Huawei me “Mate 60”, nxjerr nga loja politikat proteksioniste
2023-09-08 14:32:28

Në 29 Gusht, gjigandi kinez Huawei hodhi në treg telefonin celular “Mate 60”, me mikroçipat e prodhuar nga vetë Kina, me teknologji 5G, me dimensionet 163.7 x 79 x 8.1 mm (6.44 x 3.11 x 0.32 in), me peshë 225 gr (7.94 oz), me xham përpara dhe prapa dyfish më të fortë se sa paraardhësit e tij, me strukturë alumini në mes, me sistem hibrid Dual SIM, rezistues ndaj ujit deri në 6 metra thellësi për 30 minuta, me rezolucion 1212 x 2616 pixels, me platformën HarmonyOS 4.0 (prodhim kinez), me memorie NM (Nano Memory) deri në 1T dhe deri në 12GB RAM, me tre kamera, LED flash, sistem panoramik, me HDR me video 4K, me selfie 13 MP, folës stereo, me WLAN - Wi-Fi drejtpërdrejt, dual-band, me Bluetooth 5.2, me bateri litiumi të instaluar, me një çmim rreth 890 €, konkurrues dukshëm i denjë i telefonëve celularë më të mirë në botë të kohëve të fundit, celular që vjen edhe në variantin Smartphone Mate 60 Pro.

Sipas specialistëve, Huawei paraqiti për konsumatorët në mbarë botën një smartfon avangard me procesor të brendshëm tepër të avancuar, që, kur nuk ka rrjet tokësor, thirrjet hyrëse dhe dalëse, i mbështet me anë të satelitit, duke lejuar edhe gjenerimin e hartave të gjurmëve të udhëtimit dhe dërgimin e mesazheve.

CFP

CFP

Menjëherë pas njoftimit, sasia e parë e telefonave celularë “Mate 60” u thith nga tregu, kryesisht nga klientët inovatorë, që me entuziazmin e tyre nxitën edhe adaptuesit e hershëm të blinin këtë pajisje futuristike telefonike, për t’i eksploronin karakteristikat, specifikimet dhe veçoritë.

Huawei shpesh ka theksuar se dëshiron të jetë lider global në disa prej produkteve të kësaj natyre dhe të këtij sektori dhe këtë kompania synon ta realizojë me anë të mekanizmit të motivimit të talenteve të kompanisë, duke nxitur inovacionin.

Kjo ngjarje e rëndësishme në botën e teknologjisë të së ardhmes shënon një përparim të madh jo vetëm në fushën e aparateve të telefonisë celulare, por shërben para së gjithash si një dëshmi tepër bindëse në atë që firmat kineze të teknologjisë së lartë mund të mbijetojnë dhe të bëhen edhe më të forta pavarësisht konkurrencës së firmave të tjera të fuqishme ndërkombëtare, si dhe pavarësisht sanksioneve të SHBA.

Sipas përdoruesve, “Mate 60 Pro” ka shpejtësi shkarkimi që tejkalojnë ato të telefonave më të mirë të teknologjisë 5G.

Edhe suksesi i arritjes së realizimit të të gjithë komponentëve të tjerë të këtij celulari mbetet një sukses më vehte për Huawei, dhe këtu bëhet fjalë për amplifikuesit e energjisë, çelsat dhe filtrat, etj, që janë pjesë të aspekteve funksionale të një telefoni celular të gjeneratës së fundit.

CFP

CFP

Huawei, që nuk përfshiu në faqen e webit të produkteve të saj shumë informacion rreth çipit, premtoi përvojë më të mirë komunikimi dhe lidhje më të qëndrueshme në rrjet.

Një numër i konsiderueshëm analistësh të fushës së teknologjisë dhe shumë përdorues të këtyre pajisjeve e përshëndetën përparimin e Huawei-t ndërsa mjaft të tjerë komentuan se kjo ngjarje ishte “një shuplakë në fytyrë për SHBA-në”, që shërben si shtytje për Kinën për të shmangur kontrollin në sektorin e teknologjisë, pasi kjo pajisje tashmë prodhohet me komponentë 100% të prodhuar nga Kina.

“Duket se masat e marra nga ana e SHBA-ve nuk bënë gjë tjetër veçse shërbyen si një burim force dhe vendosmërie për kompaninë Huawei të vazhdojë përpara me krijueshmëri, inovacion dhe standard, duke lënë pas një rrugë të hapur për t’u ndjekur”, komentuan mediat ndërkombëtare.

Telefoni inteligjent 5G, me çip të avancuar silikoni Kirin 9000 (që mendohej deri dje përtej aftësive të Kinës, për shkak të kufizimeve të eksportit, drejtuar nga SHBA), prodhuar nga Semiconductor Manufacturing International Corp (SMIC - një kompani pjesërisht shtetërore), me procesorin e parë që përdor teknologjinë më të përparuar 7 nanometër (nm), krijon tashmë kushtet që në Kinë të krijohet një kluster i firmave prodhuese të çipeve vendas.

CFP

CFP

Më parë, për shkak të kufizimeve të vendosura nga ana e SHBA-së, Huawei prodhonte pajisje të rrjetit 5G dhe telefona celularë të avancuar, por me çipa të grumbulluar, që nuk ishin prodhuar në Kinë. Huawei është ndaluar të ofrojë pajisje të rrjetit 5G në shumë vende, duke përfshirë ato të aleancës së sigurisë “Five Eyes”, për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare dhe për këtë Huawei ka ngritur një padi në një gjykatë në Lisbonë kundër operatorëve atje që u ndalohet përdorimi i pajisjeve të saj në rrjetet celulare 5G.

Jashtë Kinës, çipat më të mirë 7 nm prodhohen me një teknologji të mbrojtur shumë dhe nga afër nga ana e SHBA. Kina nga ana e saj do të çlirojë një fond të ri investimi, mbështetur nga shteti, me anë të të cilit synohet të sigurohen mbi 40 miliardë dollarë për sektorin e saj të çipave.

Washington Post me këtë rast shkruan: “Telefonët e rinj ndezin shqetësimin se Kina ka gjetur një mënyrë për të shmangur kufijtë e teknologjisë së SHBA dhe një zhvillim i tillë do të duket se përmbush paralajmërimet nga prodhuesit e çipave amerikanë se sanksionet nuk do ta ndalonin Kinën, por do t’a nxisnin atë për të dyfishuar përpjekjet për të ndërtuar alternativa ndaj teknologjisë amerikane”.

“Mate 60 Pro” u lançua gjatë vizitës në Kinë të Sekretares së Shtetit për Tregtinë, të SHBA-së, Gina Raimondo, që sipas disa mediave ishte “suveniri më i mirë i mundshëm”.

Në lidhje me këto zhvillime, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, gjatë një konference për shtyp, tha se SHBA-së i duhet “më shumë informacion saktësisht në lidhje me karakterin dhe përbërjen e këtij çipi, për të përcaktuar nëse palët kanë anashkaluar kufizimet amerikane mbi eksportet e gjysmëpërçuesve për të krijuar çipin e ri” dhe se SHBA “duhet të vazhdojnë rrugën e tyre të kufizimeve teknologjike, fokusuar ngushtë në shqetësimin lidhur me sigurinë kombëtare, pavarësisht nga rezultati”, deklaratë kjo që ndjek linjën e vitit 2019, kur qeveria e SHBA-së i ndaloi kompanitë amerikane të shesin softwerë dhe pajisje Huawei dhe kufizoi prodhuesit ndërkombëtarë të çipave që përdorin teknologjinë e prodhuar në SHBA nga partneriteti me Huawei, duke artikuluar shqetësimet e perceptuara të sigurisë kombëtare, të tilla si potenciali për sulme kibernetike, spiunazhi nga qeveria kineze, etj., ndërkohë që është e dukshme se Huawei thjesht synon pjesën e vet të tregut, bazuar në konkurrencë. 

CFP

CFP

Nga: Dr. Enriko Ceko