Në fillim të muajit shtator u çel sezoni artistik i Teatrit të Operas dhe Baletit shtator-dhjetor 2023. Përgjatë këtyre katër muajve publiku do ketë mundësi të ndjekë koncerte të muzikës simfonike, opera premierë, balete, si dhe shfaqje premierë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Të pranishëm në çeljen e këtij sezoni artistik ishin artistët e TKOB, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, si dhe Drejtoresha e Teatrit, Abigeila Voshtina, e cila përmendi premierat që do të mbahen përgjatë këtij sezoni artistik.
Sezoni i ri artistik merr hov nga një kalendar i pasur i muajit shtator, duke nisur më koncerte simfonike premierë të Mahler-it e Mendelssohn-it, të cilën e sjell Orkestra Simfonike, interpretuar nga Kori dhe Solistët e TKOB-së. Një tjetër shfaqje do ta sjellë në skenë Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, të cilët po përgatiten për premierën e“Tumankuqe”. Uni-n e trupës artistike të baletit, do e sjellë koreografia e Juliond Dervishit, si dhe me bashkëpunimin mes TKOB-së e “Harabel Contemporary” për International Contemporary Dance Festival in Tirana.
Elva Margariti
Rachmaninoff dhe Mahler, dy “zotat” e muzikës simfonike çelën siparin e Sezonit të ri Artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, me pianistin virtuoz, Giuseppe Albanese, i cili rikthehet në tempullin tonë të muzikës pas një viti dhe Orkestrën Simfonike të TKOB-it, nën dirigjimin maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli. Muzika është e vetmja gjuhë që flitet kudo njësoj, prandaj dhe kjo premierë ka marrë vëmendjen edhe të turistëve të huaj kryesisht nga Italia, Turqia, Anglia e Franca. Nga Italia, pianisti i mirënjohur Giuseppe Albanese, i cili do të performojë në TKOB “Rapsoditë mbi një temë të Paganinit”, të kompozitorit S. Rachmaninoff, ftoi nëpërmjet një videomesazhi të gjithë dashamirësit e muzikës simfonike për të ndjekur nga afër “Zemërimin e Zotave”, i cili u vë skenë për publikun më 2 shtator. Ndërsa përgatitjet kanë vijuar për një tjetër shfaqje për Orkestrën Simfonike, Korin dhe Solistët e TKOB po bëjnë përgatitje për të sjellë oratorion “Elias”, e cila do të shfaqet më 9 shtator. Oratoria “Elias”, është një nga veprat më të shquara të kompozitorit Felix Mendelssohn.
Muzika dramatike dhe emocionale, me korale të fuqishme dhe melodi të pasura do të ekzekutohen nga Orkestra Simfonike, Kori dhe Solistët e TKOB-së, nën dirigjimin e maetros Facundo Agudin dhe Dritan Lumshit. Kjo vepër madhështore do të interpretohet nga 30 orkestrantë të rinj, falë bashkëpunimit me Konservatorin “Umberta Giordano”, Foggia dhe Giuseppe Martucci”, Salerno. E veçanta e kësaj mbrëmjeje do të jetë dhe zëri i bardhë i 10-vjeçares Aislin Shyti, e cila do të ngjitet për herë të parë në skenën madhështore të TKOB-së. Me dirigjim orkestre nga Facundo Agudin, me dirigjim të korit nga Dritan Lumshi, me interpertimin e Baritonit Artur Vera i cili luan në rolin e (Elias). Sopranoja Renisa Laçka, Mezzo-soprano është artistja e mirënjohur Vikena Kamenica dhe Tenor Francesco Napoleoni, Zë i bardhë interpretohet nga Aislin Shyti, Koncertmaestër nga Herta Cane dhe Thanas Paskali.
Abigeila Voshtina
Drejtoresha e TKOB, Voshtina u shpreh se “me nismën e Ministrisë së Kulturës dhe bashkëpunimin e Harabel Conemporary shënohet një tjetër hap galopant në balet, me masterclass-in e maestros Angelin Preljocajt e me festivalet e njëpasnjëshme që do të marrin jetë në TKOB. Duke fuqizuar kështu baletin, jo veç atë kontemporan por edhe klasik”
Në kalendarin artistik të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit është përpiluar një program i pasur, me synimin e rritjes së cilësisë artistike. Risi e këtij viti ka qenë edhe krijimi i programit edukativ “Opera dhe fëmijët”, ku janë prezantuar disa vepra të zgjedhura të repertorit botëror, të përshtatura në një format për fëmijë. Gjithashtu ka qenë risi edhe “Masterclass”, që synon t’i shërbejë mjeshtërimit të cilësive e aftësive të artistëve, rritjes së tyre profesionale, por veçanërisht do t’u shërbejë artistëve të rinj.
Sava Lena