Shkencëtarët kinezë do të kryejnë një eksperiment hapësinor ekzo-ekosistem në Stacionin Hapësinor të Kinës
2023-09-08 21:18:11

Shkencëtarët kinezë do të kryejnë një eksperiment hapësinor ekzo-ekosistem në Stacionin Hapësinor të Kinës, duke synuar të eksplorojnë aftësinë e mikrobeve për të mbijetuar në hapësirë.

Foto:VCG

Stacioni Hapësinor i Kinës, Tiangong(Foto:VCG)

Eksperimenti Hapësinor i Ekzo-Ekosistemit i Kinës (CHEESE), i bashkëprojektuar prej shkencëtarëve nga Universiteti Tsinghua, Instituti i Mikrobiologjisë i Akademisë Kineze të Shkencave, Instituti i Fizikës Teknike të Shangait dhe Universiteti Detar i Dalian-it, do të ekspozojë mikroorganizmat në kushtet hapësinore, duke përfshirë mikrogravitetin, zbrazëtinë, rrezatimin ultravjollcë dhe temperaturat ekstreme.

Artikulli përkatës u botua së fundmi në revistën “Nature Astronomy”.

Shkencëtarët besojnë se stacionet hapësinore ofrojnë mundësi unike për të kryer eksperimente astrobiologjike për të eksploruar mundësinë e jetës përtej Tokës.

Sipas Liu Zhu, profesor në Departamentin e Shkencës së Sistemit të Tokës pranë Universitetit Tsinghua, faza e parë e projektit CHEESE synon të testojë nëse mikroorganizmat që prodhojnë metan, ose metanogjenët, mund të mbijetojnë në mjediset brenda dhe jashtë stacionit hapësinor.

Astronautë kinezë në Stacionin Hapësinor të Kinës(Foto:VCG)

Astronaut kinez stërvitet në Stacionin Hapësinor të Kinës(Foto:VCG)

Metanogjenët konsiderohen si një nga format më të hershme të jetës në Tokë dhe kanë përshtatshmëri të fortë ndaj mjediseve ekstreme.

Roveri i Marsit i NASA-s “Curiosity” ka zbuluar disa herë sinjale të pashpjegueshme të metanit që nga zbritja në Mars në vitin 2012. Megjithatë, shkencëtarët nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë nëse metani në Mars prodhohet nga mikrobet, tha Liu.

"Nëse metani në Mars prodhohet biologjikisht, atëherë kjo lloj jete është shumë rezistente ndaj mjediseve ekstreme dhe duhet të jetë në gjendje t'u mbijetojë mjediseve ekstreme, si p. sh. një nivel i caktuar i rrezatimit kozmik dhe temperaturat e ulëta," shpjegoi ai.

Me përfundimin e ndërtimit, stacioni hapësinor i Kinës ka hyrë në fazën e përdorimit dhe zhvillimit. Stacioni hapësinor është i aftë të sigurojë kushte të mikrogravitetit dhe rrezatimit në hapësirë që janë të pakrahasueshme me ato në tokë, tha Cui Duo, autor i parë i artikullit dhe studiues nga Universiteti Tsinghua.

Cui u shpreh se stacioni hapësinor do të testojë statusin e mbijetesës dhe përhapjes së metanogjenëve në mjedise të ndryshme, duke simuluar mjedise hapësinore të jashtme, siç është Marsi.

Stacioni Hapësinor i Kinës, Tiangong(Foto:VCG)

"Duke studiuar sjelljen dhe përshtatjen e metanogjenëve në hapësirë, ne mund të jemi në gjendje të kuptojmë më mirë potencialin e jetës në planete të tjera dhe disa nga pyetjet më themelore në lidhje me origjinën dhe larminë e jetës në univers," shtoi Cui.(Zhang Yan/Artan)