Nukla inovacioni në çdo ministri
2023-09-07 09:56:40

Inovacioni (Foto Adevinta)

Inovacioni (Foto Adevinta)

Në një deklaratë për mediet numri dy i qeverisë shqiptare Belinda Balluku është shprehur se në shtator pritet që në çdo ministri të krijohen nukla të inovacionit, të cilat do t’i propozojnë ministrit dhe organizatës së çdo ministrie projektet e reja. Ministrja theksoi se brenda vjeshtës pritet që këto nukla t’i ketë në përdorim çdo ministri, teksa  theksoi se në këtë sektor pagat do të jenë më të larta se në çdo sektor tjetër me qëllim tërheqjen e sa më shumë profesionistëve

“Shumë plane dhe strategji që duhen zhvilluar në të ardhmen duhen nisur nga një strategji dhe plan afatshkurtër të 300 ditëve dhe afatmesëm 3 vjeçar, duke qëndruar dhe ndjekur planin strategjik që kemi pasur edhe në programin strategjik, planin e zhvillimit të Shqipërisë 2030. Sa i përket mënyrës së funksionimit të ministrive, duke nisur nga ky shtator  nis krijimi i nuklave të inovacionit, një kërkesë e kryeministrit, e lindur edhe për shkak të zhvillimeve që ndodhin në Republikën e Shqipërisë, duke nisur nga dixhitalizimi i të gjithave shërbimeve, numri i të cilave vazhdon të shtohet dita ditës dhe qytetarët tashmë e kanë të prekshme këtë dixhitalizim ku nga fushat që kërkojnë marrin shërbim.”- u shpreh Balluku.

Zv, Kryeministrja Belinda Balluku (Foto  Gazeta Si)

Zv, Kryeministrja Belinda Balluku (Foto  Gazeta Si)

Kjo nismë, sipas Ballukut shkon në një linjë me investimet e bëra deri tani nga qeveria. Krijimi i grupeve të tilla të profesinistëve në çdo dikaster do të bëjë të mundur zhvillimin e ideve të reja, realizimin e  tyre dhe efikasitet më të lartë.

“Nga ana tjetër duhet përmendur se Shqipëria operon me teknologji moderne, siç është rasti i satelitëve, të cilët pavarësisht se u përfolën shumë në fillimin e lançimit të këtij projekti gjigant, sot kemi rezultate të prekshme, të cilat i kemi paraqitur edhe para publikut dhe po përdoren për arsye mjaft të mira sa i përket emergjencave civile, por edhe në sektorët zhvillimor siç është bujqësia, turizmi dhe mjedisi. Duke pasur të gjitha këto zhvillime teknologjike dëshirën e madhe që ndjekim edhe ato zhvillime të cilat tregu i teknologjisë sot i ka të disponueshme siç është edhe inteligjenca artificiale, ne na ka lindur nevoja që brenda ministrive tona të kemi nukla inovacioni. Ato nukla të cilat do i propozojnë ministritë do t’i propozohen trupës së administratës të çdo ministrie. Bëhet fjalë për  projekte inovatore të cilat mund të bashkërendojnë punën e ministrive. Për të pasur nukla sa më efikase ne do na duhet që të dalim në tregun shqiptar për të përthithur sa më shumë njerëz, të cilët kanë pasion ndaj inovacionit.”- tha Balluku.

Të rinjtë dhe inovacioni (Foto Tirana EYC)

Të rinjtë dhe inovacioni (Foto Tirana EYC)

Ata të cilët do të jenë pjesë e kësaj nisme, do të jenë të mirëpaguar sipas ministres. Madje synohet që në Shqipëri të kthehen edhe të rinj të diasporës për të realizuar këtë projekt.

“Për të qenë konkurrues, duke ditur mirë që sot se pagat e tregut janë të larta sa i përket të gjithë atyre që janë të përgatitur dhe kanë formim, i cili do i përgjigjet kërkesave të nuklave dhe informacionit të inovacionit. Ndaj kemi vendosur që të aplikojmë, siç kemi bërë edhe me disa kategori të punonjësve të administratës, që ata të paguhen me paga më të larta sesa sektorët e tjerë për të përthithur trurin më të mirë që ka tregu shqiptar dhe diaspora. Në ditët në vijim, pasi të konsolidohet kjo ide e re  dhe pasi të vendoset në një kornizë procedure se si do të funksionojë, ne do kemi mundësi që brenda vjeshtës këto nukla t’i kemi të disponueshme pranë ministrisë, e cila do të ketë nevojë për t’i përdorur. Nga ana tjetër, sot kemi diskutuar për një vendqëndrim të përbashkët të secilës prej këtyre nuklave, për të krijuar kështu një interaktivitet mes nuklave përfaqësuese të ministrive të ndryshme, por dhe për të arritur produkte të përbashkëta. “- u shpreh ministrja.

Inovacioni (Foto Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë)

Inovacioni (Foto Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë)

Ky program është konsultuar edhe me ekspertë të huaj.

“Këto janë praktika të mira ndërkombëtare, të cilat ne duke i diskutuar me partnerët tanë dhe bashkëpunëtorët i kemi të disponueshme dhe mund t’i përdorim, ndaj do të vazhdojmë të njoftojmë publikun sa i përket kësaj vendimmarrje të re të qeverisë shqiptare, për t’i dhënë një frymë inovacionit akoma edhe më të madhe.”- tha Balluku.