Kina dhe Australia zotohen për të rritur shkëmbimet dypalëshe
2023-09-08 17:36:10

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Kryeministri kinez Li Qiang dhe kryeministri australian Anthony Albanese u zotuan për të nxitur shkëmbimet dypalëshe. Ata ranë dakord edhe për rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, gjatë bisedimeve në kuadër të takimeve të liderëve për bashkëpunimin në Azinë Lindore, në Xhakartë, të Indonezisë, citon “Xinhua”.

Përkatësisht u zhvillua Samiti i 26-të Kinë-ASEAN, Samiti i 26-të “ASEAN Plus Three” dhe Samiti i 18-të i Azisë Lindore.

Kryeministri Li tha se Kina është e gatshme të punojë me Australinë për të rifilluar shkëmbimet dypalëshe në fusha të ndryshme.

Marrëdhëniet Kinë-Australi, vuri në dukje ai, kanë pasur një ecuri pozitive përmirësimi falë përpjekjeve të përbashkëta të të dyja palëve gjatë vitit të kaluar.

Li tha gjithashtu se një marrëdhënie e shëndoshë dhe e qëndrueshme Kinë-Australi u shërben interesave themelore dhe aspiratave të përbashkëta të dy popujve.

Albanese deklaroi se marrëdhëniet Australi-Kinë janë shumë të rëndësishme dhe theksoi se pala australiane është e inkurajuar nga përparimi i marrëdhënieve dypalëshe.

“Australia është e gatshme të avancojë dialogun dhe shkëmbimet me Kinën në frymën e respektit të ndërsjellë, të thellojë bashkëpunimin në fusha të tilla si ekonomia dhe tregtia, të zgjerojë shkëmbimet mes njerëzve dhe kulturore, dhe të menaxhojë siç duhet dallimet, në mënyrë që të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme dhe konstruktive mes dy vendeve”,- tha ai. (Elona)