Foto nga CFP
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) njoftoi se rreth 4.8 milionë njerëz janë zhvendosur brenda dhe jashtë Sudanit për shkak të konfliktit midis Forcave të Armatosura Sudaneze dhe Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) që nga mesi i prillit.
Rreth një milion njerëz kanë kaluar në vendet fqinje, bëri të ditur OCHA në përditësimin e saj të fundit, duke vënë në dukje se të paktën dy milionë fëmijë janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga shpërthimi i konfliktit në Sudan më shumë se katër muaj më parë, bën të ditur “Xinhua”.
Po ashtu, Komisioni i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) bëri thirrje për një miliard dollarë amerikanë për të ofruar ndihmë dhe mbrojtje thelbësore për më shumë se 1.8 milionë persona që pritet të mbërrijnë në pesë vende fqinje deri në fund të vitit 2023.
“Kjo është një rritje e dyfishtë e asaj që fillimisht u vlerësua në maj se kërkohej për t'iu përgjigjur krizës”,- thuhet në një deklaratë të UNHCR-së. (Elona)