Foto nga CFP
Numri i infeksioneve me koronavirus është në rritje sërish në hemisferën veriore, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
“Ne vazhdojmë të shohim tendenca shqetësuese të Covid-19 përpara sezonit të dimrit në hemisferën veriore”,- tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në Gjenevë.
“Gjatë muajve më të ftohtë, njerëzit janë të ekspozuar ndaj një rreziku më të lartë të infeksionit, pasi kalojnë më shumë kohë brenda”,- tha ekspertja kryesore e OBSH-së për koronavirusin, Maria Van Kerkhove.
Sipas agjencisë së OKB-së, numri i vdekjeve nga koronavirusi është sërish në rritje në Lindjen e Mesme dhe Azi, ndërsa Amerika e Veriut, Evropa dhe Azia po shohin një numër në rritje të shtrimeve në spital për shkak të Covid 19, shkruan “ATSH”.
Ekspertët e OBSH-së u bënë thirrje të moshuarve dhe grupeve të tjera vulnerabël që të bëjnë vaksinat përforcuese nëse është e nevojshme.
Sipas Van Kerkhove, vaksinat anti-Covid, aktualisht të disponueshme, mbrojnë kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes, kur infektohen me variante të reja të virusit.
“Ndërkohë, vetëm 42 raste të variantit të ri BA.2.86, i njohur edhe si “Pirol”, të cilin OBSH-ja e ka monitoruar që nga mesi i gushtit, janë regjistruar në 11 vende”, - tha ekspertja. (Elona)