Provinca kineze Guangdong ngre reagimin urgjent për përmbytjet e rënda të shkaktuara nga shiu në nivelin II
2023-09-08 18:36:23

Komanda e kontrollit të përmbytjeve, thatësirës dhe tajfunëve në provincën Guangdong të Kinës Jugore përditësoi reagimin emergjent për përmbytjet e rënda të shkaktuara nga shiu, nga niveli i katër në nivelin e dytë, në orën 1:30 të së premtes.

Foto:VCG

Foto:VCG

Nën ndikimin e sistemit të reve të lëna nga tajfuni Haiku dhe monsoni, shumë qytete dhe konte në rajonin e Deltës së Lumit të Perlave janë goditur nga rrebeshe shiu që nga e enjtja, me stuhi shumë të forta në disa zona.

Shirat do të vazhdojnë në Guangdong, me rreziqe të larta të daljes nga shtrati të lumenjve të vegjël dhe të mesëm, rrëke malore, katastrofa gjeologjike dhe përmbytjeve në zonat urbane e rurale, thanë autoritetet.

Shumë zona në këtë provincë kanë shpallur paralajmërime për stuhi shiu.

Nga ora 05:00 e mëngjesit të enjten deri në 6:00 të mëngjesit të së premtes, reshjet mesatare të shiut në Shenzhen, një qytet bregdetar i provincës Guangdong, ishin 202.8 mm, dhe sasia maksimale e përgjithshme e reshjeve arriti 469 mm, sipas zyrës meteorologjike të bashkisë së qytetit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas kësaj zyre, shiu kishte intensitet super të fortë, kohëzgjatje të madhe dhe rreze të gjerë, duke regjistruar katër rekorde për maksimumin e reshjeve përkatësisht në dy orë, tre orë, gjashtë orë dhe 12 orë, që kur Shenzhen-i filloi të mbajë regjistrime meteorologjike në vitin 1952.

Komanda e kontrollit të përmbytjeve, thatësirës dhe tajfunëve e këtij qyteti dha një njoftim të premten në mëngjes për pezullimin e kopshteve të fëmijëve dhe të shkollave fillore e të mesme anembanë qytetit të premten, me fokus garantimin e sigurisë dhe të pronës së shtetasve.

Autoritetet i kanë paralajmëruar banorët të qëndrojnë larg zonave të rrezikshme si malet, lumenjtë, rrëpirat dhe muret mbajtëse.

Sipas drejtorisë meteorologjike të Guangzhou-t, kryeqendra e provincës Guangdong, nga ora 8:00 e mëngjesit të së enjtes deri në 3:00 të mëngjesit të së premtes, ky qytet ka pasur stuhitë më të forta këtë vit, që arritën nivele mjaft serioze.

Foto:VCG

Foto:VCG

Shirat e mëdha shkaktuan përmbytje në shumë pjesë të Guangzhou-t dhe disa distrikte aty kanë pezulluar mësimin në përputhje me paralajmërimin për stuhitë e shiut.

Po ashtu janë pezulluar 43 shërbime treni pasi stuhitë e shiut goditën rajonin e Deltës së Lumit të Perlave.