Raporti: Bashkëpunimi ndërkombëtar thelbësor në promovimin e zhvillimit global
2023-09-07 16:54:11

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe qeverisja globale janë masa jashtëzakonisht të rëndësishme për kthimin e zhvillimit global në rrugën e duhur, ndërsa bota ka hyrë në një periudhë të re turbulence dhe ndryshimi, thuhet në një raport kërkimor, cituar nga “Xinhua”.

Raporti i Zhvillimit Global 2023, i publikuar nga Qendra për Njohuri Ndërkombëtare mbi Zhvillimin, analizoi dhe vlerësoi situatën aktuale dhe tendencat kryesore të zhvillimit global dhe propozoi masa për të trajtuar sfidat. Raporti synon të ofrojë sugjerime për rikthimin e zhvillimit global në rrugën e duhur, duke bashkuar përpjekjet për të kapërcyer deficitin e zhvillimit global dhe për të përshpejtuar zbatimin e Agjendës së OKB-së 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Duke nënvizuar reagimin kundër globalizimit ekonomik dhe rritjen e pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë së zhvillimit global, raporti bëri thirrje për përpjekje për të promovuar zhvillimin e përbashkët dhe të qëndrueshëm të të gjitha vendeve mbi bazën e bashkëpunimit të favorshëm dhe ndërtimin e një komuniteti global zhvillimi.

“Duhet të punohet sipas parimeve të dhënies së përparësisë zhvillimit, vendosjes së njerëzve në radhë të parë, mbështetjes së përfitimit universal dhe gjithëpërfshirjes, ndjekjes së qasjeve të orientuara nga inovacioni dhe veprimit, të jetuarit në harmoni me natyrën dhe respektimit të multilateralizmit të vërtetë”,- thuhet në raport.

Raporti theksoi rolin e Kinës në nxitjen e rritjes. Norma mesatare vjetore e rritjes së PBB-së së vendit ishte 9.1 për qind nga viti 1978 në 2022-shin dhe nisma “Një brez, një rrugë”, e propozuar një dekadë më parë, ka krijuar 420.000 vende pune për vendet e kësaj iniciative dhe ka ndihmuar gati 40 milionë njerëz të dalin nga varfëria.

Iniciativa e Zhvillimit Global (GDI) e propozuar nga Kina ka marrë përgjigje gjithnjë e më pozitive dhe pjesëmarrje të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar, tha Long Guoqiang, nënkryetar i Qendrës Kërkimore të Zhvillimit të Këshillit Shtetëror.

Sipas tij, gati 70 vende i janë bashkuar Grupit të Miqve të GDI-së. Për të mbështetur zbatimin e GDI, Kina njoftoi 32 veprime konkrete në vitin 2022, gjysma e të cilave ose janë kryer ose kanë arritur rezultate të prekshme. (Irma)