Besimi i përcjellë nga CIFTIS u jep një mësim të mirë atyre që janë pesimistë për ekonominë e Kinës
2023-09-07 10:21:49

Foto nga VCG

83 vende dhe organizata ndërkombëtare krijuan pavijone në emër të qeverive ose selive të tyre, u hap një zonë ekspozimi prej 155 000 metrash katrorë, pati afro 280 000 vizitorë dhe më shumë se 1 100 arritje...  të gjitha këto në Panairin Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime të Kinës që u mbyll të mërkurën në Pekin. Gjatë pesë ditëve, larmia e produkteve, turmat e njerëzve dhe arritjet e shumta përçuan besim të vërtetë. 

Britania ishte vendi i ftuar i nderit në këtë panair. Këtë herë Britania formoi delegacionin e vet me përmasat e mëdha,  me mbi 60 ndërmarrje e organizata që morën pjesë. Përfaqësuesi britanik tha se nuk e besonte të ashtuquajturën "shkëputje". Kompanitë amerikane ishin gjithashtu shumë aktive, me "Qualcomm"-in dhe "Intel"-in që sollën një numër teknologjish dhe zgjidhjesh. Duke pasur parasysh që në korrik drejtuesit e shumë kompanive amerikane të mikroçipave kundërshtuan kufizimet e mëtejshme të qeverisë amerikane për eksportet e mikroçipave në Kinë, edhe ky panair ka dërguar një mesazh më të qartë për "mosshkëputjen".

Rastet e reja nga tregu i madh dhe ndryshimi i modelit të konsumit janë burimi i besimit. Shkalla e ndërkombëtarizimit të ekspozuesve me prani konkrete në këtë panair arriti më shumë se 20 %, duke përfshirë mbi 500 ndër pjesëtarët e listës së 500 kompanive kryesore të botës sipas revistës “Fortune” apo kompani udhëheqëse në industritë e tyre përkatëse dhe duke  mbuluar 28 nga 30 vendet dhe rajonet kryesore në tregtinë e shërbimeve. Zgjerimi i mëtejshëm i "rrethit të miqve" të panairit tregon se kompanitë të huaja e vlerësojnë tregun kinez.

Foto nga VCG

Tani Kina po e ndryshon fokusin nga konsumi i mallrave te konsumi si i mallrave, ashtu edhe i shërbimeve. Kështu, të dhënat e konsumit të shërbimeve kanë pasur një rritje të madhe. Në korrik, shitjet me pakicë për sa u përket sektorëve të transportit, akomodimit, hotelerisë dhe shërbimeve të tjera u rritën me 20.3 % krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Popullariteti i turizmit gjatë verës (qershor-gusht) është dukshëm më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2019 dhe numri i vizitorëve në mjaft pika turistike ka arritur një rekord të lartë. Numri i shikuesve të filmave në kinema gjatë sezonit veror i kaloi 500 milionët. Për kompanitë shumëkombëshe, ku ka treg, ka mundësi.

Njëkohësisht, vendosmëria e zgjerimit të hapjes e Kinës u jep edhe biznesmenëve të huaj besim. Kina ka liberalizuar në thelb hyrjen e investimeve të huaja në industrinë e prodhimit dhe po hap industrinë e shërbimeve në mënyrë gjithëpërfshirëse e të rregullt. Raporti "Hapja e industrisë së shërbimeve të Kinës në një botë në ndryshim" i publikuar në këtë panair thekson se ritmi i hapjes së industrisë së shërbimeve të Kinës është përshpejtuar dhe niveli i hapjes ka qenë dukshëm më i lartë se niveli mesatar i vendeve të tjera, veçanërisht për sa u përket hyjres së investimeve të huaja dhe trajtimit kombëtar.

Foto nga VCG

Në këtë panair, pala kineze shpalli se do të zgjerohet hapja në fushat e shërbimit si telekomunikacioni, turizmi, drejtësia dhe trajnimi profesional, gjë që i ka bërë biznesmenët e huaj plot shpresa. Një drejtues i kompanisë "Qualcomm" tha se Kina vazhdon të promovojë hapjen e nivelit të lartë ndaj botës së jashtme, me përfitime të dukshme në fushat kryesore si komunikacioni, gjë që rrit më tej besimin e "Qualcomm"-it te perspektivat e zhvillimit të tregut kinez. 

Më e rëndësishmja është që përpjekjet e vazhdueshme të Kinës për t'u ngritur në nivelin e sipërm të zinxhirit të vlerës u kanë dhënë më shumë besim biznesmenëve të huaj.  Vjet investimet e përgjithshme në kërkim-zhvillimin eksperimental të Kinës ishin 3.087 miliardë juanë, me një rritje prej 10.4 % krahasuar me vitin 2021, dhe pjesa e këtyre investimeve në PBB-në arriti në 2.55 %. Në këtë panair, 66 kompani publikuan 125 produkte e teknologji të reja në fushat e inteligjencës artificiale, teknologjisë financiare, shëndetësisë, krijimtarisë kulturore etj., duke demonstruar gjallërinë që sjell teknologjia e lartë në sektorin e tregtisë së shërbimeve. 

Panairi Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime i Kinës i ka dhënë energji të re rritjes së ekonomisë kineze dhe është një tregues i gjallërisë së kësaj ekonomie. Sivjet ekonomia kineze është rimëkëmbur më tej dhe prirja është e mirë. Banka Botërore, APEC dhe FMN parashikuan se ekonomia e Kinës këtë vit do të rritet përkatësisht 5.6 %, 5.4 % dhe 5.2 %. Sipas analistëve, në të ardhmen Kina do të vazhdojë të ruajë statusin e forcës nxitëse të rritjes globale. (Çang Çuo)