë pa mbushur 6 vjeç, por kushti është që të mbushë 6 brenda 31 dhjetorit të atij viti kalendarik. Nxënësit e arsimit të detyruar 9-vjeçar do të kenë dy periudha pushimesh. Periudha e parë e pushimeve do të jetë në fundvit, ndërsa periudha e dytë do të jetë në javën e parë të muajit prill. Sipas vendimit, provimet kombëtare të arsimit bazë do të zhvillohen ndërmjet datave 17-18 qershor. Nxënësit do të testohen në lëndët Matematikë, Gjuhë e Huaj dhe Gjuhë Shqipe.
Kryebashkiaku Erion Veliaj është shprehur për mediat se pas 50 shkollave të reja të hapura në Tiranë, këtë vit është gati paketa me 10 shkolla të tjera të reja. Ai ka ftuar prindërit që të regjistrojnë fëmijët në godinat e reja arsimore, sipas rregullave të vendosura edhe për kopshtet dhe çerdhet, në mënyrë që të mos ketë mbingarkesë. Ai ka theksuar gjithashtu se ashtu si këtë vit po hapen 10 shkolla të reja për fëmijët në kryeqytet, do të vijojë puna edhe me të tjera shkolla të planifikuara për t’u ndërtuar nga e para, siç janë shkollat në Astir dhe në zonën e Liqenit të Thatë.
Për vitin e ri shkollor 2023-2024, Ministria e Arsimit ka njoftuar: "Me qëllim krijimin e mundësisë së regjistrimit për të gjithë nxënësit, sistemi e-albania do të qëndrojë i hapur deri më datën 10.09.2023. Të gjithë nxënësit që ende nuk janë regjistruar, kanë mundësi që të aplikojnë sa më shpejt për regjistrim për këtë vit të ri shkollor. Ndërsa regjistrimi i nxënësve për vitin e ri shkollor 2023-2024 për shkollën e mesme profesionale dhe gjimnaz me kohë të pjesshme mbi 18 vjeç, do të vijojnë të mbeten të hapura deri më datë 30.09.2023”.
Sava Lena