Presidenti francez: Flamuri rus nuk mund të valëvitet në olimpiadën “Paris 2024”
2023-09-08 17:53:40

Flamuri rus nuk mund të valëvitët në Lojërat Olimpike të verës së ardhshme në Paris, pas konfliktit të vazhdueshëm që po ndodh me Ukrainën, deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron për të përditshmen sportive franceze “L’Equipe”, citon “ATSH”.

Macron shprehu besim të plotë në vendimet e Komitetit Olimpik për atletët që marrin pjesë në lojëra si individë, duke iu referuar atletëve nga Rusia dhe aleatit të saj Bjellorusisë, të cilët mund të garojnë individualisht, jo nën flamujt përkatës të vendeve të tyre.

Ai gjithashtu pranoi se atletët rusë që janë përgatitur për lojërat gjatë gjithë jetës së tyre mund të jenë viktima të kësaj situate.

Parisi do të organizojë Lojërat Olimpike Verore 2024 nga 26 korriku deri më 11 gusht. Kjo do të jetë hera e tretë që kryeqyteti francez organizon Lojërat, por me një distancë gati një shekullore. Hera e fundit ishte në vitin 1924.

Si pjesë e sanksioneve ndaj Rusisë për nisjen e konfliktit në Ukrainë, në shkurt 2022, klubet sportive dhe kombëtaret ruse u përjashtuan nga garat e futbollit të FIFA-s dhe UEFA-s. Kombëtarja ruse u skualifikua më parë nga Uefa Euro 2022 për femra dhe u zëvendësua nga Portugalia.

Klubet dhe skuadrat ruse gjithashtu nuk mund të luajnë në garat ndërkombëtare të futbollit dhe basketbollit, përfshirë Ligën e Kampionëve të UEFA-s, Ligën Evropiane Turkish Airlines në basketboll dhe kampionatin evropian të futbollit të vitit të ardhshëm në Gjermani, Euro 2024.

Ndërkohë në kampionatet kryesore të tenisit, përfshirë “French Open” (Roland Garros), tenistët rusë dhe bjellorusë kanë garuar nën një flamur neutral. (Elona)