Foto nga Xinhua
Bota duhet të kundërshtojë praktikën e shtrirjes së tepërt të konceptit të sigurisë dhe të politizimit të çështjeve ekonomike, tha të enjten kryeministri kinez Li Qiang gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres në kryeqytetin indonezian Xhakartë, ku ata ndodheshin për të marrë pjesë në mbledhjet e udhëheqësve mbi bashkëpunimin në Azinë Lindore.
Mjedisi ndërkombëtar tani po pëson ndryshime e trazira dhe, sa më e zymtë të jetë gjendja, aq më shumë komuniteti ndërkombëtar ka nevojë të bashkohet dhe të punojë së bashku për të trajtuar sfidat, tha kryeministri kinez.
Ndërsa Guterres theksoi që, përballë sfidave të ndryshme, vendet duhet të bashkohen, të forcojnë besimin e ndërsjellë, të parandalojnë fragmentimin e ekonomisë botërore dhe të përballen së bashku me sfidat globale.
Duke vënë në dukje që Kina luan një rol të rëndësishëm në promovimin e agjendës globale, ai tha se OKB-ja është e gatshme të forcojë dialogun e bashkëpunimin me palën kineze, të nxisë reformën e sistemit ndërkombëtar të qeverisjes ekonomike, të ndihmojë vendet në zhvillim të zotërojnë burime të mjaftueshme për të përballuar sfida të tilla dhe të kontribuojë në zbatimin e Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030.