
Foto nga CFP
Bashkimi Evropian po kërkon mënyra për ta anashkaluar vendimin e Rusisë për të ndaluar eksportimin e sigurt të grurit të Ukrainës përmes Detit të Zi, raporton agjencia “AP”, citon “Panorama”.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka theksuar se nuk do të kthehet në fuqi marrëveshja për të lejuar Ukrainën që të eksportojë grurin përmes Detit të Zi, derisa Perëndimi nuk përmbush kërkesat e Rusisë për eksportet bujqësore.
Komisioneri i BE-së për Bujqësinë, Janusz Wojciechowski, deklaroi se duhet dhënë mbështetje financiare për çështjen e grurit të Ukrainës.
Duke folur pas një takimi jozyrtar të ministrave të Bujqësisë të BE-së në Cordoba, Spanjë, ai tha se duhet të mbështetet tranziti rrugor i grurit, si dhe hapja e porteve të reja detare.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë i kanë hedhur poshtë kërkesat e Rusisë si një dredhi për t’i çuar përpara interesat e veta. (Irma)
