Kina është e gatshme të integrojë strategjitë e zhvillimit me Indonezinë
2023-09-08 20:59:03

Gjatë takimit me presidentin indonezian Joko Widodo të premten në Xhakartë, kryeministri kinez Li Qiang tha se Kina është e gatshme të punojë me Indonezinë për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga të dy krerët e shteteve, për të rritur më tej ndërlidhjen e strategjive të zhvillimit të të dy vendeve, për të promovuar zhvillimin e përbashkët dhe për t’i shtuar impuls të vazhdueshëm qëndrueshmërisë e lulëzimit rajonal.

kryeministri kinez Li Qiang(i majti) takohet me presidentin indonezian Joko Widodo(i djathti)(Foto:Xinhua)

Kryeministri kinez propozoi që të dyja palët të vazhdojnë të zgjerojnë bashkëpunimin praktik dhe të forcojnë lidhjen e interesave, për ndërtimin e përbashkët të një komuniteti me të ardhme të përbashkët.

Li tha se Kina është e gatshme të punojë me Indonezinë për të bërë përgatitje të plota për funksionimin zyrtar të hekurudhës me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung dhe për t’i bërë Korridorin e Gjithanshëm Ekonomik Rajonal dhe projektin "Dy vende, parqe binjake" vepra kryesore brenda nismës "Një brez, një rrugë". Kina po ashtu është gati të punojë me Indonezinë për zbatimin me cilësi të lartë të Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP), të zgjerojë importet e mallrave e të produkteve cilësore bujqësore e ujore nga Indonezia dhe të inkurajojë ndërmarrjet kineze të investojnë e të bëjnë biznes në Indonezi, tha ai.

Sipas kryeministrit Li, Kina do të shtojë bashkëpunimin me Indonezinë në fusha si ekonomia digjitale dhe zhvillimi i gjelbër, duke forcuar më tej shkëmbimet dhe bashkëpunimin në bujqësi, farmaceutikë dhe shëndetësi, rini, arsim, kulturë dhe turizëm.

Kreu i qeverisë kineze theksoi se të dyja palët duhet të vazhdojnë të çojnë përpara Frymën e  Bandung-ut, të mbështesin multilateralizmin e vërtetë dhe ta bëjnë qeverisjen globale më të drejtë e më të barabartë.

Kina është e gatshme të punojë me Indonezinë për të zbatuar në mënyrë aktive Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global në nivele dypalëshe, rajonale dhe shumëpalëshe.

Presidenti indonezian, nga ana e tij, vlerësoi mbështetjen e vendosur të Kinës për rolin e Indonezisë si vendi kryetar i radhës i ASEAN-it dhe përkrahjen e saj për ruajtjen e rolit qendror të ASEAN-it.

Ai tha se Indonezia i përmbahet parimit të “Një Kine” dhe është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha si tregtia e investimet, bujqësia e peshkimi, infrastruktura, ekonomia digjitale, energjia e re, turizmi e shëndetësia, dhe të çojë përpara projektet e bashkëpunimit strategjik, si "Dy vende, parqe binjake", për t’i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri.

Kreu i shtetit i Indonezisë tha se vendi i tij do të vazhdojë të çojë përpara Frymën e  Bandung-ut dhe është i gatshëm të punojë me Kinën për të promovuar bashkëpunimin rajonal dhe për të mbrojtur së bashku paqen, qëndrueshmërinë dhe lulëzimin rajonal.

Gjatë vizitës së kryeministrit kinez në Indonezi, të dy palët nënshkruan një sërë dokumentesh bashkëpunimi në industri, bujqësi, peshkim, tregtinë elektronike dhe risitë shkencore e teknologjike.(Zhang Yan/Artan)