Foto nga CFP
Venecia planifikon ta bëjë me pagesë hyrjen për vizitorët ditorë duke filluar nga viti i ardhshëm. Autoritetet lokale kanë propozuar një pagesë prej 5 eurosh, pasi duan të zvogëlojnë numrin e turistëve, ngaqë UNESCO mendon ta vendosë qytetin italian në listën e rrezikut të trashëgimisë, shkruan “RTSH”.
Fillimisht do të ketë një eksperiment për 30 ditë vitin e ardhshëm dhe do të aplikohet në ditët e pushimit dhe fundjavat e verës kur numri i turistëve e arrin kulmin.
Ekzekutivi i këshillit të qytetit e mbështeti masën, vetëm disa javë pasi UNESCO-ja rekomandoi që Venecia të shtohej në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik, pjesërisht për shkak të ndikimit të turizmit masiv.
Banorët, udhëtarët, studentët dhe fëmijët nën moshën 14 vjeç do të përjashtohen, si dhe turistët që qëndrojnë në qytet gjatë natës.
Plani, i cili është hedhur prej kohësh, duhet të miratohet ende nga këshilli më i gjerë i qytetit, i cili mblidhet më 12 shtator.
Agjencia kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO e vendosi Venecian në listën e saj të trashëgimisë në 1987 si një kryevepër të jashtëzakonshme arkitekturore, por ajo ka paralajmëruar nevojën për menaxhimin më të qëndrueshëm të turizmit. (Irma)