Bashkimi Evropian ashpërson rregullat për gjigantët e teknologjisë
2023-09-07 16:28:24

Bashkimi Evropian vendosi që gjashtë kompani të mëdha të teknologjisë do t’i nënshtrohen rregullave më të ashpra, për të parandaluar abuzimin prej tyre me pozicionet dominuese në treg.

Komisioni Evropian bëri të ditur se masat zbatohen për “Microsoft”, “Amazon” dhe “Meta”, duke përfshirë shërbimet “Facebook”, “WhatsApp” dhe “Instagram”, si dhe “Alphabet”, “Apple” dhe “ByteDance”, pronarë të aplikacionit “TikTok”, përcjell “ATSH”.

Sipas KE-së, kompanitë nuk do të lejohen më të japin trajtim preferencial për shërbimet e tyre në renditje dhe mund të bashkojnë të dhëna nga burime të ndryshme vetëm me pëlqimin e qartë të përdoruesit.

Ata kanë gjashtë muaj kohë për të zbatuar rregullat.

Shkeljet mund të rezultojnë në gjoba të rënda dhe në raste të jashtëzakonshme, edhe shpërbërje. (Irma)