Kryeministri i Kinës Li Qiang tha të mërkurën në takimin me kryeministrin e ri të Kamboxhias Hun Manet se lidhjet dypalëshe u kanë bërë ballë ndryshimeve në arenën ndërkombëtare dhe kanë mbetur të forta e të pathyeshme, duke krijuar shembullin e një lloji të ri marrëdhënieve ndërkombëtare.
Kryeministri i Kinës Li Qiang takohet me homologun e Kamboxhias Hun Manet(Foto:Xinhua)
Të dy krerët e qeverisë ndodheshin në Xhakartë të Indonezisë për të marrë pjesë në mbledhjet e udhëheqësve mbi bashkëpunimin në Azinë Lindore.
Në takim, që ishte i pari ndërmjet tyre, Li vuri në dukje se Kina ka qenë një partnere e besueshme e Kamboxhias dhe do ta mbështesë si gjithmonë në ndjekjen e një rrugë zhvillimi që përputhet me kushtet kombëtare dhe në mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe interesave të saj të zhvillimit.
Ai u bëri thirrje të dy palëve për të forcuar shkëmbimet miqësore, për të ndërthurur më tej strategjitë e tyre të zhvillimit dhe për të nxitur zhvillimin e përbashkët.
Hun Manet theksoi nga ana e tij se, që nga vendosja e lidhjeve diplomatike dypalëshe 65 vjet më parë, bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve ka qenë frytdhënës, duke shtuar që Kina ka qenë mike e mirë dhe partnere e besueshme e Kamboxhias.
Qeveria e re kamboxhiane, tha ai, do të vazhdojë të respektojë parimet dhe kuadrin e marrëdhënieve me Kinën dhe do të punojë me palën kineze për të nxitur zhvillimin e ri të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat mbi bazën e lidhjeve miqësore mes të dy vendeve të ndërtuara së bashku nga ish-kryeministri i Kamboxhias Samdek Techo Hun Sen dhe presidenti kinez Xi Jinping.(Artan)