Jorgo Gjikopulli - Dhermiu
Nëse sot është një nga destinacionet turistike tepër i pëlqyer që tërheq turistë nga e gjithë bota, pa hezitim mund të thuhet se Dhërmiu gjithmonë ka qenë i tillë. Edhe atëherë kur bumi turistik nuk është ky i sotmi, për piktorët ishte një strehë frymëzimi e dashurie. Atë pa frikë mund ta quajmë si pasion i përhershëm i piktorëve shqiptarë, që nis me piktorë vendas si Jorgo Gjikopulli, për t’u pikturuar nga të tjerë piktorë, që kohën e pushimeve e shndërronin në kohë frymëzimi për të punuar peziazhet frymëzuese të këtij fshati piktoresk mesdhetar. Shtëpitë e vjetra, kishat që i gjeje në çdo rrugë e deri në oborret e shtëpive, rrugicat me kalldrëm, ngërthenin diçka tejet mistike dhe asnjë artist nuk mund të ishte indiferent ndaj tyre. Kjo traditë e pikturimit ka vazhduar e vazhdon. Cilët janë disa nga artistët që e kanë pikturuar Dhërmiun?
Piktura e parë që vjen për Dhërmiun, i përket vitit 1848 dhe është realizuar nga një piktor i huja që vizitoi Shqipërinë dhe pasqyroi në veprat e tij shumë peizazhe shqiptare që atij i patën lënë mbresë. Mes tyre edhe Dhërmiun. Bëhet fjalë për piktorin Edward Lear dhe pasionin e tij për Dhërmiun. Më vonë e shohim të pikturuar nga shumë piktorë shqiptarë.
Jorgo Gjikopulli është ndër piktorët që i ka kushtuar më shumë se asnjë tjetër veprat e tij, fshatit të lindjes, Dhërmiut. Por piktori na beson një sekret. Ai pikturon përmes përshtypjes dhe nostalgjisë që i ka lënë Dhërmiu në vogëlinë e tij dhe jo thjesht “shih dhe bëj”. Sot Dhëmriu ka ndryshuar, nuk është më ai i dikurshmi. Ai e njeh më së miri peizazhin e fshatit të tij meqënëse e ka pikturuar me dhjetëra herë dhe pëlqen Dhërmiun e dikurshëm dhe kujtimet e tij që vijnë edhe përmes futjes së personazheve në kuadratin e telajos.
Piktura e tij vjen shumë e këndshme dhe e veçantë. Ai pëlqen të pikturojë Dhërmiun e tij me njolla të mëdha ngjyrash dhe ngjyra të sheshta, por prap brenda tyre, atij i pëlqen të vizatojë nuanca të tjera më të vogla dhe pranëvënia e tyre të lejon të lexosh më shumë dhe të shohësh dritë më tepër në telajo.
Agron Dine - Dhermiu i vjeter
Agron Dine është një artist që i përket shkollës vlonjate të pikturimit. Ai ka me dhjetëra punime që i kushtohen Vlorës dhe brigjeve të saj dhe në këtë dëshirë për të pikturuar brigjet, bie në sy një pezaazh i Dhërmiut të vjetër, siç e mban mend ai. Peizazhi është pikturuar në vitin 2019 dhe piktori në këtë rast, nuk fokusohet tek deti dhe shkëmbinjtë etij, por tek një rrugicë e vjetër me kalldrem. Ai impresionohet nga elementët autoktonë të mjedisit dhe i përcjell në telajo. Në këtë peizazh autori sjell sjell natyrën dhe poetikën e fshatit piktoresk.
Buron Kaceli - Dhermiu 1974
Buron Kaceli është një piktor shumë prodhimtar, që përmes të tjerash, preferon peizazhin. Dhërmiu është pikturuar disa herë prej tij, në periudha dhe këndvështrime të ndryshme. Ai ka pikturuar si fshatin karakteristik, ashtu edhe bregun shkëmbor, por ne do të ndalojmë tek një peizazh i kohëve të hershme që fokuson fshatin. Kjo vepër e Buron Kacelit është realizuar në vitet '70, kur nga ekspeditat e piktorëve në Himarë realizoheshin peizazhe të ndryshme. Peizazhi të krijon emocion, shquhet për dritën e tij, përmes shtëpijave të bardha karakteristike të Dhërmiut. Raporti I ngjyrave mes jeshilës, së ngrohtës, me pullazet e kuqe dhe në sfond detin blu, krijon një kompozim shumë harmonik e ftues njëkohësosht.
Pashk Pervathi - Dhermiu- peizazh, vaj 2019
Pashk Përvathi është piktori që nga pikturuar çdo cep të Shqipërisë e nuk i mungon këtij mozaiku as Dhërmiu, i pikturuar disa herë pre tij. Këndi i zgjedhjes, ngjyra, loja grafike dhe të gjithë elementet që kompletojnë veprën janë të pangatërrueshme me gjithkënd tjetër. Edhe pa nënshkrimin e autorit ato dallojnë menjëherë që janë të qendisura me mjeshtëri nga dora e Përvathit. Drita dhe ngjyra janë dy elementët parësorë që spikasin në peizazhin e tij. Ai është i qartë në stil dhe formë. Nuk joshet nga moda, por mbetet konsekuent i shijeve të veta, duke dëshmuar se është njohës i mirë i “ligjeve” të punës në pikturimin e peizazhit.
Helidon Haliti gjatë këtij viti ka realizuar një cikël peizazhesh së rivierës shqiptare, ku spikasin ato me temën e Dhërmiut. Ne kemi zgjedhur njëri prej tyre. Ky peizazh shquhet për transparencën dhe butësinë e tij. Peizazhi është i punuar me akuarel që e përdor mirë. Edhe pse akuareli është një teknikë disi tekanjoze, ai arrin që përveçse i shkrifët dhe i butë të jetë edhe i saktë.
Olsjana Ajdini, një artiste e re emri i së cilës nuk njihet, ka arritur megjithatë të tërheqë vëmnedjen me mënyrën origjinale me të cilën ajo ka realizuar një peizazh të Dhërmiut. Përmes teknikës së mozaikut ajo ka realizuar një punë shumë interesante, pasi për mozaikun ka përdorur rreth 163 500 copa lulesh të prera, për të cilën ka shpenzuar rreth 787 orë pune, në 100 ditë.
Neritana Kraja