Kryeministri kinez Li Qiang u takua me homologun australian Anthony Albanese gjatë pjesëmarrjes në një sërë mbledhjesh të liderëve të vendeve të Azisë Lindore, që po zhvillohen në kryeqytetin e Indonezisë Xhakartë.
Kryeministri kinez Li Qiang takohet me homologun australian Anthony Albanese, 7 shtator 2023(Foto:Xinhua)
Li Qiang tha se marrëdhëniet e shëndetshme dhe të qëndrueshme kino-australiane janë në përputhje me interesat themelore dhe aspiratat e përbashkëta të dy popujve. Kina është e gatshme të punojë me Australinë për të rifilluar së shpejti shkëmbimet dypalëshe në fusha të ndryshme, për të promovuar mekanizmat e konsultimeve dhe dialogut për diplomacinë, ekonominë, tregtinë, arsimin dhe çështjet konsullore, duke ofruar mbështetje të fortë për përmirësimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Sipas kreut të qeverisë kineze, duke këmbëngulur në kërkimin e zhvillimit të përbashkët nëpërmjet ndarjes së përbashkët të mundësive, Kina do të vazhdojë të zgjerojë hapjen e saj të nivelit të lartë ndaj botës së jashtme dhe të ofrojë një treg më të madh për vendet në mbarë botën, përfshirë Australinë. Kina dhe Australia duhet t'i trajtojnë siç duhet dallimet në frymën e respektit të ndërsjellë, të kërkojnë pikat e përbashkëta duke lënë mënjanë dallimet në frymën e përfitimeve të ndërsjella, të nxitin zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe të ruajnë së bashku paqen e qëndrueshmërinë në Azi-Paqësor.
Albanese tha nga ana e tij se marrëdhëniet Australi-Kinë janë shumë të rëndësishme. Pala australiane inkurajohet nga përparimi i këtyre marrëdhënieve dhe është e gatshme të punojë me Kinën për të thelluar bashkëpunimin në fushat ekonomiko-tregtare, duke shtuar shkëmbimet mes njerëzve dhe kulturave e duke menaxhuar dhe kontrolluar siç duhet dallimet, për të krijuar marrëdhënie dypalëshe të qëndrueshme e konstruktive në dobi të dy popujve.(Zhang Yan/Artan)