Ministria kineze e Tregtisë : "Rrethi ndërkombëtar i miqve" të Kinës në ekonominë digjitale vazhdon të zgjerohet  
2023-09-08 14:26:47

Foto nga VCG

Ministria kineze e Tregtisë zhvilloi të enjten një konferencë të rregullt shtypi, ku zëdhënësi i saj iu përgjigj pyetjeve mbi tregtinë digjitale, marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet Kinës e Australisë dhe ndalimin e importit të produkteve ujore me origjinë nga Japonia.

Të enjten paradite u mbajt në Pekin Dialogu i 7-të i Nivelit të Lartë Kinë-Australi. Mediat thanë se ky ishte dialogu i parë i nivelit të lartë ndërmjet të dy vendeve që nga viti 2020. Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë He Yadong theksoi në konferencën e shtypit që, nga janari deri në korrik të këtij viti, tregtia kino-australiane arriti në 134.5 miliardë dollarë amerikanë, duke u rritur 5.4 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Lidhur me njoftimet që Japonia i paraqiti Organizatës Botërore të Tregtisë dokumentin ku thuhet se nuk i pranon masat e kontrollimit të importit të Kinës, He Yadong theksoi se marrja e masave urgjente tregtare është e drejtë, e arsyeshme dhe e nevojshme dhe se Kina do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur sigurinë e ushqimeve dhe shëndetin publik.

Mësohet se ekspozita e vetme profesionale ndërkombëtare në nivel kombëtar me temën e tregtisë digjitale në Kinë - Ekspozita Globale e Tregtisë Digjitale - do të mbahet në qytetin Hangzhou të provincës Zhejiang të Kinës Lindore nga 23 deri më 27 nëntor. He Yadong tha se ekspozita do të ofrojë mençuri dhe forcë për zhvillimin e tregtisë digjitale globale. Ai gjithashtu vuri në dukje se tregtia digjitale, së bashku me tregtinë e mallrave dhe tregtinë e shërbimeve, janë bërë tre shtyllat e fuqisë tregtare të Kinës.  "Rrethi ndërkombëtar i miqve" i Kinës në ekonominë digjitale vazhdon të zgjerohet, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë.

"Ne kemi krijuar mekanizma të bashkëpunimit dypalësh me 25 vende dhe kemi nënshkruar memorandume bashkëpunimi për investime në fushën e ekonomisë digjitale me 18 vende. Një grup ndërmarrjesh digjitale kineze kanë zhvilluar me suksese biznes jashtë vendit. Tani 10 ndër 21 marrëveshjet e tregtisë së lirë të nënshkuara nga Kina kanë pjesë të posaçme mbi tregtinë elektronike ose ekonominë digjitale," tha He Yadong. (Çang Çuo)