Rritet inflacioni në Turqi, më i larti në tetë muaj
2023-09-06 15:58:13

Inflacioni i çmimeve të konsumit në Turqi u përshpejtua për të dytin muaj radhazi, në gusht, në nivelin më të lartë në tetë muaj, i nxitur kryesisht nga kostot e larta të ushqimit dhe transportit, njoftoi Instituti turk i Statistikave.

Të dhënat zyrtare treguan se edhe çmimet e prodhimit vazhduan rritjen e mprehtë në gusht, shkruan “ATSH”.

Indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 58.94% në terma vjetorë në gusht, krahasuar me 47.83% muajin e kaluar. Ekspertët kishin parashikuar një rritje prej 55.9%.

Inflacioni i fundit ishte inflacioni më i fortë që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur çmimet u rritën me 64.27%.

Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rritën me 72.86% në terma vjetorë në gusht dhe ritmi i rritjes u përshpejtua nga 60.7% muajin e kaluar.

Tarifat e transportit u rritën me 70.2% krahasuar me vitin e kaluar, kundrejt rritjes 43.4% në korrik.

Në baza mujore, çmimet e konsumit u rritën me 9.09% në gusht, pas një rritjeje prej 9.49% në korrik.

Të dhënat treguan se inflacioni i çmimeve të prodhimit u rrit në 49.41% në gusht,niveli më i lartë në 4 muaj, krahasuar me 44.5% në korrik.

Ndër sektorët kryesorë të industrisë, çmimet për sektorin e minierave dhe guroreve u rritën me 66.42% në terma vjetorë në gusht dhe ato të përpunimit u rritën me 54.41%.(Elona)