Sa do jetë rrija ekonomike e vitit 2023?
2023-09-08 09:21:34

Parashikimi për rritjen ekonomike (Foto Lapsi.al)

Parashikimi për rritjen ekonomike (Foto Lapsi.al)

Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit, vetëm për muajin korrik 2023, ekonomia shqiptare rregjistroi 1.7 milionë vizitorë të huaj që zgjodhën të vizitojnë Shqipërinë. Që nga fillimi i këtij viti, vendi ka pritur 5.1 milionë vizitorë të huaj, ose 31 përqind  më shumë se periudha janar-korrik 2022. Konsumi final i popullatës është rritur me 3 përqind

Nga INSTAT mësohet se  vëllimi i qarkullimit të fondeve në turizëm, për shtatëmujorin janar-korrik 2023, është rritur me 10.7 përqind, ndërsa të punësuarit me 11.5 përqind. Këto tregues dëshmojnë se politikat qeveritare për nxitjen e sektorit të turizmit kanë pasur efektin e duhur.

Po sipas INSTAT, konsumi final i popullatës është rritur me 3 përqind, ndërsa formimi i kapitalit dhe aseteve, i cili mat  investimet në vend, është rritur me 7 përqind. Kjo tregon një rritje të qëndrueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pra prodhimit kombëtar, si nga ana e ofertës, ashtu edhe nga ana kërkesës.

Për 5-mujorin janar-maj 2023, të ardhurat buxhetore arritën në nivelin 257.9 miliardë Lekë, duke u rritur me 10.5 përqind. Ecuria e të ardhurave tregon reagimin që bizneset kanë pasur ndaj politikave kryesore të ndërmarra nga qeveria”.

Për periudhën janar-korrik 2023, shkalla e punësimit u rrit në 67.1 përqind, ndërsa papunësia u ul me 1.02 përqind. Në korrik 2023, numri total i bizneseve ishte 125,563, ose 2,188 biznese më shumë se korriku 2022.

 

Ekspertja e ekonomisë Eriola Hoxha në intervistë për CMG

Ekspertja e ekonomisë Eriola Hoxha në intervistë për CMG

Ekspertja e ekonomisë Eriola Hoxha në intervistë për CMG komenton rritjen ekonomike në 6 mujorin e parë të vitit dhe parashikimin për vitin në tërësi

CMG: Për periudhën janar-korrik 2023 kemi patur 5.1 milionë vizitorë të huaj, ose 31 përqind më shumë se janar-korrik 2022. Çfarë do të thotë kjo për ekonominë tonë?

 

Eriola Hoxha: Për ekonominë shqiptare është një zhvillim pozitiv, i pritshëm, me të ardhurat që sjell sektori i turizmit, si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë sonë. Me këto shifra që ju sapo cituat dhe me shifrat e tjera që ka publikuar Ministria e Turizmit, mund të themi se jemi përtej çdo parashikimi optimist, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të gjitha të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), Bankës Botërore dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që kanë bërë parashikim për ekonominë e Shqipërisë për vitin 2023, kryesisht e kanë mbështetur rritjen ekonomike në sektorët e turizmit dhe ndërtimit, pavarësisht problemeve që ky i fundit ka. Është fakt që sektori i ndërtimit sjell të ardhura në ekonomi.

Ky rezultat, larg çdo pritshmërie, është një rezultat që do të ketë pasoja shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Jo vetëm në muajt korrik e gusht që kaluan, por edhe në shtator, ne po shohim që ka një rritje të turizmit me të njëjtin trend si të muajve më parë. Një nga faktorët që mbizotëron në rritjen e vizitorëve të huaj në vend, është turizmi patriotik. Megjithë turizmin shumëpolar që ne kemi, vijon të jetë turizmi patriotik, pra ai i kosovarëve, që vijon të ketë numrin më të lartë të vizitorëve të huaj.

Faktori i dytë është që nuk janë vetëm një kategori e caktuar e turistëve italianë, apo edhe atyre jashtë Gadishullit të Ballkanit, por kemi një larmishmëri të turistëve nga shumë vende të Evropës dhe më tej. Që kemi këto shifra të turizmit, unë mendoj që jemi në kohën e artë. Por kjo situatë sigurisht që do mirëmenaxhuar, përsa i takon marketingut dhe vlerave kulturore, historike apo dhe natyrore të Shqipërisë.

Ka patur përmirësim edhe në shërbim, pasi një turist i kënaqur do të thotë dhjetë turistë më shumë në vendin tonë dhe e kundërta. Një turist i pakënaqur nënkupton dhjetë turistë, apo edhe njëzet, që nuk vijnë, nga një opinion negativ, për shërbim jo të mirë, apo për faktorë të tjerë.

Mendoj se në një kuadër të përgjithshëm, kemi patur përmirësime në turizem, si në infrastrukturë, që është një nga faktorët kryesorë në rritje. Ne kemi një larmishmëri jo vetëm të turizmit në të katër stinët, por edhe një larmishmëri si të turizmit historik, kulturor, edhe të atij të rërës dhe detit, si dhe malor.

Kjo do të thotë që të huajtë që vijnë, gjejnë një peisazh gjithëpërfshirës në vendin tonë. Po të kishim patur një infrastrukture jo të mirë, nuk do të kishim këtë numër të lartë turistësh. Unë mendoj se duhet të qëndrojmë në këto shifra, por falë një marketingu dhe një vlerësimi shumë të fortë të mediave ndërkombëtare, kjo ka sjellë shifrat e larta në turizëm.

Kjo patjetër do të japë rezultate në ekonomi, do t’i japë një hov performancës së përgjithshme të saj. Edhe në tremujorin e ardhshëm mendoj që do të qëndrojmë stabël, në parashikimet pozitive të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe të Bankës së Shqipërisë, lidhur me rritjen ekonomike.

Dua të theksoj se një numër i lartë turistësh janë përqëndruar edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë. Tirana ka shumë atraksione dhe Bashkia e Tiranës, pushteti lokal ka marrë shumë nisma për t’iu përshtatur kërkesave të turistëve. Deri tani fola për pushtetin qendror dhe investimet e mëdha strategjike të tij, në funksion të turizmit. Një rol të rëndësishëm kanë dhe po e luajnë edhe pushtetet vendore, nën shembullin e Tiranës. Pa patur një barazpeshë të asaj që ofron infrastruktura me ofertat lokale të bashkive, nuk mund të ketë kthim të turistëve për të vizituar dy herë Shqipërinë. Unë jam entuziaste për shifrat rekord dhe vlerësoj të gjithë punën e bërë, por na duhet qetësia dhe maturia për t’i mbajtur këto rezultate, dhe, me punë akoma dhe më të madhe, për t’i çuar më tej ato.                

 

INSTAT (Foto Scan TV)

INSTAT (Foto Scan TV)

CMG: Ju jeni një analiste edhe e politikave fiskale të vendit. Një mendim tuajin, ju lutem, për ofertën e re të ardhur nga qeveria, për diskutimin e një projektligji për taksën për pronën. Kuptohet, nuk është në nivel qendror, është në nivel të 61 bashkive, por ky diskutim a mos është i vonuar? A duhej të kishte ardhur kohë më parë, apo është në kohën e duhur?

Eriola Hoxha: Çështjet e pronësisë në vendin tonë gjithmonë kanë qenë çështje të mprehta dhe që vit pas viti kanë patur nevojë për rregullim dhe përshtatje të legjislacionit të pronësisë, sipas direktivave të Bashkimit Evropian. Mungesat e përkohshme të rregullimeve ligjore janë bërë faktorë për shumë shpronësime, që nga qytetarët e thjeshtë, deri në zonat bregdetare, tani që po flasim për turizmin.

Çdo ndryshim ligjor në këtë fushë është i nevojshëm dhe patjetër që duhet ndërmarrë në kohën e duhur. Nuk mendoj se jemi në kohën e duhur. Koha e duhur është zakonisht dy deri në katër vite, përpara se sa të ndodhë problematika e konstatuar. Ne duhet t’i paraprijmë problemit.

Konkretisht e kam studjuar projektligjin dhe do të përqëndrohesha tek përjashtimet që kanë nga taksa e pronës hotelet me pesë yje. Këtu flasim për një shërbim të standardeve të larta. Ne kemi një natyrë dhe një turizëm të mrekullueshëm, kështu që të ardhurat është mirë që t’i shpenzojmë brenda vendit tonë. E vlerësoj përjashtimin nga taksa e pronës për hotelet me pesë yje si një masë të duhur, pasi edhe biznesi i madh ka nevojë për suport financiar dhe që të ndjehet i vlerësuar nga ana ligjore. Mendoj që projektligji vlen, por do të kishte qenë më mirë të ishte bërë më përpara.

 CMG: Besoj keni ndjekur edhe ankandet e fundit të suksesshme të qeverisë dhe lajmin për tre kontratat e lidhura për shfrytëzimin e energjisë së erës. Në gjykimin tuaj, investimet e huaja për këtë vit si kanë ecur?

Eriola Hoxha: Investimet e huaja direkte në vendin tonë kanë tre vite që kanë ecur me ritme të mira, sipas statistikave të INSTAT dhe të EUROSTAT.

Çfarë ndodh me këto investime të huaja në vendin tonë? Përpos rritjes së numrit të këtyre investimeve, unë mendoj se janë bashkëpunim strategjik i qeverisë sonë me qeveritë e vendeve të tjera. Në këtë drejtim i shoh edhe tri marrëveshjet e mëdha për parqet eolike. Janë investime strategjike, sepse vërtet janë nënshkruar sot, por studimet për vendndodhjen në terren kanë mbi 4-5 vite që po kryhen. Kjo do të thotë që investimi dhe oferta strategjike e qeverisë sonë i paraprin investimit të çdo investuesi të huaj individual. Në këtë drejtim, dhomat e tregtisë kanë kërkuar barazi mes investuesve strategjikë të huaj dhe investuesve vendas.

Ka lehtësira dhe përmirësime në tërheqjen e investuesve të huaj, por do të kërkoja lehtësira edhe në mikpritjen fillestare të dokumentacionit që paraqet investuesi i huaj. Ne duhet të ofrojmë të gjithë infrastrukturën e nevojshme, edhe në kuadër te dixhitalizimit të ekonomisë, për t’i krijuar të gjitha kushtet e nevojshme investuesit të huaj, njëlloj sikur ai të ishte në vendin mëmë.

Janë pikërisht këto kërkesa për partneritet publik-privat dhe për barazi në tendera, si dhe trajtim i favorshëm i politikës fiskale, të cilat bëjnë që investuesit e huaj të tërhiqen më shumë. Nuk do të doja të krijoja ndasi me investuesit vendas, pasi zërat e bilancit janë njësoj, të ardhurat dhe shpenzimet, por ne duhet të krijojmë disa lehtësira më shumë, për bizneset që zgjedhin vendin tonë për investimet e huaja direkte.

Kjo, pasi investimet e huaja direkte përkthehen menjëherë në të ardhura më shumë në ekonominë shqiptare. Nga ana tjetër, nga një biznes i huaj i suksesshëm këtu, mund të vijnë disa biznese të tjera të atij vendi. Më shumë të ardhura të shtetit nga këto biznese do të thotë mirëqënie direkt për qytetarët dhe, në fund të fundit, zhvillojnë edhe menaxhimin e burimeve njerëzore. Bizneset e huaja sjellin një kulturë tjetër, duke filluar nga drejtuesi i përgjithshëm (CEO), apo menaxherët e tjerë, që e mbartin tek stafet shqiptare.       

Rritja e turizmit (Tv Klan)

Rritja e turizmit (Tv Klan)

CMG: Një parashikim tuajin, ju lutem për rritjen ekonomike të gjysmës së dytë të këtij viti dhe të të gjithë vitit. Ju e përmendët pak më përpara Fondin Monetar Ndërkombëtar. FMN e ka parashikuar rritjen e ekonomise shqiptare për këtë vit me 3 përqind, ndërsa 3.5 përqind është parashikimi i qeverisë sonë. Ka studjues që, duke parë bum-in e turizmit tek ne, për të cilin ju folët në pjesën e parë të intervistës sonë, përcaktojnë një rritje ekonomike edhe 3.6 dhe 3.7 përqind për këtë vit. Parashikimi juaj?

 

Eriola Hoxha: Unë do të isha për vlerësimet jo skeptike, por rigoroze, të Fondit Monetar Ndërkombëtar, apo të institucioneve të tjera. Unë vetë ju referohem shumë atyre, pasi e shohin me një sy kritik situatën tonë. Dhe kur ka sy kritik, ka vend për përmirësime. Dëshira është e madhe që ne të kemi një ekonomi që zhvillohet tej parashikimeve të FMN-së. Puna është zinxhir dhe efektet pozitive patjetër do të reflektohen në këtë gjashtëmujor të dytë. Deri këtu jemi në rregull, por duke patur parasysh të ardhurat që ka sjellë turizmi dhe duke patur parasysh edhe të ardhurat që do të sjellë në këtë muaj, në shtator, me një kalkulim të thjeshtë financiar, pavarësisht se vlerësoj saktësinë e parashikimeve të Fondit Monetar Financiar dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, mendoj se ne do të shkojmë me një rritje ekonomike 3.6 dhe 3.7 përqind për këtë vit.   

Intervistoi Fatos Çoçoli