Japonia lëshon me sukses raketën kozmike drejt Hënës
2023-09-08 16:08:05

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Japonia ka lëshuar me sukses një raketë kozmike në provën e saj të katërt këtë vit, pasi përpjekjet e mëparshme u penguan nga moti i keq.

Raketa, e quajtur “Snajperi i Hënës”, pritet të ulet në Hënë në shkurt nëse gjithçka shkon mirë. Japonia po kërkon të bëhet vendi i pestë që zbarkon në Hënë, pas SHBA-së, Rusisë, Kinës dhe Indisë, shkruan “RTSH”. 

Dy javë më parë, India bëri histori kur uli me sukses një anije kozmike pranë polit jugor të Hënës.

Anija kozmike japoneze parashikohet të ulet brenda 100 metrave nga një vendndodhje pranë kraterit “Shioli”, në Hënë. Ajo pritet të hyjë në orbitën e Hënës brenda katër muajve.

Misioni prej 100 milionë dollarësh ka për qëllim të demonstrojë aftësinë e Japonisë për të ulur një anije kozmike të lehtë dhe me kosto të ulët në Hënë. (Elona)