Blendi Arifi: Teatri është një emocion i veçantë
2023-09-06 09:28:59


Blendi Arifi ka mbaruar studimet e larta në Universitenin e Arteve në Tiranë për aktor dhe gjatë karrierës së tij artistike ka marrë pjesë në disa shfaqje. Gjithashtu ai ka realizuar dhe disa projekte individuale që janë pritur mjaft mirë nga artdashësit. Edhe pse prej disa vitesh është shpërngulur në qytetin e tij të lindjes Gjilan, Blendi vazhdon të mbajë kontakte me ish kolegë dhe pedagogët e tij dhe shpreson që të rikthehet në Tiranë me projekte të reja artistike. Para pak kohësh ai vendosi në teatrin e Gjilanit një shfaqje individuale, që u prit mjaft mirë nga publiku. Në një intervistë për  Radio Ejani Blendi Arifi tregon për rrugtimin e tij artistik, projektet e realizuara si dhe planet për të ardhmen.

CMG: Keni përfunduar studimet e larta në Universitetin e Arteve në Tiranë. Si ju lindi pasioni për kinemanë dhe teatrin dhe pse zgjodhët Tiranën për studimet?

Blendi Arifi: Pasioni për artin, teatrin, muzikën apo kinemanë ka ardhur si trashëgimi e prindërve të mi tek unë. Kështu që duke ndjekur një shembull të tillë detyrimisht që edhe unë do të kanalizohesha në atë lloj drejtimi. Studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë kanë nisur fare spontanisht. Kur kam qenë i vogël kam ndjekur një kurs aktrimi dhe kisha vendosur që ta lija për të vazhduar muzikën, ndërsa vazhdova shkollën e muzikës në Gjilan.

Jeta është e çuditshme, duke qenë se më vonë lashë muzikën për të vazhduar për aktrim. Kisha aplikuar në Universitetin e Arteve në Prishtinë për aktrim, por nuk rezultova fitues dhe u demoralizova pak dhe doja të hiqja dorë sepse e mora si shenjë se mbase nuk bëj për këtë punë. Krejt papritmas babai më  propozoi që të provoja në Tiranë. Kështu që vendosa të vija në konkurs në Tiranë, ku fitova dhe vazhdova akademinë për pesë vjet në sistemin bachelor dhe master. Ndërkohë zhvillova një karrierë artistike në Shqipëri, për të cilën jam shumë i kënaqur dhe krenar.

CMG: Vazhdoni t’i ushtroni të dyja, muzikën dhe aktrimin?

Blendi Arifi: Ndonëse në muzikë nuk jam shumë aktiv, por  thjesht krijoj në baza personale. Nuk jam në publik me muzikën aq sa jam në aktrim, por është një profesion që e ushtroj.

CMG: Gjatë studimeve dhe qëndrimit në Tiranë keni marrë pjesë në disa produksione. Flasim për projektet tuaja artistike të realizuara në Shqipëri?

Blendi Arifi: Në vitin e parë master më erdhi një mundësi shumë e madhe për të dalë në shfaqje, një mundësi që mund të vijë shumë pak herë në jetë, të punoja me një regjisor të njohur dhe të madh, pedagogun tim profesor Milto Kutali, i cili më ftoi në shfaqjen e tij, ku në krah kisha disa aktorë të shquar shqiptarë si Arben Derhemi, Ahmet Pasha dhe Ina Morinaj. Në këtë pikë unë nisa karrierën, pastaj ishte një portë e madhe që mu hap dhe vazhdova duke qenë aktiv.

CMG: Cilën do të veçojë nga shfaqjet si më të suksesshmen dhe të veçantën?

Blendi Arifi: Unë kam pasur disa projekte në teatrin e Metropolit. Kam pasur një projekt në Korçë, i cili më ka lënë një shije shumë të mirë dhe kam shumë nostalgji për Korçën. Gjithashtu dhe shfaqjet tek Metropoli kanë qenë shumë të bukura, por do të veçoja një shfaqje të cilën e kemi bërë në baza individuale, unë me dy shokët e mi, në një ambient alternativ në një lokal në Tiranë. Ajo shfaqje ka pasur impaktin më të madh tek unë dhe ka qenë një nga shfaqjet që më ka pëlqyer më shumë.

CMG: Do preferoje më tepër të luaje në teatër apo kinema?

Blendi Arifi: Për t’i dhënë balancë unë përvojën më të madhe e kam në teatër. Kam një lloj flirtimi në distancë me kinemanë, të cilën nuk e kam aq të theksuar si përvojë. Kam një dëshirë shumë të madhe për të punuar në projekte kinematografike, por teatri është një ndjeshmëri dhe një emocion shumë i veçantë.

CMG: Para pak kohësh në qytetin e Gjilanit kishit një shfaqje individuale “American Buffalo”. Si u prit nga publiku kjo shfaqje?

Blendi Arifi: Në muajin prill ishte premiera dhe ka qenë një iniciativë e imja personale. Ishte një vepër që e lexova në anglisht dhe më pëlqeu shumë. Mendova që nuk duhet ta humbas si mundësi për ta vënë në skenë dhe për ta luajtur sepse ishte hera e parë që po vija diçka në skenë dhe po luaja vetë. U përballa me një lloj vështirësie të madhe, duke qenë se ishte hera e parë, por gjithçka shkoi mirë dhe publiku e priti shumë mirë, ku rezultoi çdo gjë me sukses.

CMG: Keni disa vite që jetoni në Gjilan, si i mbani kontaktet me ish kolegë në Shqipëri?

Blendi Arifi: Edhe pse jemi larg kontaktet nuk humbasin, kështu që mua më merr malli shpesh për Tiranën dhe ja di vlerën shumë herë më shumë tani që jam në distancë. Patjetër që kur të jetë mundësia do rikthehem përsëri në Tiranë me projekte sepse është një pjesë e pandashme e jetës time. Tirana më ka dhënë shumë.

CMG: Sa ju ka mbështetur familja në rrugën e artit?

Blendi Arifi: Nuk po i shpëtoj dot hijes së prindërve të mi. Padyshim që përkrahja e tyre është gjithmonë prezente, ku dhe në projektin “American Buffalo” nuk e di sesi do ja dilja pa përkrahjen e prindërve. Ju jam mirënjohës dhe falenderues gjithmonë.

CMG: Gjilani shquhet ndër qytetet e Kosovës që ka shumë aktivitete artistike dhe kulturore. Besoj se dhe jeta juaj artistike gjen vend në atë qytet?

Blendi Arifi: Tani në shtator nis sezoni i ri artistik, ku do të ketë shfaqje dhe evente të ndryshme. Mezi po pres që të aktivizohem, ndonëse periudha e verës ka qenë pak pasive dhe njerëzit janë me pushime.

CMG: Do ta pranosh nëse do të marrësh ndonjë ftesë nga Tirana për të luajtur në teatër ose film?

Blendi Arifi: Absolutisht po, pa u menduar dy herë.

CMG: Mendon se sot ka talente të rinj në fushën e teatrit dhe kinemasë?

Blendi Arifi: Brezi i ri është shumë i talentuar dhe informacionet që ka ky brez janë të mahnitëshme. Më bëhet qejfi që rruga e artit dhe kulturës nuk po humbet, prodhimtari ka shumë, ka vend për të gjithë. Sigurisht që gjithmonë ka vend për përmirësime, por kjo vjen nga natyra jonë si njerëz që kërkojmë gjithmonë më shumë. Unë vetë jam i kënaqur me jetën artistike.

CMG: Do të rikthehesh në muzikë për publikun në një të ardhme?

Blendi Arifi: Muzikën e kam pak më personale dhe nuk kam preferuar të ndaj asgjë nga krijimet e mia. Mbase në ndonjë të ardhme edhe mund të publikoj ndonjë gjë për publikun.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Blendi Arifi: Ju përshëndes të gjithëve dhe vazhdoni ndiqeni Radio Ejani.

Intervistoi: Gazmend Agaj