Turizmi, impakt pozitiv në të gjitha bashkitë e vendit
2023-09-06 09:37:06

Pamje nga Berati ( Foto ATSH)

Pamje nga Berati ( Foto ATSH)

Sezoni turistik vijon ende dhe impakti pozitiv i kësaj industrie është ndjerë në çdo bashki. Kështu shprehet në një intervistë për mediat Agron Haxhimali Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

“Sezoni turistik ka qenë shumë i mirë këtë vit në përgjithësi. Industria e turizmit ka dhënë një impakt shumë të mirë në të gjithë bashkitë e Shqipërisë, por kryesisht përfituesit më të mëdhenj kanë qenë 11 bashki që kanë stacione plazhi apo vijën bregdetare, por nuk mbeten pas dhe bashkitë që kanë turizëm malor. Bashkitë kanë bërë një performancë relativisht të mirë duke përmirësuar cilësinë e shërbimit në këtë sezon turistik, por ka akoma nevojë për t’i përmirësuar këto shërbime. “- tha Haxhimali.

Shpesh një problem që përkon me sezonin turistik, janë zjarret. Këtë vit kjo sfidë vlerësohet të jetë menaxhuar mirë nga autoritetet.

“Për sa i përket zjarreve, në ato bashki që kemi pasur zjarre është vënë re që autoritetet lokale kanë qenë në vijën e dytë dhe në vijën e parë kanë qenë institucionet qendrore. Kjo nuk përbën një lajm të mirë për mua pasi përgjegjësia e madhe dhe e drejtpërdrejt për menaxhimin e rreziqeve i takon pushtetit vendor. Ato duhet të jenë në ballë të punës, duhet të marrin masa parandaluese, të jenë më vigjilentë, të punojnë më shumë dhe të jenë më shumë të organizuar”, tha Alimani.

Sfide mbetet plotësimi i kushteve për qytetarët në disa shërbime publike e deri tek zhvillimi i duhur ekonomik lokal.

“Për mua bashkitë sot kanë sfida që lidhen me shërbimet publike, uji, pastrimi, rruga dhe sektori i bujqësisë apo jeta ekonomike lokale në zona rurale. Sfida e dytë janë çështjet administrative, taksat, tarifat, lejet e ndërtimit, pajisja e qytetarëve me lejet e dokumenteve të pronësisë dhe të tjerë. Një sfidë e tretë mbetet transparenca dhe llogaridhënia edhe pse shikojmë që këtë vit ne kemi këshilla pluraliste, akoma nuk po vëmë re në dukje të paktën këto këshilla të jenë më bashkëpunues, si dhe më të orientuar drejt qëllimeve dhe interesave të komunitetit të kenë debate, të hapura në të mirë të shërbimeve publike. Sfida e fundit është çështja e zhvillimit ekonomik lokal, një  problem pothuajse në të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Ato duhet ta orientojnë vizionin e tyre, politikat dhe qëllimet e tyre, që të sigurojnë ekonominë lokale”, theksoi ai.

Zonat rurale(Foto Agroweb)

Zonat rurale(Foto Agroweb)

Lajmi për rritjen e taksave të pronës ka shkaktuar menjëherë debate në bashki të ndryshme të vendit.

“Shqetësimi më i madh ishte që këto debate u hapën në sezonin e verës, në kohë shumë të nxehtë dhe kjo nuk është gjë e mirë pasi është shumë vështirë të tërheqësh në këtë periudhë vëmendjen e opinionit public, të aktorëve apo grupeve të interesit, por edhe të politikës, për ta debatur si çështje rritjen e kësaj takse, qoftë për atë që do rriten në 2026 por qoftë dhe për Bashkinë Tiranë që do t’i rrisë taksat e pronave me çmim reference për 6 mujorin e dytë që jemi aktualisht. E kam shumë të vështirë të them se si e ka pritur opinioni publik këtë lajm, por vetë e kam pritur me shumë dilema, paqartësi dhe kritika”u shpreh ai

Një nismë e qeverisë është edhe sigurimi me detyrim i banesave, dhe kjo sipas Haxhimalit duhet parë me kujdes. Sipas tij, pasi rruga më e mirë është ajo vullnetare.

“ Çështja e sigurimit të detyrueshëm të banesës është një debat i hapur sërish kohët e fundit pas debatit që u hap pas tërmetit të 2019. Unë i përkas faktit që duhet të jemi qytetarë, duhet të jemi më të ndërgjegjshëm, më vigjilentë, për të siguruar pronat tona. Duhet ta ndryshojmë qasjen dhe kulturën tonë, sjelljen tonë ndaj sigurimit të banesave por kjo duhet të jetë në mënyrë vullnetare. Sigurisht qeveria ka një mundësi për të bërë politika për të na orientuar për të ndërgjegjësuar, komunitetet, grupet e interesit, institucionet që merren me sigurimin me qëllim që t’i jepet mundësi qytetarëve për të siguruar banesat e tyre, por jo në mënyrë të detyrueshme. Nëse sigurimi i detyrueshëm do të jetë një taksë shtesë, kjo është akoma shumë e keqe”, tha ai

Në fokus të autoritetit vendor sipas Agron Haxhimalit duhet të jenë që tani edhe problemet që sjell dimri për t’i menaxhuar siç duhet.


 

Agron Haxhimali (Foto Koha Jonë)

Agron Haxhimali (Foto Koha Jonë)

“Bashkitë nuk duhet të punojnë me sezone, dimer- verë. Janë institucione të vazhdimësisë, duhet të ushtrojnë aktivitetin e tyre gjatë 12 muajve të vitit, brenda mandatit të tyre. Sigurisht prioritetet janë dhe stinore. Mbaroi turizmi, ata tani duhet ta kthejnë vëmendjen tek dimri, te bllokimi i rrugëve nga bora etj, probleme sociale, ngrohje apo probleme të tjera në shkolla dhe në komunitet. Bashkitë duhet që në këtë moment të fillojnë të mendojnë për dimrin dhe të mos mendojnë ditët e para të dimrit. Pra duhet t’i orientojnë shërbimet e tyre në këtë drejtim.’

I pyetur nëse ka ndonjë program të investimeve kapitale për çështjen e infrastrukturave apo investime, ai thotë se nuk ka nisma konkrete për këtë.