Makinat elektrike kineze kanë kërkesë në rritje në tregun indonezian
2023-09-07 09:28:23

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kanë kaluar tre muaj qëkur 32-vjeçari Angga Mahardika bën një udhëtim vajtje-ardhje nga shtëpia e tij në Bekasi, provincë e Javas perëndimore, në Indonezi, në zyrën e tij në kryeqytetin Xhakarta çdo ditë me automjetin e ri elektrik, prodhuar nga kompania kineze “Wuling Air EV”.

Për të, drejtimi i makine elektrike jo vetëm që i jep një përvojë më të qetë dhe më të përshtatshme drejtimi në rrugë, por gjithashtu i mundëson të kursejë më shumë para.

“Përpara se të kisha makinën elektrike, zakonisht shpenzoja rreth 2 milionë rupi (131.3 dollarë) në muaj vetëm për karburant, por tani më duhet të shpenzoj vetëm 800.000 rupi (52.54 dollarë) për karikim”, tha Angga në një intervistë për agjencinë kineze të lajmeve “Xinhua”.

Ai tha se zgjodhi makinën elektrike kineze, sepse ishte më e lirë dhe me një dizajn moder.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kjo lloj makine me katër vende ka një trup relativisht më të vogël në krahasim me makinat e tjera elektrike.

“Air EV” është i përballueshëm dhe mendoj se shumë njerëz të klasës së mesme mund të përballojnë ta blejnë atë. Sipas tij, nuk është e nevojshme të blihen makina më të shtrenjta që të kushtojnë më shumë dhe të shkaktojnë më shumë ndotje.

Depërtimi i makinave elektrike në tregun indonezian është vërtet duke parë një rritje të konsiderueshme, me markat kineze duke u bërë më të njohura, duke konkurruar fuqishëm me automjtetet e prodhuara nga Japonia dhe Koreja e Jugut.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Industrive Automobilistike të Indonezisë (GAIKINDO), shitjet e makinave elektrike në ekonominë më të madhe të Azisë Juglindore janë rritur ndjeshëm në tre vitet e fundit. Në vitin 2020, u shitën vetëm 125 njësi makine elektrike nga çdo markë. Në vitin 2021, shitjet u ngjitën në 687 njësi dhe vazhduan të rriteshin në vitin 2022 me 10.327 njësi. Në tremujorin e parë të vitit 2023, vendi regjistroi 5850 njësi makinash elektrike të shitura. Qeveria indoneziane ka promovuar dhe nxitur fort shitjet e automjeteve elektrike për përdorim të përditshëm. Kjo është pjesë e përpjekjeve të vendit për t'u shndërruar në një energji më të pastër, veçanërisht pas ndotjes së madhe të fundit në Xhakartë. Për ta bërë atë më të përballueshme për popullin e saj, qeveria indoneziane ka ofruar subvencione që mbulojnë deri në 200.000 motoçikleta elektrike dhe 35.900 makina elektrike, si dhe një taksë mbi vlerën e shtuar prej 10 për qind për blerjen e makinave elektrike dhe autobusëve.

Angga, për shembull, e bleu automjetin e tij “Air EV” për 284 milionë rupi (18.653 dollarë). Çmimi u ul prej një subvencioni prej 21 milionë rupi (1379 dollarë). Në vitin 2022, të dhënat e shoqatës treguan se “Wuling Motors” e Kinës zotëronte 78 për qind të tregut të automjeteve elektrike në Indonezi, e ndjekur nga “Hyundai Motor” e Koresë së Jugut me 20 për qind dhe japonezja “Toyota” me 1.4 për qind.

Në panairin vjetor ndërkombëtar të automjeteve, “GAIKINDO Indonesia” (GIIAS), të mbajtur në Tangerang nga 10 deri më 20 gusht, u evidentuan një sërë modelesh të makinave elektrike kineze.

Të paktën shtatë variante të reja të makinave elektrike kineze u prezantuan gjatë këtij eventi, duke përfshirë “Neta V” nga “Hozon Auto Manufacturing”, “Seres E1” nga “Sokonindo Automobile” dhe “EV Multi-Purpose Vehicle (MPV) Maxus Mifa 9” nga “Indomobil Group”.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Seres E1” ishte makina elektrike më e lirë e promovuar në GIIAS, duke kushtuar 189 milionë rupi (12.413 dollarë) për njësi.

Në eventin 10-ditor, “Wuling Air EV” e Kinës u bë bestselleri, me 885 njësi të shitura, duke përbërë 50 për qind të totalit të 1771 njësive elektrike të shitura në event, pasuar nga “Hyundai Ioniq 5” e Koresë së Jugut me 776 njësi. Ndërsa, “Seres E1” shiti deri në 688 njësi.

Një nga blerësit ishte Fina Ghaissani Fatwa, një sipërmarrëse 36-vjeçare nga Xhakarta, e cila vizitoi GIIAS më 13 gusht. Ajo deklaroi për “Xinhua” se kishte ardhur në ekspozitën e makinave për të blerë një makinë elektrike kineze.

“Më duhej një makinë elektrike e vogël me ngjyrë jo të ndezur për të dërguar dhe marrë fëmijë në shkollë çdo ditë, jo për lëvizje me orë të gjata. Dhe më pëlqeu shumë “Seres E1”. Duket shumë e lezetshme dhe, më e rëndësishmja, shumë e lirë. Nuk mund ta besoja se mund të merrja një makinë elektrike për nën 200 milionë rupi (13.136 dollarë)”,- tha Fetwa.

Sipas saj, dihet që shumica e gjërave të prodhuara nga Kina në Indonezi janë relativisht më të lira se produktet perëndimore, madje edhe më të lira se ato japoneze. Ajo e vlerësoi shumë cilësinë e prodhimeve kineze.

Ministri Koordinues për Çështjet Ekonomike në Indonezi, Airlangga Hartarto, ka deklaruar së fundi se numri në rritje i markave kineze të automjeteve elektrike që hyjnë në Indonezi do të sillte ndikime të mira në tregun e vendit në sektorin e automobilave.

Kjo, sipas tij, tregon se prodhuesit kinezë të automjeteve kanë dëshmuar përkushtimin e tyre për të prodhuar automjetet në Indonezi.

“Ne shohim se shumë automjete elektrike kineze po vijnë me çmime të përballueshme. Kjo pritet të rrisë konkurrencën në tregun tonë të makinave”,- tha ai.

“Riyanto”, një vëzhgues dhe studiues i automjeteve në Institutin për Kërkime Ekonomike dhe Sociale të Universitetit të Indonezisë, bëri të ditur se Kina kishte ndërmarrë hapin e duhur për të depërtuar intensivisht në tregun e automjeteve elektrike në Indonezi, kombi i katërt më i populluar në botë.