Eurozona rishikon me ulje rritjen në tremujorin e dytë të vitit
2023-09-08 17:52:38

Rritja e tremujorit të dytë të vitit në Eurozonë u rishikua në 0.1% nga vlerësimi i mëparshëm prej 0.3%, bëri të ditur agjencia statistikore evropiane.

Sipas Eurostat-it, PBB-ja në Eurozonë u rrit me 0.5% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, bën të ditur “ATSH”.

Rritja tremujore e PBB-së në 20 vendet që përbëjnë zonën e monedhës së përbashkët në dy tremujorët e mëparshëm ishte gjithashtu e dobët duke u rritur me 0.1% në tremujorin e parë të këtij viti dhe një rënie me 0.1% në tremujorin e fundit të vitit 2022.

Inflacioni i lartë ka ulur kërkesën e konsumatorëve dhe sektori i eksporteve industriale është goditur nga një rënie në tregtinë globale.

“Shpenzimet e konsumit final të familjeve dhanë një kontribut të papërfillshëm në rritjen e PBB-së si në Eurozonë ashtu edhe në BE”, vuri në dukje Eurostat-i. (Elona)